Zyfer CACO/Mashtrimi i qeverisë për letrat me vlerë

746
Sigal

Renditja e premtimeve të pambajtura të qeverisë shqiptare me bonot e privatizimit që prej vitit 2005 deri sot

Shumë shkrime, mesazhe, denoncime e komente janë bërë e dërguar për mosmbajtjen e premtimeve të qeverisë për aktivizimin e Bonove të Privatizimit për 800 mijë qytetarë dhe për Lekët e Privatizimit për ish të përndjekurit politikë. Por qëndrimi indiferent e moskokëçarës i strukturave shtetërore është tepër serioz.

Në këtë prag fushate elektorale shikojmë që shumë politikanë e pushtetarë,e sidomos Kryeministri, kanë filluar të promovojnë programet e tyre për të rivjelë votat e qytetarëve, të cilët i kanë mbajtur peng për rreth 20 vjet. Është e habitshme se si guxojnë e ripremtojnë për “bëmat” që do të bëjnë në favor të shtresave në nevojë dhe për mirëqenien që gjoja do të sjellin për shtresat në nevojë, për rritje rrogash e pensionesh apo për heqjen e disa lloj taksash që gjoja do të sjellin mirëqenien e popullit e të pensionistëve. Harrojnë se një pensionisti, që ju dhanë 100 mijë lek Bono Privatizimi për pronën e vënë në sistemin socialist me punën e tij të papaguar. Po çfarë prone ishte kjo?! Mund të themi vërtetësish se 100 mijë lekë në kohën e sistemit socialist ishin të barasvlershme me të paktën 4 apartamente 2+1 brenda unazës së qytetit të Tiranës. Po çfarë vlere do të kishin premtimet e bëra si më sipër nëse një çifti pensionistësh do i ishte dhënë një pronë e tillë?! Asgjë.

E keqja është se edhe sot qeveria nuk kujtohet që këto lloj Letra me Vlerë t’i shndërrojë në aksione tek ato shoqëri ku shteti është pjesërisht ose tërësisht pronar. Janë miratuar ligje dhe VKM për përdorimin e Letrave me Vlerë në 70 % për truallin e zënë me ndërtimet informale, por a e di qeveria dhe kryeministri se shumë qytetarë ankohen se edhe pse u del emri në gazetë për të bërë legalizimin nuk i japin faturën e pagesës sepse kërkohet ryshfet duke u sjellë pengesa se gjoja “dosja jote ka probleme”?

Pranohet pagesë në masën 80% në Letra me Vlerë pagesa e objektit kur atë e blen pronari i truallit, por mjafton të shikosh “Publikime për Shitje” në faqen e Ministrisë së Financave se sa pak shitje të tilla bëhen sepse sipas “gojëve të liga” për shumë objekte pritet që të bëhen pronarë shtetarë e politikanë të lidhur me pushtetin edhe atje ku atë nuk e kanë të trashëguar, ligjërisht pronar është shteti. Është në fuqi ligji nr.8306 date 14.3.1998 “Për strategjinë e privatizimit të sektorëve me rëndësi të veçantë”, ku Neni 8 përcakton: “Pjesëmarrja me letra me vlerë për privatizim, në privatizimin e ndërmarrjeve dhe shoqërive të sektorëve me rëndësi të veçantë, përcaktohet në formulën e privatizimit, por në çdo rast ajo nuk mund të jetë më e lartë se 20 për qind e kapitalit të kontabilizuar.

Mënyra e përfaqësimit të mbajtësve të aksioneve dhe të drejtat që rrjedhin prej tyre, përcaktohen nga Këshilli i Ministrave”. Pyesim zotin Kryeministër pse e ka harruar këtë nen të ligjit përkatës, pse nuk e zbaton “paketën për publikun”, pse nuk i përdor Letrat me Vlerë në privatizimin e objekteve strategjike si Albpetrol, Cez, 4 HEC-et, KESH, etj?!

