Zef Preçi: “Kompanitë që nuk e kanë të qartë pronësinë, të mos lejohen në tenderë publikë!”

213

Flet Zef Preçi, drejtor i Qendrës Shqiptare të Kërkimeve Ekonomike

Kompanitë që nuk kanë publikë aksionarët e tyre, të kategorizuara si offshore, nuk duhet të lejohen të marrin pjesë në tenderë publikë. Zef Preçi, drejtor i Qendrës Shqiptare të Kërkimeve Ekonomike, shprehet se Shqipëria duhet të ndjekë praktikën e Bashkimit Evropian. Nisur nga precedenti i fundit me “DH Albania”, ai nënvizon se sot është e nevojshme që të skanohen kontratat më të rëndësishme të 10 viteve të fundit, ku është e përfshirë garancia nga buxheti. Lidhur me rastin e tenderit të Unazës së Re, thekson se është si pasojë e moszbatimit rigoroz të ligjit nga ana e institucioneve dhe jo se kuadri ligjor në vetvete ka boshllëqe. Në tërësi, Preçi e sheh fushën e prokurimeve si problematike, ku numri i madh i tenderëve me negocim pa shpallje paraprake dhe ofertat afër fondit limit, tregojnë për një simbiozë të pushtetit me një numër të kufizuar biznesesh.

Rasti i fundit i tenderit që u fitua nga një kompani që paraqiti dokumente të falsifikuara ka hapur një debat për mundësinë e ndryshimit në ligj. A mendoni se kjo është tërësisht përgjegjësi e hapësirave që lë pa mbuluar ligji, apo ka përgjegjësi edhe në radhën e institucioneve?

-Së pari, duhet të veçojmë çështjet që kanë të bëjnë me kuadrin ligjor dhe ato që kanë të bëjnë me zbatimin e tij. Sa i takon kuadrit ligjor, besoj se Shqipëria ka një kuadër ligjor krejtësisht bashkëkohor dhe nëse do të respektohej siç duhej, ky fenomen nuk do të ndodhte. Përsëritja e një Diveroli shqiptar në një tender me vlerë dhjetëra milionë euro nuk do të ndodhte. Po të analizosh sot këtë kuadër, janë të parashikuara të gjitha, duke nisur nga sigurimi i ofertës që ka formën e një depozite apo garancie të lëshuar nga një bankë ose një shoqëri sigurimi e licencuar nga shteti, për të ushtruar këtë veprimtari apo kërkesat e cilësisë ku autoriteti mund t’ju kërkojë ofertuesve të paraqesin certifikata nga një organ i vlefshëm konformiteti e kështu me radhë, afati dyditor për dorëzimin e ofertës nga data në të cilën është dërguar ftesa te kandidatët. Dua të them që ekziston kuadri ligjor dhe nuk ka asnjë pengesë për t’i verifikuar të gjitha, qoftë punë jashtë, qoftë ato brenda. Nuk mund të hedhësh 30 milionë euro dhe as 30 euro thjesht, se dikush paraqet ca letra, pasi kjo do ta vinte shtetin në pozitë qesharake. Kjo është një taktikë për të zhvendosur vëmendjen në periferi dhe për të fshehur urdhërdhënësin. Sa i takon zbatimit të kuadrit ligjor, evidencat flasin që, sidomos vitet e fundit, një e treta e tenderëve janë zhvilluar pa shpallje publike, pra me negocim të drejtpërdrejtë. Do të thotë që kontaktet e enteve prokuruese, autoriteteve kontraktore me ofertuesit. Pra, ofruesit e mallrave dhe shërbimeve, janë të drejtpërdrejta. Shqetësimi im dhe i shumë të tjerëve është që kemi një bashkëjetesë apo simbiozë të lobeve të biznesit, oligarkisë me vendimmarrjen e për rrjedhojë nuk ka konkurrencë. Fakti që ka shkuar afër 100% përdorimi i fondit limit për procedurat që shpallen është treguesi më i mirë që këtu nuk ka as respektim të natyrës konfidenciale të specifikimeve teknike dhe as vlerësim mbi baza konkurruese. Pra është vrarë dhe cenuar rëndë konkurrenca, bazë mbi të cilën ndërtohet logjika e garës publike. Kjo ka bërë që, nga njëra anë, ofertuesit të kuptojnë që fituesit janë të paracaktuar dhe kanë nisur të mos marrin pjesë, ose të marrin pjesë të ftuar nga ofertuesi kryesor, siç ka ndodhur në rastin e tenderit të Unazës, pra loti 1. Me këtë dua të them që, nëse ka ndonjë problem ligjor, kjo lidhet me mosrespektimin e ligjit, jo me mungesën e kuadrit. Përgjegjësia është tërësisht e organizatave shtetërore. Këtu për mua, rasti është krejt i qartë. Kjo është një aferë e mirëfilltë.

