Zyfer Caco: Skandali me Bonot e Privatizimit dhe shpresa për riaktivizimin e tyre

1214
Sigal

Intervistë/Flet Zyfer Caco, sekretari i përgjithshëm i shoqatës së Letrave me Vlerë

Ndërsa në vendet e tjera postkomuniste Letrat me Vlerë u aktivizuan menjëherë duke i shkëmbyer në aksione tek kompanitë me kapital shtetëror, në Shqipëri nuk ndodhi kështu. Ende sot, pas 23 vitesh shqiptarët nuk janë të qartë për qëllimin e emetimit të letrave me vlerë dhe ndihen të mashtruar nga mungesa e vullnetit të qeverive për të ndihmuar shtresat në nevojë, apo politikave të ndjekura në dëm të poseduesve të letrave me vlerë. Baza ligjore mbi të cilat janë emetuar Bonot dhe Lekët e Privatizimit është Dekreti Nr.1030, datë 23.2.1995 “Për emetimin dhe shpërndarjen e bonove të privatizimit (Lekë privatizimi)”. Po për mënyrën dhe afatin e përdorimit të tyre, këtij dekreti i janë bërë disa herë ndryshime dhe janë nxjerrë shumë ligje, VKM e akte të tjera nënligjore. Në lidhje me të gjithë problematikën e letrave me vlerë flet në një intervistë për “Telegraf” Zyfer Caco, sekretari i përgjithshëm i shoqatës së Letrave me Vlerë.

Cili ishte qëllimi i emetimit të këtyre Letrave me Vlerë?

Me ndryshimin e sistemit, qeveria e re që erdhi në pushtet, me qëllimin e mirë për të shpërblyer mundin dhe djersën e pa paguar në sistemin socialist që ishte shndërruar në pronën gjigande shtetërore, nëpërmjet të fondit të akumulimit të asaj kohe dhe pse jo edhe i ndikuar nga mentaliteti pozitiv i trashëguar nga ai sistem, për të ndihmuar shtresat në nevojë, u emetuan dhe u shpërndanë këto lloj Letra me Vlerë në formën “Bono Privatizimi” për punonjësit dhe “Lekë Privatizimi” për ish të përndjekurit politikë. Kjo u bë edhe në bazë të përvojës së ish vendeve socialiste të lindjes.

Si e kanë zgjidhur vendet e lindjes këtë problem?

Ato vende i aktivizuan menjëherë këto Letra me Vlerë duke i shkëmbyer në aksione tek kompanitë me kapital shtetëror, ndërsa blerësve të pasurisë shtetërore iu vu si kusht që një pjesë të pagesës ta bënin detyrimisht në Letra me Vlerë  dhe në një afat të caktuar, përndryshe humbisnin të drejtën e privatizimit të objektit. Kjo bëri që vlera e tyre në tregun e Rusisë kaloi Vlerën Nominale të tyre.  Në ndryshim  me këtë përvojë pozitive, tek ne ky problem po zvarritet për mbi 18 vjet, sepse qeveritë dhe shtetarët tanë kanë devijuar politikisht nga qëllimi për të cilin janë emetuar ato. Shkurt nuk kanë vullnet politik të ndihmojnë shtresat në nevojë.

Si ka ecur në treg vlera e Letrave me Vlerë dhe sa humbin individët nga mospërdorimi i tyre nga ata që zotërojnë këto letra me vlerë?

