Zef Preçi: Ja shkaqet e zhvlerësimit

1160
Eksperti i ekonomisë, Zef Preçi, ka analizuar edhe shkaqet e rënies së euros. Sipas tij, “shkaqet e zhvlerësimit të euros dhe të dollarit në ekonominë tonë kombëtare duhen parë të lidhura ngushtë me zhvillimet e brendshme, dhe më pak me ato të jashtme për të dyja monedhat në fjalë”. “Kështu, zhvlerësimi i euros lidhet ngushtësisht me ofertën monetare të madhe në treg, me konsumin e dobët të brendshëm, me përpjekjet e Bankës së Shqipërisë për të rivendosur kontrollin e vet mbi qarkullimin monetar, me lëvizjet në tregun paralel të huasë, me niveli mininal të thithjes së parasë nga ekonomia reale, etj. D.m.th. kryesisht me zhvillimet në anën e ofertës së parasë. Siç dihet, të hyrat monetare nga emigracioni (remitancat) janë me monedhën euro dhe me gjithë rritjen modeste, mbeten në nivele të krahasueshme me vitet paraardhëse. Në vend është gjallëruar dukshëm tregu paralel i kredisë nëpërmjet zyrave noteriale, i cili gjithashtu bëhet në monedhën e euros. Edhe shi-blerjet e pasurive të patundshme, në shumicën dërrmuese tyre në mos 100% bëhen në monedhën e euros. Edhe agjencitë imobiliare raportojnë për rritje deri në 20% të çmimeve për njësi sipërfaqeje gjatë dy viteve të fundit”, tha Preçi. Për ish-ministrin, “pavarësisht se vetëm në kanale formale hyjnë në vend më shumë se 900 milionë euro në monedhën euro në formën e remitancave dhe destinohen në më shumë se 1/3 e tyre për të blerë mallra konsumi në tregun e brendshëm; pavarësisht faktit se huatë (borxhet) në tregun paralel të kredisë jepen në monedhën euro dhe llogariten në disa dhjetëra milionë euro të tjera, pavarësisht se shitblerjet e pasurive të patundshme (të rritura dukshëm sipas Bashkisë së Tiranës dhe qeverisë) bëhen në monedhën euro, përsëri këto zhvillime nuk arrijnë të absorbojnë sasinë e madhe të eurove në tregun vendas”. Ndërkaq, sipas tij, dhënia e lejeve të ndërtimit për 10 apo 11 kulla në Tiranë, në të cilat pritet të investohen rreth 300 milionë euro si dhe listimi i një numri veprash publike në kuadrin e programit të ashtuquajtur “Programi 1 miliardë” tregojnë se presionet për të zgjeruar tregun në favor të kësaj oferte monetare të brendshme tashmë janë reale dhe shumë të mëdha. “Në vlerësimin tim, problemi më serioz mbetet origjina nga veprimtaritë e paligjshme e një pjesë të konsiderueshme të këtyre parave dhe mungesa e mbështetjes së bankave të “Programit 1 miliardë” apo investimeve në ndërtimet e biznesit për të cilat janë dhënë lejet e ndërtimit. Ndërkaq, gjendja e shëndetshme e bankave tregtare dhe rritja e qëndrueshme e fitimeve të tyre, në kushtet kur zgjerimi i kreditimit të ekonomisë reale është tejet mininal, tregon se edhe këto të fundit ndodhen nën presionin e kësaj ofertë monetare të brendshme. Mendoj se është koha që të gjitha palët e në radhë të parë qeveria, të kuptojnë se paratë me origjinë kriminale nuk mundet kurrsesi të shërbejnë si burim zhvillimi i ekonomisë sonë kombëtare dhe se çrregullimet që kanë filluar të shfaqen duke filluar me rrënimin e konkurrencës në tregje (p.sh në tregun e pasurive të patundshme, ku çmimet rriten ndërsa kërkesa është minimale) do të thellohen më tej në ditët që vijnë. Ndërkaq, mundësitë e kanalizimit të këtyre parave në investime publike (përndryshe në “zbardhjen” e tyre) dhe më keq akoma në shndërrimin e tyre të menjëhershëm në borxh publik (pra, në shtimin e këtyre parave) përbëjnë një rrezik real dhe me ndikime afatgjatë në ekonominë tonë kombëtare”, thotë Zef Preçi. Sipas tij, kjo është edhe arsyeja kryesore se përse FMN këshilloi së fundi qeverinë edhe publikisht për të hequr dorë nga politika ekonomike që “de facto” legjitimojnë këto burime. “Ndërkaq, vazhdimi i zhvlerësimit të monedhës evropiane tregon se sa të mëdha janë sasitë e parave informale dhe kriminale që qarkullojnë vitet e fundit në ekonominë shqiptare dhe se ende mungojnë politikat ekonomike, fiskale, financiare dhe bankare që mund të futin këtë ekonomi në binarët e formalizimit dhe zhvillimit ekonomik të qëndrueshëm”, deklaroi Zef Preçi.
Sigal