Zyrtarisht në krizë!

3068
Sigal

 

A është ekonomia shqiptare në krizë? Nëse po, e çfarë natyre është: financiare, ekonomike, apo i ka të dyja? Sa do të zgjasë kjo gjendje, kur do të fillojë ngritja dhe rigjallërimi i ekonomisë? Këtyre pyetjeve nuk mund t’u jepet një përgjigje e prerë dhe aq më pak nga një këndvështrim i caktuar.

Kështu, nëse do t’i referohemi një opinioni i përgjithshëm, aktualisht jo vetëm jemi në krizë financiare dhe ekonomike, por tashmë jemi mësuar me vështirësitë, pasi kështu kemi qenë në të gjithë periudhën e tranzicionit!

Nëse do të niseshim nga kritere partiake atëherë, si rëndom dhe për çështje të tjera, hasim dy qëndrime të kundërta: ai qeveritar, që nën peshën e fakteve ka evoluar nga “në Shqipëri nuk ka krizë” në “bota është në krizë, por ne megjithatë…” dhe qëndrimi opozitar që ka folur për krizë dhe “çmime në qiell” që prej shtatorit 2008 kur valët e krizës globale u përhapën nga ShBA në Europë e në të gjithë botën e zhvilluar kapitaliste.

Këto qëndrime të skajshme mund të “moderohen” nëse i ballafaqojmë me përkufizimet e pranuara gjerësisht të literaturën ekonomike, por duke mbajtur parasysh se për krizën financiare apo ekonomike nuk ka një përkufizim të vetëm, por, disa syresh. Fjalorë të ndryshëm japin përkufizime të përafërta, por jo të njëjta, gjë që krijon vështirësi në kuptimin e termave nga një masë e madhe njerëzish.

-Çfarë janë krizat financiare dhe ekonomike

Referuar businessdictionary.com, kriza financiare pasqyron një situatë në të cilën oferta për para është më e vogël se kërkesa. Kjo do të thotë se masa e parasë është pakësuar në mënyrë të shpejtë për shkak se është tërhequr nga bankat, duke i detyruar ato të shesin investime të tjera për të kompensuar mungesat.

Kurse kriza ekonomike shpreh një situatë kur ekonomia pëson një rënie të shpejtë si rrjedhojë e një krize financiare. Shenjat kryesore të saj  më së tepërmi duken në rënien të PBB, në mungesën likuiditetit, rritjen e papunësisë dhe rritjen/rënien e çmimeve. Gjithashtu, quhet edhe si kriza e ekonomisë reale. Një krizë ekonomike mund të marrë formën e një recesioni apo të një depresioni.

Recesioni përbën periudhën e një rënie ekonomike, e përkufizuar zakonisht si një tkurrje e PBB për 6 muaj (dy tremujorë njëri pas tjetrit) apo më gjatë, por përgjithësisht  jo më shumë se një vit. Kjo periudhë karakterizohet nga papunësi e lartë, ngurtësim të pagave, dhe rënie në shitjet me pakicë. Ndonëse recesionet konsiderohen pjesë normale e një ekonomie kapitaliste, nuk ka mendim të njëjtë midis ekonomistëve për shkaqet që i paraprijnë ato. Gjithsesi, një recesion është më i zbutur se një depresion.

Depresioni shënon pikën më e ulët të një cikli ekonomik që karakterizohet nga (1) një rënie e fuqisë blerëse, (2) papunësi masive, (3) kapërcim i ofertës mbi kërkesën, (4) rënie e çmimeve, apo që rriten më pak se zakonisht, (5) rënie e pagave, apo rritje më pak, dhe (6) mungesë e përgjithshme e besimit në të ardhmen. Depresionet më të rëndësishme mund të vazhdojnë disa vjet. I tillë ishte Depresioni i Madh (1930-40) që pati pasoja të ashpra jo vetëm në ShBA, por në të gjithë botën (businessdictionary.com/definition/recession).

Pasojat e krizës në vend

Për një varg faktorësh që lidhen me shkallën e ulët të integrimit me tregjet financiare të rëndësishme botërore Shqipëria nuk ishte në radhët e vendeve që u prekën menjëherë nga kriza financiare globale. Shqipëria nuk e ndjeu krizën në vitet 2008 dhe 2009, madje ekonomia ishte në rritje dhe kjo pasqyrohej në treguesin e PBB ,në rritjen e të ardhurave në buxhet, në rritjen me ritme më të larta të investimeve si dhe të pagave dhe pensioneve në qytet dhe në fshat.

Por, në vend që të shikonin valët e “cunamit” që po përplaseshin edhe në brigjet e Adriatikut e Jonit, kryeministri dhe ministra të qeverisë, me një eufori të spikatur flisnin për buxhete të mëdhenj, historikë, për investime gjigande për rritje pagash e pensionesh. Nga mosnjohja e gjendjes apo e bindur se kriza ishte larg nesh, qeveria në vitet 2008-2009 shtoi marrjen e huave nga jashtë si dhe paraqiti në Kuvend ndryshime në rritje të buxhetit. Madje në shtator 2009 Kuvendi miratoi një program të fryrë që tashmë del i parealizuar në të gjithë treguesit e tij ekonomikë, financiarë dhe socialë.

