Zef Preçi: Telekom Serbia në tregun shqiptar të telefonisë së lëvizshme? E mundshme, por…

670
Sigal

Për ata që kanë ndjekur politikat qeveritare dhe zhvillimet në tregjet e ndryshme në ekonominë Shqiptare gjatë tre dekadave të fundit, ekziston një përgjigje edhe për pyetjen e mësipërme.

Së pari, vendet e vogla, me ekonomi të dobët dhe me legjislacion të zbatuar keq e më nivel të lartë korrupsioni si vendi ynë, përgjithësisht kanë në fuqi një kuadër ligjor dhe institucional formalisht shumë favorizues për investimet e huaja, pavarësisht nga origjina e këtyre investimeve. Megjithatë, barriera e fundit për kontrollin edhe/ose pamundësimin e hyrjes së kapitalit të huaj nga rajone apo vende të caktuara në sektoret strategjike të ekonomisë shqiptare, duke përfshirë edhe sektorin e Telekomunikacioneve, ka qenë përqindja e aksioneve të qeverisë shqiptare në kompanitë publike të privatizuara. Mirëpo në rastin e ish-AMC kjo barrierë është hequr – në Tetor 2008 kryeministri Berisha pati deklaruar se “brenda periudhës 1-vjeçare do të hiqet dorë plotësisht nga zotërimi i aksioneve në kompani dhe ndërmarrje të ndryshme”. Në vitet në vijim u shitën aksionet qeveritare të ARMO, OSHEE, INSIG, ALBPETROL etj., shumica e të cilave rezultuan në përkeqësimin e tregjeve përkatëse dhe disa prej tyre dështuan “me sukses”, ndonëse çështjet juridike për dëmin ndaj shtetit janë ende të hapura… Siç dihet, aksionet qeveritare në sektorët strategjike shërbejnë si instrument kontrolli sa i takon performancës së sektoreve strategjike, por edhe për të penguar evazionin fiskal, spekullimet në tregje, për të mbrojtur interesat e sigurisë kombëtare, etj.

Nëse qeveria e asaj kohe ishte në nevojë të ngutshme për të holla në buxhetin e shtetit (cash) për të mbuluar veprimtarinë e përditshme në vend në kushtet e kufizimeve ligjore për tavanin e borxhit publik, administrata e mëvonshme e thelloi më tej këtë proçes. Kështu qeveria Rama në mandatin e saj të parë zgjeroi dukshëm konceptin e “investimeve strategjike” dhe rriti rolin e ministrit përgjegjës për ekonominë në përcaktimin e këtyre lloj investimeve, nxitoi në privatizimin e dyshueshëm të INSIG dhe shtetëzimin po aq të dyshueshëm të OSHEE (ish-CEZ Albania). Gjithashtu gjatë kësaj periudhe qeveria i shfaq shumë miqësore me biznese të panjohura në vendin e tyre por të mirseardhura në Shqipëri, të cilat përfituan në kushte shumë të favorshme për ta pjesë të rëndësishme të sektoreve strategjike “klasike” si në banka, në nxjerrjen e naftës, mineraleve, etj, por edhe në sektorë të tjerë duke përfshirë edhe përpunimin e mbetjeve përmes të ashtuquajturit “partneritet publik privat” (PPP). Kësaj periudhe i takon edhe rritja e dukshme e peshës së kompanive të llojit “off-shore” që gradualisht shtrinë tentakulat e tyre në ekonominë shqiptare duke lehtësuar abandonimin e vendit tonë nga kompanitë me origjinë vendet e BE-së dhe zëvendësimin e tyre me kompani kineze, turke e ndoshta indirekt edhe nga kompani me kapital rus. Për rrjedhojë në vendin tonë është përkeqësuar klima e biznesit, kompanitë e njohura si “brand name” e kanë të vështirë të operojnë në një treg ku konkurrenca dhe loja e lirë e tregut nuk respektohet dhe ndërhyrjet shtetërore të shprehura në politikat fiskale të paqëndrueshme, deri edhe sigurinë fizike të rrezikuar apo në caktimin e nën-kontraktorëve, etj., janë kusht për të qënë prezent në këtë vend…

