Dokumentat dhe aplikimi për studime në Gjermani. Vizat për në Australi dhe rregullat për lindjet në SHBA

730
Sigal

I

Gjermani/ Rruga individuale drejt studimeve pasuniversitare ose Institutit të Lartë Profesional

Çfarë duhet të dini nëse dëshironi të ndiqni studimet pasuniversitare në Gjermani?

Fillimisht duhet të dini çfarë dhe ku dëshironi të studioni.

Kush mund të më ndihmojë për të vendosur se çfarë të studioj?

Përgjigje e shkurtër: Ju vetë.  Ju vetë e dini më mirë se kushdo tjetër se për ç’gjëra keni më shumë interes dhe çfarë drejtimi universitar ju pëlqen më shumë.

Kush mund të më ndihmojë për të gjetur një universitet ose një Institut të Lartë Profesional që përputhet me interesat e mia?

Përsëri një përgjigje e shkurtër: Ju vetë. Ndoshta ju keni dëshirë të banoni në një qytet të përcaktuar, ndoshta atje keni familje ose të afërm. Ndoshta keni dëshirë të studioni në një universitet të madh ose preferoni një universitet të vogël.

Një ndihmë këtu mund t’ju ofrojë interneti: Nën adresën (www.dashochschulran king.de) mund të kërkoni universitetin apo institutin e lartë profesional që përputhet më mirë kërkesat dhe dëshirat tuaja. Ka edhe informacion në anglisht.

Nëse kërkoni informacion për qytetet në Gjermani, këtë do ta gjeni gjithmonë nën adresa të tilla si p.sh. www.koeln.de (Köln), www.hamburg.de (Hamburg) ose www.berlin.de (Berlin).

Por unë dua vetëm të shkoj në Gjermani, nuk më intereson aspak se çfarë do të studioj atje!

Me një qëndrim të tillë do të pësoni zhgënjim të madh. Vendimi për të studiuar në një universitet është një vendim që do të ketë ndikim shumë të madh për gjithë jetën tuaj, si në Gjermani ashtu edhe në Shqipëri.

4. Gjuha gjermane

A duhet ta zotëroj gjermanishten, nëse dëshiroj të studioj në Gjermani?

Nëse dëshironi të kryeni studime universitare: Po.

Nëse doni të kryeni studime pasuniversitare, “master” ose doktoraturë: Jo gjithmonë.

Sa mirë duhet ta zotëroj gjuhën gjermane?

“Studienkolleg”-et kërkojnë vlerësimin “Njohuri e mirë” – por janë ata vetë që do të përcaktojnë se çfarë kuptohet me “Njohuri e mirë”.
Për të kryer studime në një universitet ose në një institut të lartë profesional, ju keni nevojë për njohuri të shkëlqyeshme. Duhet ta provoni duke bërë një provim që quhet “DSH” (Deutsche Sprachprüfung für den Hochschulzugang). “Studienkolleg”-et do t’ju përgatisin për këtë provim, i cili mund të quhet një provim i vështirë.

 

II

Australi/ martesa me një qytetar(e) australian, nuk të garanton automatikisht të drejtën e qëndrimit

Viza kur ke lidhje me qytetar australian


Ai person që ka lidhje familjare me një qytetar(e) australian, mund të përfitojë qëndrim të përhershëm në Australi, kur termi “lidhje” nënkupton marrëdhënie martesore, një lidhje “de fakto”, një martesë në perspektivë (fejesë) ose marrëdhënie “të ndërvarur”, që nënkupton lidhjes mes personave të të njëjtit seks. Edhe martesa me një qytetar(e) australian, nuk të garanton automatikisht të drejtën e qëndrimit në Australi. Për këtë, personi duhet të aplikojë për atë të quhet “viza partneriale”. Kjo e fundit ndahet në disa kategori, në varësi të lidhjes që qytetari i huaj ka me atë australian. Kështu, për lidhjen martesore dhe atë “de fakto” (lidhje martesore e pazyrtarizuar), i huaji aplikon veças për “vizën e martesës”; po kështu për vizën e fejesës dhe të lidhjes së ndërvarur. Kjo pasi ka procedura të veçanta për secilën nga këto kategori. Nuk mund të aplikojë për vizë, ai qytetar i huaj që ka borxhe apo precedentë penalë ndaj Komunwellthit australian apo Zelandës së Re. Nga ana tjetër, secili aplikant duhet të ketë një sponsor. Ky i fundit është normalisht, ai që ka lidhje me aplikantin, (bashkëshorti(ja), i fejuari (a) etj). Qytetari i huaj që kërkon vizë australiane, duhet të plotësojë formularin përkatës “Aplikimi për emigrim në Australi me partner”, i cili është formati 47SP, dhe gjendet në internet, ndërsa sponsori përkatës duhet të plotësojë formatin 40SP. Të dyja formatet, i interesuari duhet t’i printojë dhe t’i bashkojë në dosjen e tij të aplikimit.

III

Aplikantëve do t’u refuzohen vizat turistike, nëse kuptohet se ato synojnë të vijnë në SHBA kryesisht për të lindur

“Turizmi i lindjeve” – SHBA nxjerr rregulla të reja

Administrata e Presidentit Trump publikoi të enjten rregulla të reja vizash që synojnë kufizimin e “turizmit të lindjeve”, një praktikë me të cilën gratë vijnë në SHBA për të lindur, në mënyrë që fëmijët e tyre të marrin shtetësinë amerikane. Aplikantëve do t’u refuzohen vizat turistike nëse zyrtarët konsullorë përcaktojnë se ato synojnë të vijnë në SHBA kryesisht për të lindur. Por për zyrtarët do të jetë e vështirë të bëjnë dallimin nëse ato vijnë për shkaqe mjekësore apo për të lindur. Gratë me nevoja mjekësore do të trajtohen si të huajt e tjerë që hyjnë në SHBA për trajtim mjekësor dhe duhet të dëshmojnë se i kanë paratë për të paguar, përfshirë shpenzimet e transportit dhe të jetesës. Praktika e udhëtimit në SHBA për të lindur është në thelb e ligjshme, megjithëse ka pasur raste që autoritetet kanë arrestuar operatorët e agjencive të turizmit të lindjeve për mashtrime me vizat ose evazion fiskal. Në rregulloren e re thuhet se Departamenti i Shtetit “nuk beson që vizitat në Shtetet e Bashkuara me qëllim kryesor marrjen e nënshtetësisë amerikane për një fëmijë, duke lindur në Shtetet e Bashkuara, janë një veprimtari legjitime për kënaqësi ose e një natyre rekreative”. Administrata e Presidentit Donald Trump po i kufizon të gjitha format e imigracionit, por Presidenti Trump ka shprehur shqetësim të veçantë për çështjen e marrjes së nënshtetësisë me anë të lindjes. Sipas Kushtetutës amerikane, kushdo që ka lindur në SHBA konsiderohet shtetas amerikan. Presidenti ka kërcënuar se do t’i japë fund kësaj praktike, por studiuesit ligjorë kanë thënë se kjo nuk është aq e lehtë për t’u realizuar.