Megjithë vlerën shumë të ulur në raport me atë nominale të tyre dhe të rritjes së vlerës së pronave, shteti duhet t’i shndërrojë ato në aksione kudo ku ai është pronar, por këtë nuk po e bën sepse nuk është i interesuar që qytetarët të bëhen pronarë, i interesuar është vetëm për biznesin e madh dhe për përqendrimin e pronës në pak duar sepse ata janë të lidhur me politikën. Kaq e vërtetë është një gjë e tillë sa që shteti nuk u jep të drejtën as punonjësve të shoqërive që privatizohen për të përdorur Letrat me Vlerë megjithëse për këtë ka akt ligjor të miratuar, përveç kësaj ka disa vjet që punonjësit e Albtelecomit i kanë investuar Bonot e tyre aty, e nuk u janë shndërruar akoma në aksione me anën e të cilave mund të përfitonin dividend.

Është shumë qesharak edhe qëndrimi dhe puna e Avokatit të Popullit, i cili interesohet për të mbrojtur interesat e disa shtresave minorene, por harron se shumë probleme të tyre e të gjithë shtresave në nevoje do të ishin zgjidhur nëse shteti do bëhej i përgjegjshëm për tu dhënë vlerën e duhur Letrave me Vlerë që ata posedojnë. Sidoqoftë kjo është kryesisht përgjegjësi e qeverisë dhe personalisht në dorë të kryeministrit, prandaj më poshtë po themi premtimet e pambajtura deri tani të qeverisë shqiptare.

1 – Partia Demokratike në vitin 2005 shpalli platformën e saj elektorale në të cilën premton:

“Se do të ndezim motorët e rritjes së shpejtë ekonomike nëpërmjet privatizimit të plotë dhe të shpejtë të ndërmarrjeve të mëdha duke përdorur dhe Letrat me Vlerë, për t’i shndërruar shqiptarët në pronarë të pasurive të tyre kombëtare.

2- Më 26 Tetor 2005 me shkresën Nr.2732 Kryeministri i përgjigjej Avokatit të Popullit se:

“Dëshiroj t’ju falënderoj për letrën tuaj lidhur me shqetësimin e ngritur nga institucioni juaj për përdorimin e Letrave me Vlerë dhe bonove të privatizimit. Qeveria që unë drejtoj e ka këtë çështie në rendin e problemeve për të adresuar. Për këtë unë kam instruktuar institucionet shtetërore përgjegjëse për të përgatitur bazën ligjore dhe nënligjore të nevojshme për të zbatuar politikat që ne kemi parashikuar në programin e qeverisë dhe që janë njëkohësisht në përputhje edhe me shqetësimet e përcjella në letrën tuaj”.

3- Në fillim të vitit 2008 Kryeministri u prononcua për herë të parë publikisht në TVSH-së:

“METE ka marrë porosi të qarta për përdorimin e Letrave me Vlerë në Privatizim sipas një “SKEMË TË RE…”

4-Zonja Guxholli, Këshilltare e Kryeministrit, rreth dy muaj më vonë ju përgjigj shqetësimit të qytetarëve po në TVSH se: Bonot e Privatizimit do të përdoren, përveçse në ndërmarrjet që privatizohen, edhe në objektet që jepen me koncesion”.

5-Po ashtu edhe zoti Neritan Alibali, zëvendesministër i METE-s më datën 23.06.2008, ju përgjigj   interesimit të teleshikuesve se: “Aksionet shtetërore që nuk u jepen blerësve strategjikë do të privatizohen me Bono Privatizimi”.

6-Më 26/11/2008 në faqen e internetit të qeverisë shkruhet: Qeveria do të vendosë futjen në përdorim të letrave me vlerë

 – Kryeministri Berisha: Si hap fillestar në drejtim të përdorimit të tyre, do të jetë dhënia e të drejtës pronarëve për ta parablerë me letra me vlerë një objekt të nxjerrë në privatizim.  

 Kryeministri Berisha bëri të ditur sot, në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, se së shpejti, qeveria do të vendosë për përdorimin e letrave me vlerë, të emetuara në vitin 1995.

