Zv.ministrja e Financave: Nga 1 korriku, jo më kontrata PPP në infrastrukturë kur nuk ka një ofertë

592
Sigal

Projektligji i ri parashikon heqjen e kontratave koncesionare në disa sektorë

Një projektligj i ri i Ministrisë së Ekonomisë e Financave u diskutua ditën e djeshme në komisionin parlamentar të Veprimtarisë Prodhuese dhe Tregtisë. Relacioni i këtij projektligji për koncesionet, parashikon ndryshime të reja për kontratat me partneritet publik-privat. Zv.ministrja e Financave Albana Shkurta ka bërë më dije se duke nisur nga 1 korrik 2019 nuk do të lejohen më kontrata PPP në infrastrukturë kur nuk ka një ofertë. “Pr.ligji vjen si iniciativë ligjore e Ministrisë së Financave. Synimi i tij është përmirësimi i kuadrit ligjor dhe të rrisë kontrollin mbi angazhimet fiskale. Në hartimin e tij janë marrë në konsideratë të gjithë rekomandimet dhe përvojat e dhëna nga institucionet ndërkombëtare si FMN, BB. Në ndryshimet e parashikuara janë heqja e kontratave koncesionare në një sërë sektorësh. Nga 1 korrik 2019 nuk do të lejohen më kontratat PPP të pakërkuara në infrastrukturë. Gjithashtu parashikohet heqja e bonusit për propozimet e pakërkuara.”- deklaroi zv.ministrja.
Albana Shkurta mohoi të jenë dhënë kontrata PPP për llixhat, ndërsa në lidhje me kontratat për pompat e karburanteve, ajo bëri me dije se nuk është parashikuar tarifë shtesë. Më tej ajo shtoi se ndryshimi më i rëndësishëm i parashikuar është eliminimi i iniciatës nga një operator privat për kontrata koncesionare në rast të një oferte të pakërkuar. “Nuk mohohet dhënia e kontratave të ardhshme koncesionare për rrugët, por vetëm ato në rast se mungon një ofertë zyrtare”.
Në fund zv.Ministrja e Financave u shpreh se për vitin 2019 vlera totale e këtyre lloj kontratave është parashikuar 3% të nivelit të të ardhurave.