Zyfer Caco/ Letrat me vlerë, shteti ligjor dhe politikologjia

691
Sigal

Një milion shuplakat ndërruan të ndenjurat në kolltukët qeveritarë, por, me sa po shohim e po dëgjojmë, përsëri do të vuajmë. Pse e themi këtë?! Duket hapur se disa reforma e masa të marra nga qeveria e sotme janë pozitive dhe nuk kanë vend kritikat e deformuara që i bëhen Ramës. Dhe më e keqja është se këto kritika bëhen, pikërisht, nga ata që krijuan dhe lejuan rrumpallën dhe hajdutërinë masive 25-vjeçare, nga ata të cilët e heqin veten edhe si “të djathtë” duke kundërshtuar reformat e djathta nga qeveria “e majtë”.

Interesant është fakti se, nga opozita, por dhe nga vetë brenda të majtës nuk po dëgjojmë të flitet e të zbulohen hajdutët galopantë e t’u jepet përgjigje dilemave siç janë:

-Çfarë është bërë e vjedhur në naftë, krom e bakër dhe a ka hajdutë apo përgjegjës për vjedhje e keqadministrim?

-A ka vjedhje, hajdutë, shpërdorim e shitje të paligjshme të armatimit dhe municioneve e përgjegjës konkretë?

-Pse kanë mbetur në letër shpërdorimet me tenderët dhe abuzime të tjera të evidentuara ose jo edhe nga KLSH-ja, ku për 24 vjet rresht nuk dëgjohet një gjykim e dënim shembullor? Dhe kjo, megjithëse në raportet e 24 vjetëve të KLSH-së raportohen qindra miliona e miliarda lekë.

-A ka përgjegjës konkretë për vjedhjen e TVSH-së me anën e kompanive fantazmë “të ardhura” nga Kina? Apo dhe kjo do “hetohet” vetëm politikisht me komision parlamentar? Dhe “u bëftë mirë” atyre që i grabitën ato!

-Po Gërdeci, droga e 21 janari a kanë “koka” që duhet të përgjigjen? Apo dhe për këto do të ketë “koka turku”, ndërsa për dosje si ajo për ish ministrat e mbrojtjes e të financave do të ketë tërheqje nga vetë paditësit?

E, pra, kritika e kundërkritika, akuza e kundërakuza, ofendime e kundërofendime, por çdo gjë mbetet vetëm në pragun e llafologjisë e politikologjisë bajate, pa çuar problemet në drejtësi. Por, edhe kur ato shkojnë aty, përsëri kthehen mbrapsh për “arsye” proceduriale e “mungesë provash”!

Në qoftë se vërtet kjo qeveri është e majtë, nuk ka arsye që akoma nuk zgjidh problemin e aktivizimit të Bonove e Lekëve të Privatizimit që i posedojnë shtresat në nevojë dhe ish të përndjekurit politikë? Pse hesht qeveria?! Apo, sepse këtë reformë e filloi, premtoi dhe mashtroi “e djathta”? Po kjo “e majta” që “përfaqëson” publikun e gjerë dhe shtresat në nevojë, pse nuk i konverton këto Letra me Vlerë në aksione, në obligacione ose në mjet pagese, edhe për energjinë elektrike të papaguar apo për debite të tjera nga publiku?

Edhe një sqarim tjetër që tregon vazhdimin e rrumpallës e padrejtësisë, edhe nga kjo qeveri. Për të përdorur Bonot dhe Lekët e Privatizimit si mjet pagese u është dhënë e drejta vetëm personave që legalizojnë ndërtimet e tyre informale në trojet me pronar shtetin ose privatin. Pra, i jepet një e drejtë vetëm atij që ka bërë disa shkelje ligjore njëkohësisht, ndërsa njeriut të drejtë që ka zbatuar ligjshmërinë, që është në nevojë, apo që në besim tek shteti ligjor ka investuar kursimet e tij në këto Letra me Vlerë, nuk i jepet e drejta që ato t’i përdorë për të blerë pronën e vënë me djersën e tij, nuk i lejohet që me ato të paguajë energjinë elektrike ngaqë s’ka të ardhura në lekë dhe nuk ia shndërron as në obligacion shtetëror. Nga ana tjetër, pronën e shet në lekë e valutë me çmim të ngritur, ndërsa vlera në treg e Bonove dhe Lekëve të Privatizimit ka rënë, edhe deri në zero. Ish kryeministri Berisha në vitin 2005 deklaroi se “skemën e parë të përdorimit të Bonove e rrëmbeu rebelimi komunist i vitit 1997″, prandaj (sipas tij) për aktivizimin e tyre do të përdorej një skemë e re. Dhe kjo “skemë e re” na ishte lënia në dorë, ndoshta si hakmarrje për “rebelusit” e vitit 1997! Po, Ju, zoti Rama, a do i shpërbleni “rebelusit”, pjesëmarrësit e viktimat e 21 janarit dhe ata që ju dhuruan 1 milion shuplakat kundër kësaj opozite me “të njëjtën monedhë” si z. Berisha, apo do të zbatoni parimet e shtetit ligjor, për të cilën pretendoni se kini ardhur në krye të kësaj qeverie?!