 “Në vitin ’95, janë emetuar letrat me vlerë, me të cilat qeveria dhe mazhoranca e asaj kohe synonte të bënte një lloj shpërndarje të pasurisë kombëtare nëpërmjet një bonusi të caktuar për çdo qytetar mbi moshën 18 vjeç. Kriza e thellë financiare, rebelimi i vitit ’97, sistemi kleptokratik që u vendos pas vitit ’97 i bëri ato inekzistente. Kanë kaluar rreth 13 vjet nga ajo periudhë. Qeveria dhe mazhoranca ka pasur një zotim se nuk do t’i mohojë ato, por se do të gjejë mënyrën e trajtimit. Në vitin e emetimit të tyre, për arsye jo të qëndrueshme, por më shumë si një jehonë, ato imituan lekët e privatizimit, ndërkohë që lekët e privatizimit, faktikisht, ishin lekë me destinacion privatizimin dhe që do të dëmshpërblinin ditën e vuajtjes në burg, në përputhje me ligjin  e kohës. Bonot e privatizimit në asnjë vend dhe në asnjë rast nuk janë cilësuar si lekë. Sidoqoftë, ne duhet të fillojmë të hapim siparin e përdorimit të tyre,” u shpreh Kryeministri. Si hap fillestar në drejtim të përdorimit të tyre, Kryeministri Berisha tha se do të jetë dhënia e të drejtës pronarëve për ta parablerë me letra me vlerë një objekt të nxjerrë në privatizim. “Në mënyrë që këto hapa të jenë seriozë, kam menduar që si hap fillestar t’u japim mundësi pronarëve që parablerjen ta bëjnë me letra me vlerë. Ekspertët e Ministrisë së Ekonomisë dhe të Financave do të bëjnë modelimin dhe ekuivalentimin e tyre. Në këtë kontekst, krijohet një lehtësi e madhe për pronarin për të parablerë objektin e nxjerrë në privatizim. Kjo masë duhet të merret me shpejtësi. Parablerja është e drejtë e ligjshme, e cila është aplikuar në rastet e bashkëpronësisë private publike, ku për pjesën publike është dhënë e drejta e parablerjes. Këtë ligj në favor të pronarëve, që e anuluan qeveritë e mëparshme, ne e kemi amenduar dhe rikthyer,” u shpreh Kryeministri.

 Duke garantuar se kjo masë nuk ka efekte negative në funksionalitetin e ekonomisë,  Kryeministri theksoi se futja në përdorimin e letrave me vlerë do të bëhet gradualisht dhe hap pas hapi.

 “Gjykoj se është e dobishme dhe e domosdoshme të hidhet hapi i parë. Nuk mund të ecet në mënyrë tjetër përveçse hap pas hapi, sepse vetë situata financiare botërore nuk lejon asnjë lloj eksperimenti, por imponon rigorozitet, hapa të matura e të studiuara dhe unë kam shumë bindje se vendimi për t’u dhënë të drejtën pronarëve për të parablerë me letra me vlerë nuk do të ketë asnjë efekt negativ në funksionalitetin ekonomik të vendit, por, përkundrazi, do t’u lehtësojë barrën një shtrese, e cila e meriton plotësisht. Fillimi i procedurave, monitorimi, eksperienca e krijuar do të na mësojë për hapin e dytë, të tretë, të katërt e me radhë.”

 Kryeministri qartësoi se letrat me vlerë nuk janë lekë, por do të përdoren për të blerë objekte në proporcion me vlerën e saj.

