Zyrtarizohet falja e gjobave: Ja Kush përfiton pas 15 ditësh

758
Sigal

Udhëzimi/ Falja e gjobave zgjedhore, rimbursimi nëse janë paguar dhe debitorët te tatimet

 Është publikuar në Fletoren Zyrtare udhëzimi “Për faljen e dënimeve administrative në formën e gjobave, të vëna në bazë të kontrolleve dhe verifikimeve tatimore, të kryera për periudhën 1 mars deri më 31 gusht 2013”. Sipas udhëzimit, objekt i faljes janë gjobat që janë evidentuar ose kontabilizuar në regjistrat tatimorё (sistemi informatik ose kontabilitet) nga data 1 mars 2013 deri më datë 31 gusht 2013, nga:

a) Administrata tatimore qendrore, për gjobat e zbatuara nga drejtoritë rajonale tatimore dhe strukturat përkatëse tatimore në varësi të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve;

b) Administrata tatimore vendore në njësitë e qeverisjes vendore (bashki e komuna) për gjobat e zbatuara nga drejtoritë/zyrat përkatëse të taksave vendore.

 

Gjobat që falen

Gjobat që falen janë gjobat që janë vendosur si pjesë e detyrimit tatimor, ku përfshihen si të tilla gjobat e vlerësuara për shkelje të dispozitave të legjislacionit tatimor.

-Falen gjobat e vlerësuara që lidhen me një tatim/kontribut të vlerësuar, tё cilat vendosen si pasojë dhe pjesë e tatimit/kontributit;

-Falen gjobat e vlerësuara, tё cilat vendosen pavarësisht nëse ka detyrim tatimor (tatim/ kontribut) të vlerësuar ose jo;

Falen, gjithashtu:

a) gjobat për punonjës të padeklaruar apo të deklaruar me vonesë;

b) gjobat për mosinstalim të pajisjes fiskale;

c) gjobat për moslëshim të kuponit tatimor ose moslëshim të biletave.

4. Sipas pikёs 3 tё këtij udhёzimi, falen:

a) gjobat e vlerësuara që janë paguar ose kompensuar;

b) gjobat e vlerësuara që nuk janë paguar;

c) gjobat e vlerësuara që janë apeluar apo janë në proces apelimi, pavarësisht nga faza e apelimit në të cilën ndodhen (ankim administrativ apo gjyqësor) dhe pavarësisht nga vendimi i apelimit, nëse ka ndonjë vendim të tillë të dhënë, qoftë edhe i formës së prerë.

Është kusht që gjobat, që përfitojnë nga falja, të jenë të evidentuara ose të kontabilizuara në regjistrat tatimorë nga data 1 mars 2013 deri më datën 31 gusht 2013.

a) Këto gjoba konsiderohen të evidentuara nga 1 mars 2013 deri më 31 gusht 2013, nëse data e nxjerrjes së njoftim-vlerësimit është nga data 1 mars 2013 deri më datë 31 gusht 2013.

b) Data e kontabilizimit i referohet datës së regjistrimit të gjobave në kontabilitetin e drejtorisë rajonale tatimore përkatëse apo organit të ngjashëm të taksave vendore, jashtë sistemit informatik tatimor përkatës.

Si datë e evidentimit të gjobës konsiderohet data e nxjerrjes së njoftim vlerësimit tatimor (data e protokollit të drejtorisë rajonale tatimore/njësisë së ngjashme që ka përgjegjësinë të lëshojë aktin administrativ tatimor).

Udhëzimi përcakton që drejtoritë rajonale tatimore dhe zyrat tatimore të qeverisjes vendore, brenda 15 ditëve nga hyrja në fuqi e këtij udhëzimi, evidentojnë në një listë tatimpaguesit që përfitojnë nga falja sipas këtij ligji.

 

Kush nuk falen

Në zbatim të nenit 4 të ligjit nuk falet/n, pasi nuk janë objekt i faljes, pavarësisht datës apo periudhës në të cilën janë vlerësuar apo i përkasin:

a) Tatimi/kontributi i detyrueshëm i sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore;

b) Kamatёvonesa pjesë e detyrimit tatimor;

c) Gjobat për pagesë të vonuar / gjobat për dorëzim të vonuar të deklaratës që llogariten dhe vlerësohen automatikisht nga sistemi informatik i tatimeve për deklaratën ose tatimin/kontributin përkatës për shkelje të dispozitave të ligjit nr. 9920, datë 19.5.2008 “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.

Rimbursimi 100 %

Për tatimpaguesit të cilët i kanë paguar gjobat objekt i faljes, në zbatim të nenit 5 të ligjit, do të kryhet procedura e rimbursimit në masën 100% të shumës së gjobës së paguar:

a) Tatimpaguesi paraqet në drejtorinë rajonale tatimore dokumentin që vërteton pagesën e gjobës objekt i faljes, duke e shoqëruar atë me një kërkesë formale për rimbursimin e gjobës së paguar. Kërkesa përmban të dhënat identifikuese të tatimpaguesit, si dhe numrin e tij të llogarisë bankare;

b) Inspektori i vlerësimit, pasi kryen verifikimet e nevojshme që tatimpaguesi është përfitues nga ligji dhe e ka paguar gjobën objekt i faljes, mban një akt- falje dënimi (gjobë), ku të jetë cilësuar se ky dënim falet në zbatim të ligjit për faljen e gjobave. Ky akt shoqërohet gjithashtu me formularin përkatës, të nevojshëm që falja të vlerësohet në sistemin informatik;

c) Për rastet kur gjoba e paguar është falur, pas procesit të vlerësimit të faljes në sistemin informatik, tatimpaguesi për gjobën e falur dhe të paguar njëkohësisht do të rezultojë kreditor. Kështu drejtoria rajonale tatimore rimburson shumën e gjobës në llogarinë e tatimpaguesit nëpërmjet thesarit sipas pikës 1 tё udhëzimit nr. 4/1, datë 23.5.2014 “Për një shtesë në pikёn 75.1.1 germa “a” të udhëzimit nr. 24, datë 2.9.2008, “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, por në të njëjtën kohë sistemon edhe situatën e tatimpaguesit në mënyrë që të mos rezultojë me tepricë kreditore ndaj organit tatimor.

 Për debitorët te tatimet

Nëse evidentohen raste kur tatimpaguesi përfitues sipas këtij ligji për faljen e gjobës ka detyrime tatimore të papaguara (tatim/kontribut; gjobë automatike; kamatёvonesë/gjoba të tjera që nuk janë objekt i faljes, edhe pse këto detyrime apo gjoba nuk i përkasin periudhës së faljes, atëherë:

a) Për tatimpaguesit që nuk i kanë paguar gjobat që falen, organi tatimor/zyrat e taksave tё qeverisjes vendore vijojnë procedurat e faljes;

b) Për tatimpaguesit që i kanë paguar gjobat që falen, organi tatimor/zyrat e taksave të qeverisjes vendore nuk i rimburson në llogarinë e tatimpaguesit shumat e gjobave të falura dhe njëkohësisht të paguara, por kompenson detyrimet e tjera që nuk janë në proces apelimi, dhe për shumat e mbetura pas kompensimit vijon procedurat e rimbursimit në llogarinë e tatimpaguesit nëpërmjet thesarit

Ledjana Saliu