Zef Preçi: Kredia kineze, nevojë për studim, analiza dhe transparencë…

695
Fiks, tre muaj më parë (15.12.2014) dhe një natë përpara nisjes në Beograd të Samitit mes Kinës dhe vendeve të Europës Lindore dhe Ballkanit, u nënshkrua marrëveshja e qeverise Shqiptare me Chinese Exim Bank sipas së cilës “kinezët do financojnë “Rrugën e Arbrit”. Të paktën ky ishte lajmi që iu përcoll opinionit publik nga fb i Kryeministrit Rama duke shtuar se ky dokument mundësonte “… hapjen e një kantieri projektesh në Shqipëri me financime kineze. Projekti i parë që do të çelë siparin e një epoke të re bashkëpunimi mes Shqipërisë e Kinës do të jetë Rruga e Arbrit, e cila do të nisë vitin e ardhshëm”, domethënë më 2015-n. Ndërkaq, në rrethet e ekonomistëve dhe analistëve në Tiranë filluan të qarkullojnë edhe barsoletat e para rreth përdorimit të termit “kredi novatore”, një term që pasqyronte entuziazmin e kuptueshëm të Tiranës zyrtare rreth mundësive që mendohej se do të ofroheshin përmes rritjes së pranisë së investimeve kineze në vendin tonë… Dhe tani kjo “kredi novatore” po fillon të shfaqet në thelbin e vet: hua shtetërore kineze për të cilën nevojitet një garanci shtetërore; kushte kreditimi krejt të paqarta sa i takon termave të saj (afati dhe norma e interesit); procedurë prokurimi në kundërshtim me kuadrin ligjor në fuqi; vendim-marrje kolegjiale (pritet që marrëveshja të firmoset nga tre ministra), pa folur për problemet e tjera që shoqërojnë këtë proces siç janë:
1) Përse nuk bëhet publike Studimi i Fizibilitetit për të kuptuar dobinë që do të ketë ekonomia shqiptare nga ky investim? 
2) Cili është ndikimi i kësaj kredie në rritjen e borxhit publik kur dihet se qeveria shqiptare është e angazhuar, që, duke filluar nga ky vit, të fillojë të ulë borxhin publik të vendit?
3) Në ç’mënyrë harmonizohet kjo kredi shtetërore kineze me programin e reformave të ndërmarra nga qeveria shqiptare, me mbështetjen e FMN-së dhe të Bankës Botërore?
4) Çfarë implikimesh të tjera politike dhe gjeostrategjike krijon për vendin tonë një nismë e tillë e qeverisë shqiptare? 
5) Duke njohur analogjinë me fillimin e punimeve në Rrugën e Kombit, sa i takon metodës së prokurimit, në ç’mënyrë qeveria dhe Kuvendi do të mbrojnë interesat e shtetit dhe të qytetarëve shqiptarë?
Vlen të theksohet se studimet e ndryshme në fushën e korrupsionit identifikojnë si “zona të rrezikshme” për korrupsion dhe cenim të interesave publike edhe kontratat koncesionare që ndërmerren pa studime të thelluara fizibiliteti, që shtojnë rreziqet për ekonominë, për shkak të rritjes së borxhit publik, etj.. Ky shqetësim është mjaft evident, duke marrë parasysh se institucionet publike shqiptare nuk kanë përvojën e mjaftueshme në monitorimin e zbatimit të kontratave koncensionare të këtyre përmasave, njerëzit ndërrohen shpesh dhe përgjegjësia është përgjithësisht e paadresuar saktë, ndërhyrjet politike për interesa të momentit, duke përfshirë edhe lobimin në favor të grupeve të ndryshme, në dëm të interesave publike janë evidente, etj.. 
E duke u kthyer tek lajmi mbi projektligjin e qeverisë, rreth marrëveshjes me bankën kineze që pritet të financojë ndërtimin e Rrugës së Arbrit, më e pakta që mund të thuhet është se procesi nuk është transparent dhe dyshimet për një nxitim të panevojshëm janë të mëdha./marrë nga Facebook
Sigal