 “Askush, – theksoi Kryeministri – nuk mund të mendojë se ato janë lekë, pasi janë letra me vlerë, të cilat ne nuk i mohojmë. Qeveria ime ka zgjatur afatin përdorimit të letrave me vlerë dhe sërish do ta zgjasim. Ne do të studiojmë të gjitha mundësitë e përdorimit në mënyrë të proporcionuar të tyre, por nuk bëhet fjalë për lekë. Tjetër gjë janë lekët e të përndjekurve politike dhe tjetër gjë letrat me vlerë. Por kjo e fundit mund të përdoret për të blerë asete në një proporcionim të përshtatshëm të vlerës së saj”. Kryeministri Berisha tha se pas kësaj mase të parë, qeveria do të shqyrtojë hapat e tjerë që do të ndërmerren në këtë drejtim.  26/11/2008

7-Më 17.12.2008 Kryeministri Berisha: “Qeveria i konsideron letrat me vlerë të vlefshme dhe të paskaduara”.

 8-Kryeministri në qershor 2009 në mitingun elektoral të Elbasanit bëri thirrjen: “Hidhuni në tregun e letrave me vlerë”.

9-Kryeministri Berisha 11/06/2009: “Çelja e tregut të letrave me vlerë, detyrim madhor i qeverisë ndaj qytetarëve shqiptarë”.

Këshilli i Ministrave vendosi që qytetarët shqiptarë që do të legalizojnë objektet do të kenë të drejtë që 80 % të vlerës së tyre ta paguajnë me letra me vlerë, përveç taksës së infrastrukturës, e cila është kompetencë e qeverisjes vendore.

Kryeministri u shpreh se letrat me vlerë të emetuara nga qeveria në vitet 95-96, të cilave iu është zgjatur afati i përdorimit para tre vitesh, janë një detyrim madhor dhe i padiskutueshëm i qeverisë ndaj qytetarëve shqiptarë: “Sot unë do të trajtoj një problem të veçantë që ka të bëjë me letrat me vlere. Letrat me vlerë të emetuara nga qeveri ime në vitet 95-96 dhe të zgjatura afatet e përdorimit të tyre sërish nga qeveria ime, para tre vitesh janë një detyrim madhor dhe i padiskutueshëm i imi ndaj qytetarëve shqiptarë sepse unë kam qenë president i vendit në fuqi ekzekutive, kur kam miratuar dhe urdhëruar emetimin e tyre. Kemi vendosur që i tërë procesi i legalizimit përveç taksës së infrastrukturës, e cila është takse  e qeverisë vendore dhe unë nuk kam ndërmend që të ngushtoj dhe as të ndërhyj në kompetencën e tyre, por as edhe tu ngushtoj atyre burimet e të ardhurave. Ajo është një taksë e vendosur me pëlqim të përbashkët me bashkitë dhe komunat e vendit, dhe mbetet e paprekur. Pra përveç kësaj takse i qytetarët që do të legalizojnë objektet do të kenë të drejtë që 80 % të vlerës ta paguajnë me letra me vlerë.”

Për sa i përket qytetarëve, të cilët e kanë paguar vlerën njëqind për qind, kryeministri sqarojë se qeveria do tu rimbursojë 80 % të vlerës, të cilën ata do ta paguajnë me letra me vlerë.

Kryeministri theksoi se në këtë mënyrë hapet për letrat me vlerë një nga tregjet më të fuqishëm të vendit, i cili bazohet në legalizimin e 500 mijë objekteve “Në këtë mënyrë ne hapim një treg ekzakt së 4 deri në 6 herë më të madhe sesa vlera e letrave me vlerë.”

Me këtë proces, u shpreh Kryeministri, ne shkojmë drejt shlyerjes së detyrimit që kemi ndaj më shumë se 1 milion shqiptarëve dhe kam shumë kënaqësi që çelim këtë treg dhe shlyejmë këtë detyrim.

Kryeministri kërkoi nga Ministria e Financave dhe  Ministria e Punëve Publike përgatitjen e gjithë kuadrit të nevojshëm ligjor që ky vendim të hyjë në fuqi sa më parë.

