Zona ekonomike ballkanase, çfarë parashikon projekti i BE

Profesionistët e të gjithë vendeve të Ballkanit Perëndimor do të kenë mundësi të lëvizin dhe punojnë lirisht

Komisioni Evropian ka bërë për herë të parë publike, se çfarë përmban konkretisht projekti i Zonës Ekonomike të Ballkanit. Përmes një MEMO-je zyrtare, Komisioni sqaron se Zona do të bazohet në katër shtylla, që janë tregtia, investimet, lëvizja e lirë dhe tregu digjital. Në lidhje me tregtinë, Zona e Përbashkët ekonomike, parashikon zgjerimin e marrëveshjes CEFTA duke përfshirë edhe tregtinë e shërbimeve. Sipas medieve televizive, kjo nënkupton që kompanitë e shërbimeve si bankat, shoqëritë e sigurimeve apo ato të transportit të mund të lëvizin dhe ofrojnë shërbimet e tyre lirshëm në çdo vend të rajonit. Pas tregtisë, kolona e dytë e zonës ekonomike do të jenë investimet. Gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor do të bien dakord të krijojnë një agjendë të përbashkët investimesh, ku përfshihet shkëmbimi i informacionit dhe harmonizimi i politikave investuese. Pika e tretë, ajo që parashikon lëvizjen e lirë prek drejtpërdrejtë qytetarët. Vendet do të bien dakord të heqin çdo barrierë për lëvizjen e lirë të profesionistëve, përmes njohjes së përbashkët të kualifikimeve profesionale. Kjo nënkupton se një dentist shqiptar mund të ofrojë shërbimet në Beograd apo anasjelltas. Dimensioni i fundit i projektit është ai digjital. Ky dimension përfshin marrëveshje për shërbimet roaming dhe ato të ofrimit të internetit. Ai parashikon protokolle për sigurinë kibernetike, mbrojtjen e të dhënave dhe do të adresojë nevojat që kanë vendet e rajonit për aftësi në fushën digjitale.

Sipas Komisionit Evropian Zona e përbashkët do të krijojë 80 mijë vende të reja pune në rajon dhe do të nxisë rritjen ekonomike.