Është për t’u theksuar se me 100 000 lekë nga këto Letra me Vlerë në kohën e emetimit të tyre blihej një pronë e barazvlefshme me mbi  4 apartamente 2+1. Një apartament i tillë atëherë kushtonte jo më shumë se 25 000 lekë, ndërsa sot kushton mbi  8 000 000 lekë, që do të thotë se me vlerë të plotë të tyre nuk blen dot as një m² ndërtim. Ndërsa me çmimin e tregut të lirë merr jo më shumë se 4000 lek. Është për t’u theksuar se para vitit 1997, kur qeveria i aktivizoi këto Letra me Vlerë nëpërmjet metodës së “Ankandit Masiv”, vlera e tyre ishte rreth 40 % e vlerës nominale. Po qytetarët që iu dha mundësia t’i përdornin këto nëpërmjet kësaj metode përfituan disa herë vlerën nominale të tyre. Kjo tregon për degjenerimin total të procesit të aktivizimit të Letrave me Vlerë dhe mungesën irrituese të vullnetit politik të qeverive të dy krahëve politikë për të ndihmuar qytetarët dhe shtresat në nevojë në një kohë që në media të ndryshme janë bërë denoncime për privatizime krejt abuzive. Si rrjedhojë e mospërdorimit të tyre, qytetarët humbasin gjithnjë e më shumë si nga ana e mosmarrjes së dividentit nga aksionet që duhet të kishin blerë me to, ashtu edhe nga rënia në treg e vlerës së tyre, por edhe nga fakti se ndërsa vlera e tyre ulet, vlera e pronës ka ardhur gjithnjë në rritje, sa më shumë kohë kalon, aq më pak pronë blen poseduesi me vlerën nominale të tyre. Sa më shumë kohë kalon aq më tepër amoralizohet qeverisja në sytë e qytetarëve.

Si ka ecur procesi i privatizimeve nëpërmjet Letrave me Vlerë?

Siç e përmenda më lart, deri në fillim të vitit 1997, u përdor metoda e Ankandit Masiv, ku qeveria shpallte në media shoqëritë aksionere që privatizoheshin, vlerën e kapitalit të tyre dhe afatet e dorëzimit të Letrave me Vlerë në zyrat e hapura posaçërisht nga Agjencia Kombëtare e Privatizimit pranë bashkive përkatëse. Çdo qytetar që dëshironte të merrte pjesë me bonot e tij të përfituara, por dhe të blera në tregun e lirë, i dorëzonte ato së bashku me listën ku shënohej Nr. dhe gërmat e serialit që identifikonin ato dhe vlerën nominale për secilën, nëpunësja që i merrte ato, ishte e detyruar me akt ligjor që Bonot e dorëzuara t’i priste në dy të tretat e gjerësisë së tyre në prezencë të dorëzuesit, gjë që eliminonte mundësinë e rihedhjes së tyre në treg në mënyrë abuzive. Kjo gjë u bë vetëm në fillim, më vonë nuk u zbatua një gjë e tillë dhe kjo ka hedhur dyshime për rihedhjen e tyre në treg. Pas kësaj, qytetari merrte dokumentin përkatës dhe pas përfundimit të ankandit masiv dilte koeficienti i vlerës së një aksioni që  kishte blerë qytetari i cili njoftohej nga drejtoria e shoqërisë përkatëse.

Mesa unë di, bonot e privatizimit kanë afat kohor përdorimi. A janë ato aktualisht të vlefshme dhe sa efektive do të ishte zgjatja e vlefshmërisë së bonove të privatizimit?

Vlefshmëria e përdorimit të tyre nuk mund bëhet e jashtëligjshme, por nga mosdashja e qeverive për t’i bërë ato të vlefshme  shtyn herë pas here afatin e përdorimit të tyre. Afati i përdorimit të Bonove te Privatizimit fillimisht ka qenë fundi i vitit 1998, por deri tani ky afat është shtyrë disa herë dhe me ligjin e fundit Nr. 136/2013 është shtyrë deri në fund të vitit 2014. Bonot  e Privatizimit nuk mund të nxirren jashtë përdorimit të tyre, sepse do të kishte shumë konseguenca sociale dhe politiko-juridike, por nga mungesa e vullnetit të qeverive për të ndihmuar shtresat në nevojë, dhe jo vetëm ato, kanë shtyrë afatin duke ia lënë në dorë njëra-tjetrës në dëm të poseduesve të tyre. Nuk ka asnjë arsye objektive që shtyhet afati i tyre, sepse ato me kohë duhet të ishin zëvendësuar me aksione kudo ku shteti është pronar. Kjo është lehtësisht e mundshme si nga ana juridike e praktike dhe shumë e vlefshme për të ulur shkallën e varfërisë ndër shtresat në nevojë.

Si qëndron problemi i Angloadiaticas?

