Zef Preçi: Paketa fiskale 2014, rrezikon transferimin e kapitaleve nga Shqipëria në vendet e rajonit

708
Sigal

 Flet z. Zef Preçi, ekspert ekonomie, për efektet e paketës fiskale në ekonominë shqiptare

Paketa fiskale 2014, e cila parashikon një taksim më të madh për bizneset e mëdha, rrezikon transferimin e kapitaleve  nga Shqipëria në drejtim të vendeve të tjera të rajonit. Këtë e ka konfirmuar në një intervistë për gazetën “Telegraf” eksperti i ekonomisë, z. Zef Preçi. “Vonesat në paraqitjen e projektbuxhetit për 2014-ën nga qeveria dhe mesazhet, në ndonjë rast, kontradiktore dhe çorientuese nga burime mediatike, pro dhe kundër, rrezikojnë të nxisin procesin e dëmshëm të tërheqjes së parave nga banka dhe transferimin e kapitaleve nga Shqipëria në drejtim të vendeve të tjera të rajonit” shprehet Preçi. Ai mendon se paketa fiskale 2014, nuk është e mirë menduar nga qeveria, për efektet ekonomike dhe sociale, po mund të lexohet vetëm si një përpjekje e qeverisë për shtimin e buxhetit të shtetit në një vit krize. Z. Preçi mendon se sfida e qeverisë duhet të jetë lufta kundër informalitetit. “Problem real dhe sfida e madhe e buxhetit në mënyrë specifike dhe e ekonomisë shqiptare në përgjithësi, besoj se mbetet reduktimi në mënyrë të ligjshme dhe në instrumente të përshtatshme të sektorit informal të ekonomisë, i cili vazhdon të gllabërojë pjesë të rëndësishme të kontributeve buxhetore, të cilat ndoshta e bëjnë të panevojshëm rritjen e propozuar të nivelit të taksave”, shprehet Preçi.

Z. Preçi, pritet që qeveria të miratojë të hënën Paketën Fiskale 2014. Cili do të jetë impakti i kësaj pakete në ekonominë shqiptare?

Paketa fiskale, e qarkulluar jo zyrtarisht deri më sot mund të lexohet si një përpjekje e qeverisë për të shtuar të ardhurat buxhetore në një vit të vështirë krize, pa u menduar mirë për efektet ekonomike dhe sociale mbi grupet dhe shtresat e caktuara të vendit dhe mbi biznesin. Në këndvështrimin fiskal, që nëse kjo paketë do miratohet siç është paraqitur jo zyrtarisht, mund të sigurojë më shumë të ardhura për buxhetin, por pa dhënë një përgjigje të saktë për reduktimin e sektorit informal të ekonomisë sonë kombëtare. Në këndvështrimin e shtresave shoqërore pritet që nga kjo paketë të ndikohet drejtpërdrejtë, ose tërthorazi një rritje, jo gjithnjë e arsyetuar, e çmimeve të shitjes me pakicë të mallrave dhe shërbimeve duke filluar me energjinë. Në këtë mënyrë, i lihet shtegu hapur edhe spekulimit nga ana e tregtarëve të shumicës dhe pakicës si në momentin e ndryshimit të sistemit, ashtu dhe për shkak të diferencimeve të pritshme nga zbatimi i tij. Është pozitive që një numër mallrash dhe shërbimesh, si ilaçet, biznesi i vogël, etj., propozohet të taksohen më pak, ose aspak, por që gjithsesi do të ketë vështirësi të mëdha në zbatim për të mos thënë që te ilaçet do të ketë shtim të përfitimeve të pamerituara për grosistët. Problem real dhe sfida e madhe e buxhetit në mënyrë specifike dhe e ekonomisë shqiptare në përgjithësi, besoj se mbetet reduktimi në mënyrë të ligjshme dhe në instrumente të përshtatshme të sektorit informal të ekonomisë, i cili vazhdon të gllabërojë pjesë të rëndësishme të kontributeve buxhetore, të cilat ndoshta e bëjnë të panevojshëm rritjen e propozuar të nivelit të taksave. Ekziston rreziku, që nisur nga fakti që qeveria është në vitin e parë të qeverisjes së saj dhe se masat “antipopullore” me kosto sociale dhe politike mund të merren vetëm në këtë periudhë, gjë që mund ta vendosë qeverinë në pozitat e sjelljes së kompanisë CEZ ndaj konsumatorëve të vet. Siç dihet, kjo kompani, në kushtet kur ishte e pazonja të grumbullonte pagesat për energjinë e shpërndarë, shfrytëzonte lobingjet politike pranë maxhorancës së shkuar për të rritur çmimin, gjë që në thelb penalizonte pikërisht atë pjesë të popullsisë që paguante dhe linte jashtë sistemit apo pagesës ata që nuk paguanin.

