Zef Preçi: Më shumë se një paligjshmëri fiskale

479
Shumëkujt mund t’i ketë ndodhur ose do t’i ndodhë, sidomos gjatë dy-tre viteve të fundit, që t’i bjerë telefoni dhe një zë simpatik femre, që pa u prezantuar fare, as cila është dhe as nga po telefonon, ju bën një ftesë të pazakontë. Zëri misterioz hyn drejt e në temë: Jemi në dijeni të kursimeve tuaja në bankën (thotë emrin e bankës tregtare ku keni llogaritë tuaja apo të familjes tuaj) dhe ju fton t’i investoni në fondin e investimeve (thotë emrin e fondit), përmend edhe disa produkte të tjera, si dhe nuk harron t’ju kujtojë normën e lartë të interesit, disa herë më të lartë se norma e interesit për depozitat bankare. Çfarëdo që të thoni apo të mendoni në këtë çast, nuk mund të fshihni habinë, bezdinë, trullosjen që ju shkakton fakti se të dhënat konfidenciale për kursimet e jetës, mundit e djersës tuaj disponohen nga persona të paautorizuar, ndoshta edhe të rrezikshëm për ju dhe për familjen tuaj. Por mendoj se përveç kërcënimit apo riskut potencial të jetës, problemi është para së gjithash një problem ligjor. Çfarë kuptimi ka që baza e të dhënave, me të dhënat individuale të depozitave apo llogarive të disponohet nga kompani biznesi vendase apo më keq të huaja, pa autorizimin përkatës tuajin ose të prokurorit hetues apo të gjykatës? Përse shteti paguan një numër institucionesh të specializuara në mbrojtjen e të dhënave personale, pjesë e të cilave janë edhe të dhënat bankare? Përse administrata fiskale toleron këto lloj biznesesh, që më shumë se qytetarët shqiptarë, klientë të bankave, po mashtrojnë klientë të bankave në vende të tjera anëtare të BE-se ose jo? 

Të mos harrojmë se ky biznes mashtrues po ndodh kur Banka e Shqipërisë, “duke notuar kundër rrymës” po kufizon përdorimin e Euros në ekonominë tonë kombëtare, ndërsa normat e interesit për depozitat janë afër zeros apo negative. Kjo situatë i nxit depozituesit e painformuar që t’i heqin nga banka (ku gëzojnë garanci shtetërore për shumat deri në 2,6 milionë lekë) dhe t’i investojnë në këto fonde, të cilat në Shqipëri zotërohen nga bankat tregtare apo janë të lidhura me to. Duke i investuar në këto fonde, i gjithë risku bie mbi depozituesit, përgjithësisht mungon transparenca rreth aktivitetit të kompanive që kanë nevojë për likuiditete etj. Nuk po flas për dobësitë e njohura të entit rregullator përkatës dhe kuadrin ligjor të mangët, ekspertizën e pamjaftueshme dhe ndikimet e lobeve të biznesit dhe të oligarkëve në “rregullimin” e tregut në fushën e sigurimeve dhe të institucioneve financiare jobankare. Në rastin e bizneseve mashtruese të “call centers” që japin “këshilla të pa kërkuara” për investimin e kursimeve financiare (pak a shumë si koncesionet e qeverisë ndaj bizneseve që bëjnë “oferta të pa kërkuara”) ka edhe një problem tjetër edhe më të madh. Këto kompani nuk kontrollohen nga tatimet, sepse janë regjistruar për qëllime të tjera, “veprimtarinë” e tyre e kryejnë përmes internetit (nuk dokumentohet kjo veprimtari në mënyrë shkresore si në bizneset e tjera), ndërsa pronaret e tyre në Itali apo në vende të tjera, duke përfshirë edhe ato “off shore” (ngjashmëri e çuditshme me off-shoret e qeverisë në naftë, miniera etj.,) i sigurojnë të ardhurat e veta drejtpërdrejt si zbritje nga “investimet” e viktimave dhe jo nga fitimet e siguruara nga aktiviteti i kompanive që pretendojnë se po promovojnë… Le të shërbejë ky qëndrim si një apel për tatimet, Policinë e Shtetit, por edhe për qeverinë, që ka detyrim kushtetues rregullimin e tregjeve të parregulluara, po aq sa edhe ndëshkimin e paligjshmërive në çfarëdo forme që të shfaqen, duke përfshirë edhe “call centers”, që vetëm “call centers” nuk janë.