Zef Preçi: Investime strategjike, pa debat dhe pa transparencë

282
Eksperti i ekonomisë dhe ish-ministri Zef Preçi u shpreh kritik me mënyrën e veprimit të qeverisë shqiptare për ndërtimin e aeroportit të Vlorës. “Përherë e më shumë, implikimet ligjore në favor të klientëve të pushtetit vendas dhe të huaj po rëndojnë xhepat e konsumatorëve shqiptarë. Ndërkaq shkeljet e konkurrencës prodhojnë deformime të tregut që nuk ndreqen me patriotizmin fals dhe deklarimet kallp të pashoqëruara me analiza, studime fizibiliteti, etj”, nënvizoi Preçi. Sipas tij, çështja e aeroportit të Vlorës dhe koncesioni i Rinasit meritojnë debat publik e politik. “Heshtja e sotme është kosto në xhepat e shumicës nesër. Ndërsa padija qeveritare ose injoranca profesionale është më shumë papërgjegjshmëri publike e politike dhe tregues i kapjes së shtetit që nuk ka SPAK që e çmonton…”, tha Zef Preçi.