11/06/2009

 10-Kryeministri në Paskuqan: “Duke iu referuar vendimit të sapo miratuar të qeverisë për legalizimet dhe përdorimin e letrave me vlerë, kryeministri tha se ky proces do të ndikojë pozitivisht në zgjidhjen e problemeve të të gjithë qytetarëve që kanë ndërtesat e tyre për t’u legalizuar. Legalizimi po ecën. Para dy ditësh vendosa të hap tregun e letrave me vlerë. Hapja e tregut të letrave me vlerë është interesi i 800 mijë shqiptarëve, që i kanë marrë ato dhe që pas rebelimit u përpoqën t’ua shndërrojnë në letra pa vlerë. Tani ato bëhen letra me vlerë. Tregu i letrave me vlerë ndihmon edhe të gjithë banorët, të gjithë qytetarët që legalizimet t’i bëjnë me një çmim edhe më të arsyeshëm”.

 11 – Edi Rama në Bathore kundërvihet: “Sali Berisha rishfaqet për të bërë të njëjtin premtim të 18 viteve, ndërkohë që kishte 4 vjet në dispozicion për t’i legalizuar shtëpitë e ngritura me gjak në rrethinat e Tiranës dhe qyteteve të mëdha të Shqipërisë, gjë që e premtoi se do ta bënte qysh në vitin e parë të qeverisjes”, – u shpreh Rama. Ai nënvizoi se sot, jo vetëm nuk i ka legalizuar, “por është shfaqur me një rrenë të re, me letrat me vlerë, ndërkohë që shqiptarët e dinë fatin e letrave me vlerë, të gjithë e dinë se çfarë kanë pësuar me këto letra me vlerë dhe të gjithë e dinë se tani është koha për ta mbyllur këtë faqe të historisë 18-vjeçare të premtimeve e zhgënjimeve. Është koha për të hapur një faqe të re, për ta mbyllur një faqe, ku një grusht njerëzish kanë shkruar historinë si kanë dashur dhe e kanë përdorur qeverinë e Shqipërisë për interesat e tyre dhe për interesat e një familjeje të vetme”, – u shpreh Rama.

12 -Kryeministri në Sauk,16.6.09: “A nuk ishte Edi Rama që përpjekjen time të ndershme për t’u dhënë vlerë letrave me vlerë, për të njohur detyrimin ndaj tyre, i quajti një bllof ato, në një kohë kur 500 mijë shqiptarë kanë të drejtë t’i shesin ato dhe të marrin para prej tyre. Ndërkohë që 600 mijë qytetarë të tjerë kanë të drejtë t’i blejnë ato dhe të lehtësojnë barrën e pagesë së legalizimit. Atëherë le ta pyesim pak; Zotëri, ti nuk je për rritjen e pensioneve, ti nuk je për rritjen e rrogave, ti nuk je për letrat me vlerë. Por për çfarë je? Ti je për lejet e ndërtimit”.

13-Kryeministri në Kuvend më 11.03.2010: “Kryeministri Sali Berisha, në fjalën e tij para deputetëve, foli, ndër të tjera, për letrat me vlerë dhe përdorimin e tyre në procesin e legalizimit. Që në fillim të fjalës së tij, Kryeministri theksoi se ligji për përdorimin e letrave me vlerë është plotësisht në fuqi dhe vlera e tyre në total është përllogaritur në 820 milionë dollarë. Kryeministri theksoi se Qeveria ka vendosur njohjen e vlefshmërisë së letrave me vlerë në interesin më të mirë të qytetarëve shqiptarë, duke bërë të mundur që tregu i letrave me vlerë të jetë disa herë më i madh sesa tregu i paracaktuar në kohen e emetimit. Nga ky vendim i Qeverisë nuk përfitojnë vetëm qytetarët, që do të legalizojnë ndërtimet pa leje, por edhe qytetarët që dëshirojnë të blejnë dhe, në këtë kuadër, Ministria e Financave do të marrë të gjitha masat për të mundësuar përdorimin e gjerë të letrave me vlerë prej atyre që i zotërojnë”.

14-Sipas prononcimit në shtyp të Z.Selami Xhepa: “Kryeministri ka idenë që Bonot e Privatizimit do të përdoren edhe në privatizimin e objekteve strategjike”.