Çfarë efektesh do të ketë te sipërmarrësit rritja e tatim-fitimit?

Rritja e propozuar e tatimit mbi fitimin dhe një numri supertaksash e akcizash mendohet se natyrshëm do t’i shtyjë sipërmarrësit të reduktojnë pagat e punës, të zgjerojnë përfitimet informale; si dhe mund të ngushtojë mundësitë e sektorit privat për të importuar teknologji dhe për të zgjeruar punësimin. Kjo bie në kundërshtim me programin politiko-qeverisëse, të shpallur në fushatë elektorale. Së fundmi, me gjithë rëndësinë që paraqet konsultimi i buxhetit dhe i paketës fiskale 2014 me FMN-në dhe BB-në, mendoj se është më e rëndësishme respektimi i afateve ligjore për paraqitjen e tyre dhe konsultimi me komunitetin e biznesit dhe grupet e interesit në ekonominë shqiptare. Përsëritja e taktikës së ndjekur nga maxhoranca e mëparshme për diskutimin me nxitim të këtyre dokumenteve, pra të paketës fiskale dhe buxhetit të shtetit rrezikon të komprometojë edhe atë arritje cilësore të fushatës elektorale, që ishte paraqitja e programeve ekonomike. Në vlerësimin tim, është e nevojshme që qeveria të adresojë në mënyrë të përshtatshme politikat shtrënguese buxhetore, që lidhen me shkurtimin e administratës publike, nevojën e një lufte frontale kundër korrupsionit me synim mirëmenaxhimin e financave publike, apo për të mundësuar një përdorim më efektiv të burimeve monetare në dispozicion.

Si parashikohet të jetë viti 2014 me buxhetin dhe paketën fiskale përkatëse?

Duke analizuar buxhetin e ofruar dhe paketën përkatëse fiskale, 2014 mund të konkludohet se viti 2014 pritet të jetë një vit i vështirë për ekonominë tonë kombëtare, krejt i ngjashëm me vitin 2012 dhe 2013 nga pikëpamja e rritjes ekonomike dhe punësimit, por gjithsesi me shenja gjallërimi dhe ngritje të ekonomisë pas krizës. Domethënë, qytetarët shqiptarë, përtej optimizmit të kuptueshëm të qarqeve politike, duhet të jenë të përgatitur për sakrifica të mëtejshme në përballim të jetës së përditshme, por që gjithsesi flasim për një ekonomike me rimëkëmbje të ngadalshme. Edhe gjatë këtij viti, apo dhe 3-4 viteve pasuese, një problem serioz mbetet zgjerimi i punësimit dhe përmirësimi cilësor i shërbimeve publike bazë, posaçërisht arsimi dhe shëndetësia.

 Nga burime të sigurta thuhet se shumë sipërmarrës po transferojnë bizneset e tyre në rajon. A mos duhet që qeveria të marrë masa për këtë problem?

Vonesat në paraqitjen e projektbuxhetit për 2014-ën nga qeveria dhe mesazhet, në ndonjë rast, kontradiktore dhe çorientuese nga burime mediatike, pro dhe kundër, rrezikojnë të nxisin procesin e dëmshëm të tërheqjes së parave nga banka dhe transferimin e kapitaleve nga Shqipëria në drejtim të vendeve të tjera të rajonit. Kjo duhet të shërbejë si një thirrje për maturë, nga ana e ligjvënësve, në procesin e shqyrtimit të draft-buxhetit, për të lënë hapësira të mjaftueshme për ndryshime në rritje të taksave dhe tatimeve që shpallen tani dhe hyjnë në fuqi pas një, dy, apo tre vjetësh si dhe për të marrë në konsideratë ngjashmëritë që ekonomia jonë ka me vendet e Ballkanit Perëndimor për sa i takon paketës fiskale, (përdorimi i taksës së sheshtë). Në fund të fundit, askush nuk duhet të harrojë që një investitor i huaj, apo i vendit, në vendimmarrjen e vet për përzgjedhjen e vendit se ku investon, mban parasysh, minimalisht, dy vija kufizuese: Nivelin e taksave, që përkthehet në mundësitë për të maksimalizuar fitimet e veta; dhe numrin e konsumatorëve (pa pyetur për gjuhët që flasin, apo shtetit që i përkasin).