Shqipëria ka një listë kompanish të regjistruara offshore që kanë kontrata të rëndësishme me shtetin shqiptar. A duhen lejuar kompani që nuk e kanë të qartë pronësinë e tyre të bëhen pjesë e prokurimeve publike?

-Lidhur me praninë e kompanive offshore (parajsa fiskale) ky është një problem më vete. Kompanitë offshore në epokën digjitale e kanë humbur betejën. Nëse marrim dokumentet që firmosin bankat, janë disa: Foreing Account Tax Compliance Act – vërtetim për pagesën e taksave; Automatic Exchange of Information – shkëmbimi automatik i informacionit; Common Reporting Standard – standardet e raportimit. Këto dokumente detyrojnë sot çdo kompani që regjistrohet, të sigurojë informacion lidhur me kompanitë offshore. Këto kompani fshehin pronësinë dhe kanë primare konfidencialitetin dhe njëkohësisht nuk kanë numër NIPT-i, për rrjedhojë Shqipëria është ballafaquar këto 15-20 vitet e fundit me kompani që krijohen posaçërisht për të hyrë në tregun shqiptar dhe që vijnë si rezultat i lidhjeve politike, pra negociohet në nivele të larta. Krijohet mekanizmi, i cili është i ligjshëm si mekanizëm, pra nuk i shohim ilegalisht, por në të njëjtë kohë cenojnë interesat publike sepse asete shumë të rëndësishme me fonde të konsiderueshme i transferon jashtë. Duke shfrytëzuar raportet e mbyllura për taksat sa i takon marrëdhënies së kompanive mëmë me bijë, automatikisht bëjnë transfertë pas transferte dhe sot ky problem ka dalë në pah. Ka katër pesë vite që diskutohet në Bashkimin Evropian dhe tani e kanë ndaluar apo kanë ndërprerë praninë e tyre jo në aktivitet, por në marrjen pjesë në prokurime me fonde publike, kjo sepse krijon implikime fiskale. Shqetësimi më i madh në botë për to është se kthehen në burim financimi të terrorizmit dhe burim korrupsioni. Paratë që tërhiqen në këtë mënyrë reduktojnë edhe të ardhurat buxhetore dhe po të shohësh sot përfitimet që hyjnë nga nafta, nga kromi e të tjera në ekonominë tonë kombëtare, e provojnë katërcipërisht që kemi të bëjmë me skema që shfrytëzojnë boshllëqet ligjore dhe aty ku është e mundur, korruptimi i zyrtarëve të lartë dhe sigurojnë fitime të pamerituara apo pasurojnë në mënyrë korruptive një numër zyrtarësh.

A mendoni se ka ardhur koha që të shihet pjesa ligjore lidhur me kompanitë offshore?

-Në rastin e Shqipërisë, u bënë ca tentativa rreth tre vjet më parë por mbetën në kuadrin e deklaratave zyrtare dhe nuk është prodhuar asnjë akt ligjor. Personalisht jam në favor të rishikimit të kuadrit ligjor dhe nuk flas vetëm për rastin e Unazës në Astir, por u takon kompanive offshore në përgjithësi me synim qartësimin e rregullave të lojës, pa i penguar ato të jenë të pranishme në vendin tonë. Por sa i takon sektorit publik duhen penguar që të marrin pjesë, qoftë në prokurime, qoftë edhe në shfrytëzimin e pasurive kombëtare, nafta, kromi, bakri. Sa u takon kompanive ekzistuese ka modele dhe për këtë po përpiqem të jap një kontribut modest, që këto kompani të sillen në respekt të rregullave, në kuptimin që të zbulojnë përpara enteve publike aksionarët, drejtuesit, lidhjet dhe varësitë që kanë me kompanitë bija dhe mëma dhe njëkohësisht të ekspozojnë fitimet e tyre që t’i nënshtrohen regjimit fiskal.