Mbas emetimit të Letrave me Vlerë e deri në fund të vitit 1999 praktikohej investimi i Letrave me Vlerë në fondin e investimeve “Angloadriatica” i krijuar e licencuar posaçërisht për këtë problem. Në atë kohë u bë një reklamë e madhe për të tërhequr këtë lloj investimi si nga vetë fondi, por edhe nga qeveritë e kohës, bile qeveria “Nano” lidhi dhe publikoi edhe një marrëveshje në parim që këtij fondi do i jepte azotikun e Fierit dhe të drejtën e shfrytëzimit të gazit natyror të Delvinës dhe se ky i fundit do u jepte aksioneve vlerën 100 % të vlerës nominale të Letrave me Vlerë të grumbulluara prej tij në fillim të vitit 2000. Kjo i entuziazmoi qytetarët shqiptarë dhe nxituan të dorëzojnë Bonot e tyre për t’u bërë aksionerë të këtij fondi, jo pak por ishin rreth 47 000 familje shqiptare që u bënë aksionerë të këtij fondi, për mendimin prestigjioz.

Po çfarë ndodhi me të?

Siç e thamë edhe më lart, të gjitha qeverive u mungonte vullneti politik që qytetarët shqiptarë t’i bënin pronarë të djersës së tyre dhe për këtë arsye nuk hapën rrugë asnjëherë që ky fond të bëhej efektiv. Ka dhe shkrime të mediave prestigjioze kombëtare e ndërkombëtare që me këtë fond janë bërë edhe marrëveshje abuzive e korruptive duke përdorur aksionet e këtij fondi si kolateral për kredi, po asnjëherë në dobi të aksionerëve shqiptarë. Marrëzia më e madhe ishte vendimi i qeverisë “Berisha” që në bazë të ligjit Nr.10198, datë 10.12.2009, “Për sipërmarrjet e investimeve kolektive”, bëri rishpërndarjen e gati të gjithë Letrave me Vlerë të investuara në këtë fond, sepse nuk zbatoi pikën  1 të nenit 137 të tij për ta bërë efektiv këtë fond,  por zbatoi pikën 4 të tij dhe duke rishpërndarë këto Bono e Lek Privatizimi deformoi tërësisht tregun e lirë të tyre dhe vlera në tregun e lirë nga 25%, ra në vlerën 3.5%.

Në këtë fazë që ndodhet vendi çfarë duhet bërë me to?

Si qeveria që iku dhe kjo që ka ardhur trumpetojnë Legalizimet informale dhe mirë bëjnë, le t’i legalizojnë ato, se janë në favor të shumë familjeve dhe të ekonomisë shqiptare. Por duhet theksuar se të gjithë këta ndërtues informalë kanë qenë të paligjshëm dhe po bëhen të ligjshëm. Po poseduesit e ligjshëm të Letrave me Vlerë, pse de fakto lihen të paligjshëm duke qenë të ligjshëm?! Kjo është kryesore, të zbatohen ligjet në fuqi që i shërbejnë aktivizimit të Letrave me Vlerë që po t’i radhitim janë të shumtë, por që nuk zbatohen fare ose zbatohen “me pikatore” e në mënyrë selektive, korruptive e abuzive. Gjithashtu z.Edi Rama në krye të Qeverisë që ka ardhur në pushtet si një qeveri e krahut politik të majtë që duhet të përfaqësojë realisht shtresat në nevojë, është zotuar se do të ndërtojë një qeverisje ligjore e në interes të qytetarëve. Ai, pa humbur kohë duhet të mos bëjë të paditurin dhe të heshti si deri më tani, por të prononcohet publikisht dhe t’u japi shpresë konkrete qytetarëve se Bonot e Lekët e Privatizimit që janë si gjithë Letrat me Vlerë të qeverisë, është një borxh real i pashlyer i shtetit ndaj qytetarëve të vet, dhe duke shitur aksionet shtetërore nëpërmjet bursës së kapitaleve qe pritet të bëhet efektive, por edhe jashtë kësaj burse do të shlyhet sa më shpejt si pronë e ligjshme por e pa kthyer, është  djersë qytetare e pashlyer që nuk kërkon fonde financiare, por bëhet vetëm nëpërmjet kompensimit fizik në formën e aksioneve.