Zero progres për shërbimet ndaj qytetarëve

722
Angazhimi i qeverisë për të përmirësuar këtë vit ofrimin e shërbimeve ndaj qytetarëve është drejt dështimit te plotë. Këshilli i Ministrave ka bërë publik progres-raportin e ecurisë së projekteve vjetore te 2016 ku shihet se, ato që i dedikohen shërbimeve publik kanë ngecur në vend.
Sipas të dhënave të publikuara nga vetë Kryeministria shihet se projekti për përmirësimin e kanaleve të informimit të qytetarëve për shërbimet publike është realizuar zero për qind, teksa afati për finalizimin e këtij projekti ishte fundi i shkurtit të këtij viti. Gjithashtu shihet se ka dështuar plotësisht edhe projekti për standardizimin e ofrimit të shërbimeve publike. Ky projekt i cili duhet të kishte përfunduar me 2 qershor 2016 ka bërë zero progres, raporton Kryeministria.
Qeveria është duke shkuar drejt dështimit edhe për ngritjen e qendrës One Stop Shop për mbi 300 shërbime. Ky projekt që është programuar të finalizohej në 30 dhjetor 2016, ka bërë zero progres deri në fund të qershorit. Projekti i vetëm në të cilin është bërë progres është shtimi i shërbimeve elektronike ne portalin qeveritar e-albania. Ky projekt i cili ka një afat kompletimi fundin e këtij viti është realizuar në masën 57 për qind deri në fund të qershorit.
Këtë vit është miratuar ligji i ri për mënyrën e ofrimit të shërbimeve ndaj qytetarëve. Ligji merr në konsideratë krijimin e ADISA ( Agjencia e Ofrimit të Shërbimeve të integruara) në varësi të ministrit të Shtetit për inovacionin dhe Administratën Publike. Misioni i kësaj agjencie është ofrimin e shërbimeve publike nëpërmjet ngritjes dhe administrimit të sporteleve pritëse për qytetarët (front office) si dhe qendrave të shërbimeve publike të integruara me një ndalesë (one-stop-shop) për shërbimet që kryhen nga institucionet dhe agjencitë e qeverisë qendrore dhe/ose të njësive të qeverisjes vendore sipas legjislacionit në fuqi ose marrëveshjeve përkatëse./Monitor
Sigal