Zef Preçi: Pandëshkueshmëria dhe korrupsioni që vazhdon

134
Biznese të rëndësishme po largohen pa shumë zhurmë nga vendi, ndërsa në 50% të rasteve qytetarët janë vënë nën presion korruptiv gjatë marrjes së shërbimeve publike
“EU Observer” njoftonte në fillim të kësaj jave se Presidenti i Bullgarisë ka vënë veton për projektligjin kundër korrupsionit. Projektligji i Parlamentit kundër korrupsionit, i miratuar më 20 dhjetor, u kundërshtua me veto nga Presidenti i Bullgarisë, Rumen Radev, të martën (2 janar), duke përmendur dobësitë në ligj si arsyet kryesore për motivimin e vetos. Ligji kundër korrupsionit (afërsisht me idenë e Skuadrës Anti-Korrupsion – SPAK – këtu në Shqipëri), i ndërmarrë me qëllim krijimin e një njësie anti-korrupsion për të goditur korrupsionin e nivelit të lartë, përmbante, sipas Radev, boshllëqe që në fund do të dëmtonin efektivitetin e zbatimit të ligjit. Një mangësi e tillë ishte fakti se menaxhimi i njësisë kundër korrupsionit duhej të zgjidhej nga vetë Parlamenti, gjë që do të rrezikonte pavarësinë e njësisë. Dështimi i qeverisë për të shënuar përparim në luftën kundër korrupsionit e ka lënë Bullgarinë nën mbikëqyrjen e vazhdueshme të Komisionit Evropian, ku ky i fundit ka lëshuar raporte vjetore të progresit që kur Bullgaria u bashkua me BE në 2007.

Qendra për Studimin e Demokracisë (CSD), një organizatë jo-qeveritare bullgare me reputacion me seli në Sofje, në një prezantim nëntorin e kaluar, tha se rreth 24 për qind e popullsisë bullgare mbi moshën 18 vjeç ishte nën presion për të paguar ryshfet gjatë marrjes së shërbimeve publike. Një raport nga e njëjta qendër vinte në dukje se kombinimi i korrupsionit të shfrenuar administrativ dhe në nivele të larta politike, ka çuar në “kapjen e shtetit”. Raporti e përshkruan kapjen e shtetit si një “praktikë të aktorëve të fuqishëm të aftë për të marrë trajtim preferencial përmes marrëveshjeve komplekse korruptive dhe shkeljeve të tjera të ligjit”. Duke qene se Qendra Shqiptare për Kërkime Ekonomike (ACER) që unë drejtoj ka qenë e përfshirë në të njëjtin studim (pjesa për Shqipërinë) është interesante që rasti i mësipërm i Bullgarisë të krahasohet me të dhënat e vrojtimit të kryer me këtë rast në Shqipëri (2016). Kështu nga këto të dhëna rezulton se në 50% të rasteve qytetarët shqiptarë janë vënë nën presion korruptiv gjatë marrjes së shërbimeve publike, ndërsa në 40% të rasteve ata janë përfshirë në të (kane paguar ryshfet). Për më shumë, shih faqen 23 të raportit të plotë në http://seldi.net.

Aktualisht në Shqipëria mungon një Agjenci Anti-Korrupsion dhe qeveria “Rama 2” ka shkrirë postin e ministrit të Shtetit për Çështjet e Pushtetit Vendor, i cili ka shërbyer edhe si Koordinator Kombëtar Kundër Korrupsionit. Në këto kushte, zëvendës-ministrja e Drejtësisë ka marrë edhe funksionet e koordinatorit kombëtar kundër korrupsionit, dmth “qeveria po kontrollon qeverinë…” dhe nuk është qartë nëse do të ngrihet një njësi e specializuar në luftën kundër korrupsionit. Kjo paqartësi institucionale duket se ka ngjallur shqetësim edhe tek donatorët perëndimorë, të cilët edhe në mungesë të një njësie si kjo për të cilën po debatohet në Bullgari këto ditë, “vazhdojnë të qetë zbatimin e projekteve”, pavarësisht impaktit të munguar dhe paqëndrueshmërisë institucionale të vendit në këtë aspekt.

Pavarësisht situatës së rëndë të korrupsionit në Shqipëri, sidomos të korrupsionit të madh të shprehur në kapjen e shtetit përmes kontratave koncesionare, të të ashtuquajturit “partneritet-publik privat”, përfshirjes së segmenteve të rëndësishme të shtetit në veprimtarinë kriminale të drogës, etj., te të gjitha palët, ndonëse për motive të ndryshme, nuk janë shuar shpresat për marrjen në mesin e këtij viti të ftesës për çeljen e negociatave me Bashkimin Evropian. Kështu qeveria e pret këtë ftesë si një trofe për të konsumuar e qetë mandatin e saj të dytë e për të kompensuar disi rrënimin e imazhit të saj në sytë e publikut, nga skandalet që po i pëlcasin përditë. Opozita, në kushtet e përçarjes, mungesës së ideve përbashkuese dhe betejës së pabarabartë mediatike në përballjen me qeverinë, shpreson që me marrjen e ftesës për çeljen e negociatave me BE, monitorimi i vendit nga kjo e fundit do të rritet dhe kështu problematika e zgjedhjeve, dekriminalizimit, etj., do të mund të vihen në tryezën e këtyre negociatave, duke i dhënë oksigjen kauzave të saj. Ndërkohë opinioni publik, dyshues dhe skeptik ndaj zhvillimeve të brendshme në luftën kundër korrupsionit, ka varur shpresat e tij të vakëta tek angazhimet publike të selive kryesore diplomatike të akredituara në Tiranë. Në të njëjtën kohë, biznese të rëndësishme po largohen pa shumë zhurmë nga vendi, biznese të tjerë po shesin aksionet e tyre kompanive kineze dhe pothuajse asnjë biznes serioz (brand name) nuk ka shkelur në Shqipëri gjatë pesë viteve të fundit.