Së pari, mendoj që Shqipëria duhet të analizojë gjerësisht raportet mes kompanive koncesionare që operojnë në tregun shqiptar dhe nënkontraktorëve të tyre, pasi aktualisht në tregun shqiptar nënkontraktorët caktohen politikisht dhe kompanitë, edhe kur s’janë offshore, kushtëzohen nga vendimmarrës politikë për të përzgjedhur në mënyrë të detyrueshme nënkontraktorët vendas.

Së dyti, këta nënkontraktorë bëjnë faturime të mëdha, çka rrit kostot e investimit dhe takson shumat e parave që shkojnë në favor të buxhetit të shtetit. Kjo është ajo që ka ndodhur dhe Shqipëria përfiton gjithmonë e më pak. Në rastin e kompanive që krijohen posaçërisht, pra fantazmë, mjafton të gërmoni jo vetëm këto por edhe PPP të viteve të fundit. Nuk mund të ndodhë në asnjë vend të botës që një kioskë që nuk ka as emër, një bar me tri tavolina dhe një person që shërben aty të fitojnë 200 milionë euro koncesion. Nuk mund të ndodhë që dikush që regjistron një kompani në Holandë, të fitojë 200 milionë euro të tjera, me gjoja menaxhimin e mbetjeve. Nuk mund të shiten kështu copa Shqipërie dhe shpresoj që ato që po ndodhin sot me Reformën në Drejtësi, të vihen në funksion të ndëshkimit të së kaluarës dhe për të parandaluar shkeljet e ligjit në të ardhmen. Themelore për qytetarët shqiptarë mbetet jo thjesht dërgimi i ca njerëzve në burg dhe kjo është e padëshirueshme për këdo, por konfiskimi i pasurisë së vënë në mënyrë të jashtëligjshme dhe shtimi i tyre në buxhet.

Pas situatës me DH Albania nga ana e Ministrisë së Infrastrukturës u tha se janë çuar disa ndryshime në ligjin e prokurimeve, duke bërë verifikimin detyrues për fituesit. Ju si e shihni këtë?

-Rishikimet në kuadrin ligjor janë pjesë e së njëjtës skemë, nuk mendoj se është faji i ligjit, sepse nuk mund të ndodhë që kjo situatë ka ardhur për shkak të pakujdesisë së një notereje apo përkthyeseje. Ashtu siç nuk përmendet tjetra që, dhe në rastin e sekuestrimit të garancisë edhe të tërheqjes së këstit të parë të lëvruar nga një ent shtetëror, kërkohen akte ligjore. S’mund të vendosë titullari i autoritetit kontraktor ia dhashë tenderin dhe ia mora sërish. Kjo kalon përmes gjykatës, sepse ka ndodhur një shkelje e rëndë. Gjej rastin të theksoj që nëse bëhet fjalë për mbrojtjen e interesave publike, është koha që të rritet roli i entit rregullator përkatës dhe të mos shërbejë si mbulim për prokurimet. Po kështu duhet të forcohet edhe roli i Avokatit të Shtetit. Është koha të kuptojmë që çdo lloj kontrate që formon detyrim për shtetasit shqiptarë ndaj palëve të treta apo kontrata që mundësojnë transferimin e parave apo pasurive jashtë, duhet të ketë standardizime, mbikëqyrje dhe mekanizma transparence që e kalojnë përmes Avokatit të Shtetit si institucioni ligjor që bashkërendon interesat e ekonomisë kombëtare. Shoh me vlerë të shtoj se pas këtyre precedentëve të fundit, lind nevoja që të skanohen të gjitha kontratat e 10 viteve të fundit, kontrata të rëndësishme që duhet të shihen rast pas rasti dhe që janë pjesë e garancive që jep buxheti për kontrata që nënshkruhen nga qeveria. Jam i bindur që do shohim surpriza në shumë raste./monitor

Somario

Shqipëria është ballafaquar këto 15-20 vitet e fundit me kompani që krijohen posaçërisht për të hyrë në tregun shqiptar dhe që vijnë si rezultat i lidhjeve politike, pra negociohet në nivele të larta. Krijohet mekanizmi, i cili është i ligjshëm si mekanizëm, por në të njëjtë kohë cenojnë interesat publike, sepse asete shumë të rëndësishme me fonde të konsiderueshme i transferon jashtë