Zona teknologjike e Spitallës, Ahmetaj: Tender ndërkombëtar

695
Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Arben Ahmetaj deklaroi sot se “brenda datës 10-15 qershor do të hapet tenderi ndërkombëtar për zhvillimin e zonës teknologjike të Spitallës në qarkun e Durrësit”, ndërsa ftoi investitorët vendas dhe të huaj të marrin pjesë.
I pranishëm në Tryezën e Rrumbullakët në prezantimin e Zonave të Teknologjisë dhe Zhvillimit Ekonomik (TEDA) me përfaqësues të shoqatave të biznesit, dhomat e tregtisë dhe atashetë tregtarë dhe ekonomikë të përfaqësive të huaja diplomatike në Tiranë, Ahmetaj u shpreh se, “qeveria shqiptare është angazhuar në projektin e Zonave të Teknologjisë dhe Zhvillimit ekonomik”.
Ministri deklaroi se projekti për zonën e Spitallës nxit investimet vendase dhe tërheq ato të huaja, pasi do të afrohen lehtësirat e duhura fiskale. Ahmetaj gjatë fjalës, theksoi se, ligji i ri i projektuar nga qeveria ofron nxitje direkte dhe konkurruese për investitorët dhe procedurat për zonat ekonomike tashmë janë shumë favorizuese, ndryshe nga si ishin në të kaluarën.
“Shqipëria ka 9 zona ekonomike, që ishin të dështuara në të shkuarën. Synimi ynë është që t’i zhvillojmë këto zona, të tërheqim investimet vendase dhe ato të huaja. Zhvillimi i zonave do të sjellë rritje punësimi, por edhe zhvillim të mëtejshëm të eksporteve shqiptare”, tha Ahmetaj.
Duke promovuar zonën e Spitallës, që pritet të çelë siparin e zhvillimit të zonave industriale, ministri Ahmetaj vlerësoi pikat e forta që nxisin investimet e mëdha private vendase dhe të huaja për pjesëmarrje, sikurse janë afërsia me 6,6 km me portin e Durrësit dhe 30 km me Aeroportin “Nënë Tereza”.
“Në aspektin logjistik, Spitalla i ka të gjitha gjasat që të jetë një nga zonat më të mira në rajon dhe Europë”, tha Ahmetaj, duke shtuar se nisur nga këto pika të forta, pritet që investitorët e mundshëm do të kenë më shumë interes për pjesëmarrje.
Deri tani, MZHETS ka dërguar informacion në 130 adresa elektronike, prej të cilave 80% i kanë lexuar , 50% kanë kontrolluar dhe lexuar postën, si dhe janë kthyer mbrapsht kërkesat nga 22 të tjerë. Nga palët e interesuara vihet re se 95 pyetje janë bërë nga Shqipëria, 65 nga SHBA, 47 nga Gjermania, 26 nga Rusia, 14 nga Kina, 7 nga Franca, 4 nga India dhe nga 32 vende të tjera, të interesuar për të marrë informacione më të detajuara për zonën teknologjike të Spitallës, e cila do të jetë e para që do kalojë me koncension.
Ministri Ahmetaj u shpreh i bindur se “do të kemi rezultat pozitiv”, ndërsa shtoi se brenda muajit maj p/ligji për këtë zonë do të miratohet në Kuvend.
Sipas tij, në p/ligj, që është një paketë e plotë ligjore, janë harmonizuar disa çështje, që lidhen me ligjet për sektorët strategjikë, zonat industriale, turizmin, partneritetin publik-privat.
“Brenda datës 10- 15 qershor do të hapim tenderin për zhvilluesin e zonës teknologjike të Spitallës”, tha Ahmetaj. “Synojmë kompani, që të sjellin vlerë të shtuar në ekonominë tonë, kompani teknologjike, industriale, të cilat krijojnë mundësi për punësim me numër të madh punonjësish”, tha ministri i Zhvillimit Ekonomik.
Teksa sfidat i quajti “të mirëseardhura”, pasi me to lidhen punësimi dhe zhvillimi ekonomik i vendit, ministri u shpreh se pas Spitallës, radha do të vijojë me dy zonat e tjera në Vlorë dhe Koplik dhe më pas, Korçën dhe Gjirokastrën.
Ahmetaj deklaroi se projekti për zhvillimin e zonave teknologjike është prezantuar nga qeveria edhe në vende të huaja, si në Abu Dabi, Gjermani. Nesër do të prezantohet edhe në Turqi”, shtoi ai.
“Në zonat industriale synojmë industri me vlerë të shtuar për ekonominë dhe punësim, pasi synimete drejtëpërdrejta janë punësimi dhe eksportet”, tha ministri, që premtoi siguri maksimale për pjesëmarrësit, që do të planifikojnë periudha shumëvjeçare të investimeve.
Zona e Spitallës do të jepet për 99 vjet për zhvilluesit ekonomikë, por nuk përjashtohet mundësia që të jepet me afate më të shkurtra sipas kërkesave të industrialistëve vendas dhe të huaj, në vartësi të investimeve dhe llojeve të industrive që planifikojnë të zhvillojnë në të, nga bilancet dhe projektet.
“Jemi të fokusuar tek zhvilluesit, që duan territore të mëdha”, iu përgjigj Ahmetaj pjesëmarrësve në këtë takim. Ministri Ahmetaj bëri të ditur se ministria këto ditë do të vijojë të informojë për çdo pyetje që do të vijë nga kompanitë që interesohen për zhvillimin e investimeve të tyre në zonën e Spitallës./ATSH/ – See more at: http://shqiptarja.com/Ekonomi/2733/ahmetaj-tender-nderkombetar-per-zonen-teknologjike-te-spitalles-288574.html#sthash.CfHr0dxz.dpuf
Sigal