Panorama e Shqipërisë në këtë fillimviti mund të meritojë si diçiturë: “Me sytë nga ambasadorët”, të cilët publikisht dhe në mënyrë jo-diplomatike janë zotuar për të sjellë gjatë Janarit “stinën e gjuetisë së peshqve të mëdhenj”. Personalisht besoj se “politika e lartë” ndjehet e sigurt ndaj rrezikut të ndëshkimit juridik, po aq sa përpara dhe pandjeshmëria ndaj skandaleve korruptive e maxhorancës aktuale dëshmon se kontrolli i të gjitha pushteteve prej saj është edhe realiteti më i trishtë institucional në vend dhe shkaku kryesor i hemorragjisë demografike – braktisjes së vendit që vazhdon me të njëjtin intensitet.
FMN: Pesë pengesat për prodhimet shqiptare
Fondi Monetar Ndërkombëtar, në një analizë të posaçme, pohon se eksportet shqiptare po përballen me sfida, të cilat kërkojnë më shumë përpjekje për të krijuar një mjedis të përshtatshëm për investime. FMN rekomandon se, për të lehtësuar kostot e prodhimeve shqiptare, autoritetet duhet të përfundojnë projektet kyçe të infrastrukturës, transportit dhe energjisë. Gjithashtu rritja e kursimeve të brendshme, përmirësimi i qeverisjes, sundimi i ligjit dhe rritja e efikasitetin e tregut të punës janë masa që ndikojnë në përmirësimin e ambientit mbi eksportet. Eksportet në Shqipëri u rritën në vitin 2016, por krahasuar me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, ato mbeten të ulëta. Eksportet u dominuan nga nafta deri në vitin 2013, pesha e së cilës u ul në vitet më pas. Pjesa e tregut në eksporte është rritur, veçanërisht e udhëhequr nga tekstilet dhe këpucët, por me një ritëm më të ulët se vendet e tjera të rajonit, si Bosnjë- Hercegovina dhe Maqedonia. Raporti i eksporteve të Shqipërisë ndaj PBB-së është i ulët në krahasim me ekonomitë e tjera të Ballkanit Perëndimor. Sipas FMN, ecuria evidenton mangësi në konkurrencën e eksporteve krahasuar me fqinjët. Treguesit e bazuar në anketime sugjerojnë se konkurrenca e Shqipërisë është përmirësuar, por hendeku i konkurrencës me vendet e rajonit vazhdon. Rritja e Shqipërisë në lehtësinë e të bërit biznes u përmirësua, por vendet e tjera të Ballkanit si Bosnjë dhe Hercegovina, Maqedonia dhe Mali i Zi po konvergojnë më shpejt. Renditja e Shqipërisë në Raportin e Konkurrueshmërisë Globale të Forumit Ekonomik Botëror gjithashtu ka mbetur në vend, duke zgjeruar boshllëkun tashmë të konsiderueshëm mes Shqipërisë dhe mesatares rajonale. Përqendrimi i eksporteve në sektorët me vlerë të ulët mund të jenë pengesë për rritjen e ardhshme. FMN analizon se, në dallim nga eksportet me vlerë të lartë të vendeve fqinje si Serbia dhe Maqedonia, eksportet e Shqipërisë janë kryesisht në sektorët e tekstilit dhe këpucëve, si dhe nafta dhe mineralet. Për rrjedhojë, perspektivat e rritjes janë të kufizuara nga pikëpamja afatmesme e nënshtruar për çmimet e naftës, veçanërisht duke pasur parasysh koston e lartë të Shqipërisë për shfrytëzimin e naftës. Ndërsa eksportet rajonale po rriten, më shumë se gjysma e eksporteve shqiptare shkojnë në Itali. Disa prej këtyre produkteve, veçanërisht tekstileve, përpunohen në Shqipëri nga porositësit dhe më pas rieksportohen në tregje të tjera, një pjesë e madhe janë destinuar për konsum final në Itali, duke e bërë Shqipërinë të varur nga një vend me potencial të ulët rritjeje. Nga ana tjetër, flukset hyrëse të IHD-ve janë rritur kryesisht në sektorin energjetik (tubacionet e gazit, hidrocentralet) dhe sektorët e minierave, por mbeten të kufizuara në sektorë të tjerë të tregtueshëm, gjë që lajmëron se, rritja e Investimeve të Huaja Direkte nuk mund të gjenerojë rritje të konsiderueshme të eksporteve. Pengesat më të mëdha strukturore të Shqipërisë për të eksportuar dhe për të rritur konkurrencën me mallrat e importit, janë: Së pari, institucionet e dobëta, së dyti, mangësitë në infrastrukturë, së treti një sistem taksash tepër kompleks, së katërti qasje e dobët në financa dhe së pesti mungesë e fuqisë punëtorë të kualifikuar.