Por, Shqipëria gjithsesi nuk mund të ishte e imunizuar prej krizës. Prandaj që në fillim të vitit 2009 kemi paralajmëruar për efektet që do sillnin goditjet e saj edhe në vendin tone. Efektet e krizës botërore tek ne filluan të ndjehen në mënyrë graduale, por të vazhdueshme. Ndërsa në shumë vende të zhvilluara, ose jo, vala goditëse e krisë kaloi, tek ne ndoshta ende nuk e ka arritur kulmin.

Aspekti më i dukshëm i ndikimit të krizës globale fillimisht ishte rënia e remitancave në tre vitet e fundit si volum dhe në raport me PBB e bilancin tregtar, luhatjet në kursin e këmbimit të lekut, rritja e inflacionit, shtrenjtimi dhe shtimi i kredive të këqija etj., të cilat më vonë u pasuan nga rënia e ritmeve të rritjes të PBB, nga kriza e buxhetit, nga rritja e deficitit buxhetor dhe borxhit publik, rritja reale e papunësisë (ndonëse INSTAT-i jep vlerësime shumë të ulëta), nga shtesat në rënie në nivelet e pensioneve, pagesave të papunësisë, ndihmës ekonomike, etj.

Sipas INSTAT, në vitin 2008 rritja e PBB) ishte 7.5 për qind, në vitin 2009 ritmi ra në 3.3 për qind, më 2010 në 3.9 për qind dhe më 2011 në 3.1 për qind. Prirja në rënie është akoma më e theksuar në këtë vit.

Politika qeveritare për të zbutur pasojat e krizës deri në fund të vitit 2009 ka qenë në pozita nënvleftësuese, e vonuar dhe e mangët. Masat u forcuan në mesin e vitit 2010 dhe ashpërsuan më tej gjatë vitit 2011 duke  korrigjuar gati të gjithë treguesit e të ardhurave dhe shpenzimeve për vitet 2012-2014.

Më 30 maj 2012 ministri i financave u shpreh se do ta shkurtojnë buxhetin e vitit 2012 ashtu siç kanë bërë edhe në vitet e mëparshme “në përputhje me zhvillimet në ekonominë globale, në ekonominë rajonale dhe për më tepër në zhvillimet konkrete në ekonominë shqiptare”. Këto shkurtime do të ulin investimet publike sidomos në infrastrukturë, arsim edhe shëndetësi.(utv-neës.tv/ekonomi).

Zyrtarizohet kriza

Kryeministri dhe përfaqësues të tjerë të qeverisë janë përpjekur të argumentojnë se ende nuk kemi rënë plotësisht në krizë (recesion apo depresion) pasi vërtet është përgjysmuar ritmi i rritjes të PBB, por gjithsesi, bazuar në të dhënat INSTAT-it, (për saktësinë e të cilave mbajnë përgjegjësi ligjore) nuk kemi ritme negative, pra nuk kemi rënie absolute të PBB për dy tremujorë njëri pas tjetrit.

Mirëpo dega ku ishin mbajtur deri më tani për të argumentuar qëndrimin jashtë krizës  u thye nga publikimi që bëri INSTAT pak ditë më parë dhe pikërisht më 9 korrik 2012, sipas të cilit PBB në tremujorin e parë të vitit 2012 u ul me 0.2 për qind kundrejt tremujorit të parë të vitit 2011, ndërsa krahasuar me tremujorin e katërt të vitit 2011 u ul me 1.2 për qind.

Këtë njoftim, në forma të ndryshme e dhanë thuajse të gjitha institucionet mediatike elektronike apo të shkruara, sipas drejtimeve “të djathta”, “të majta” apo “të pavarura” që ato kanë. Mirëpo, këndvështrimi apo komentet e tyre e kanë anashkaluar thelbin e këtij njoftimi dhe sidomos të tabelave që e shoqërojnë atë. Jo më kot thuhet se “djalli fshihet në detajet”. Në rastin konkret fshihet në rënien ekonomike (të PBB) jo vetëm në tremujorin e parë 2012, madje jo vetëm në dy tremujorë, por luhatje ka pasur në  4-5 tremujorët e fundit.

Kështu, rritja e PBB nga njëri tremujor në tjetrin, nga i pari më 2011 deri në të parin 2012 me çmimet e vitit bazë të 2005, ka rezultuar si vijon: në të parin 2011 3%, në të dytin -2.2 %, në të tretin 1.8 %, në të katërtin 0.3%,  dhe tremujorin e parë 2012 -1.2 %.

Si do të jetë rritja në tremujorin e dytë të vitit 2012: pozitive apo negative? Një përgjigje, me tregues paraprakë, do të jepet në publikimin tjetër të INSTAT-it më 5 tetor 2012. Por ecuria e deritanishme nuk tregon për prirje në drejtimin e duhur  prandaj nuk mund të priten ndryshime të ndjeshme pozitive. Nëse rënia do të vazhdojë atëherë qeveria duhet të shpallë edhe zyrtarisht krizën ekonomike.

Duke ballafaquar përkufizimet për krizën ekonomike dhe financiare del se Shqipëria aktualisht është prekur si nga dukuri të recesionit ashtu dhe të depresionit. Një fenomen i tillë rrit vështirësitë dhe kohën e daljes prej krizës. Në vend të shfajësimeve dhe krahasimeve pa kuptim, qeveria duhet të shprehet hapur për krizën si dhe zbatojë masa komplekse për zbutjen e krizës, pasi vetëm rruga e shkurtimeve të shpenzimeve të buxhetit nuk është e mjaftueshme.