Së dyti, duke gjykuar nga mbulimi mediatik dhe skenari i pazakontë përzgjedhur për të prezantuar interesimin e Telekom Serbija për të hyrë në tregun shqiptar përmes blerjes së aksioneve të Telekom.al aktualisht në pronësi të Deutche Telekom, të krijohet përshtypja se një vendim i tillë është marrë dhe të gjitha palët po kërkojnë rrugët më të favorshme që të dalin të fituara nga ky proces. Në një situatë normale, takimi i përfaqësuesve të një kompanie blerëse të aksioneve me autoritetet qeveritare nuk përbën lajm dhe është një akt kortezie dhe prezantimi dhe qeveria nuk ka asnjë arësye të shprehë qëndrimin e saj rreth vullnetit të dy palëve të huaja në një transaksion biznesi të tyre. Deklarimi zyrtar i cituar nga televizioni kombëtar Top Channel se “…përfaqësuesve të “Telekom Serbia” u është thënë se pavarësisht që shteti s’ka rol në një transaksion të mundshëm mes dy kompanive private, futja e tyre në tregun shqiptar në një sektor strategjik si telekomunikacioni, nuk është e mirëseardhur…. se hyrja e tyre në Shqipëri do të ishte krejt e papërshtatshme edhe për biznesin e tyre, pasi mund te sjellë reagime të padëshirueshme të natyrës politike.” në mos një gafë qeveritare është një patriotizëm kallp me të cilin jemi ndeshur shpesh këto vitet e fundit, një qëndrim i gabuar në tërësi për klimën e biznesit në vendin tonë. Ky qëndrim konfirmon shqetësimin në rritje, sidomos nga bizneset e huaja të mbledhura në Dhomën Amerikane të Tregtisë (AmCham), në Dhomën Austriake të Tregtisë (DIHA) etj., rreth rritjes së korrupsionit dhe ndërhyrjeve të qeverisë në jetën e biznesit. Bizneset serbe, ashtu si bizneset e çdo vendi të botës, në respekt të konventave, traktateve dhe akteve të tjera ligjore në të cilat shteti shqiptar është palë qysh nga viti 1991, janë të lira të operojnë në tregun shqiptar me kushtin e vetëm që të respektojnë këto akte dhe legjislacionin tjetër të vendit. Prandaj çfarëdo pengese burokratike, gjoja në emër të ndjeshmërisë negative politike p.sh., nga shqiptarët e Kosovës e një pjesë e atyre të Shqipërisë ndaj pranisë së Telekomit serb në vendin tonë më tingëllon si një hipokrizi e panevojshme.

Së treti, duke marrë parasysh rolin e sotëm dhe sidomos perspektiv të informacionit dhe të komunikimeve elektronike në tërësi, por edhe të faktit se në komunikimet me telefoninë e lëvizshme pleksen probleme të rëndësishme të mbrojtjes së të dhënave personale, të luftës kundër terrorizmit dhe krimit të organizuar, por edhe të mundësive të ndërhyrjes në proceset zgjedhore etj., mendoj se ky transaksion i shitjes së aksioneve të Telekom.al të çfarëdo pale e tretë duhet të konsiderohet si një çështje me rëndësi e sigurisë kombëtare. Për rrjedhojë, institucionet rregullatore si AKEP dhe Autoriteti i Konkurrencës nuk duhet të nguten në çertifikimin e transaksionit, e për më tepër, sëbashku me qeverinë (tashmë të informuar nga kompania pretendente zyrtare për të hyrë në tregun shqiptar të telefonisë së lëvizshme) duhet të provokojnë mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare që drejtohet nga Presidenti i Republikës për të analizuar rastin e për të dhënë opinionin apo qëndrimin zyrtar përkatës për të. Përndryshe, trajtimi me dy standarde i biznesit të huaj që nga njëra anë lejon hyrjen e kompanive “off-shore” edhe në sektorë të tillë siç janë bankat dhe nxjerrja e naftës duke shfrytëzuar barbarisht resurset e vendit dhe nga ana tjetër refuzimi nga nëpunës pa asnjë autoritet vendim-marrës i një proçedure standarde që ka ndodhur dhjetra herë edhe në sektorët strategjikë të ekonomisë shqiptare (siç është shitja e aksioneve nga një kompani në një tjetër), e vendos qeverinë në një pozitë tejet të pafavorshme. Shqiptarët kanë nevojë për mirëqënie, e cila bazohet në investime dhe zënie me punë dhe jo për tautologjinë e patriotizmit të dalë boje e të lënë pas nga koha. E në këtë optikë, qëndrimi parimor, serioz dhe institucional ndaj cilësdo kompani të huaj që shfaq interes për të hyrë në tregun shqiptar, duke përfshirë edhe Telekom Serbija, i bën nder në radhë të parë shtetit shqiptar dhe vetë qeverisë së radhës.