Zef Preçi: Informaliteti, qeveria, biznesi dhe konsumatorët

669
Eksperti i ekonomisë analizon ecurinë e sipërmarrjes dhe efektin e masave të ekzekutivit në fushën e taksave
Është interesante të analizohet dinamika e sektorit informal të ekonomisë në raport me politikat fiskale të qeverise gjatë katër viteve të fundit. Në fakt, qysh në debatet publike përpara zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2013 kur u prezantua ajo që në shtyp u përcoll si ‘taksë e ndershme”, komuniteti i biznesit, në përputhje me madhësinë e fushës së veprimtarisë ekonomike, filloi të moderojë pozicionimin e vet. Kështu, bizneset e mëdha, ndjeheshin “të qeta” në paprekshmërinë e tyre dhe në shfaqjet publike me qeverisjen e majtë që po vinte në pushtet u pozicionuan përgjithësisht lehtësisht në favor të kësaj takse. Ndërkaq një numër i madh biznesesh të mesme u vunë nën presion në kuadër të “aksionit” apo “luftës kundër informalitetit”. Kjo situatë u përsërit edhe në zgjedhjet e vitit të kaluar, me ndryshimin mbështetja pa kushte e biznesit të madh ndaj qeverisë në lidhje me kontratat e premtuara në kuadrin e të ashtuquajturit “Partneritet Publik-Privat”. E reja e këtyre zgjedhjeve që u vlerësua pozitivisht në përgjithësi nga komuniteti i biznesit ishte emërimi i një anëtari të kabinetit qeveritar për t’u marrë ekskluzivisht me problemet e sipërmarrjes në vend. E në këtë pleksje të tre agjentëve kryesorë: qeveria, konsumatorët dhe biznesi gjendet edhe sektori informal i ekonomisë. Të dhënat e revistës “Monitor” dhe “Open Data Albania” provojnë se politika voluntariste të qeverisë me synim zëvendësimin e taksës së sheshtë të zbatuar nga administrata e mëparshme, rritjen e taksës mbi biznesin e vogël dhe të mesëm e mbi të gjitha shtimin e të ardhurave buxhetore, kanë sjellë rezultate kontradikore. Kështu INSTAT raportonte se “gjatë vitit 2016 u regjistruan 31.377 ndërmarrje aktive duke shënuar një rënie me 44,8 % krahasuar me regjistrimet e vitit 2015”. Mirëpo kjo arritje e aksionit kundër informalitetit nuk u shoqërua me shtimin e të ardhurave buxhetore, të cilat gjatë së njëjtës periudhë u realizuan në masën 98%, të llogaritura si raport midis të ardhurave të realizuara dhe atyre të planifikuara. Por gjatë gjithë dekadës së fundit është shfaqur edhe fenomeni i ndryshimit të shifrave të planit në fund të vitit në periudhën kur llogaritet realizimi i pritshëm vjetor i të ardhurave buxhetore, me synim që publikut t’i serviren shifra ne % afër 100 përqindëshit, pak a shumë siç veprohej në periudhën e regjimit komunist me realizimin e planeve pesëvjeçare. Ndërkaq në Maj 2016 shtypi me burim Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve raportoi se, gati gjysma e bizneseve të regjistruara në vend (saktësisht 91 mijë biznese) kishin status pasiv, d m th gjatë 12 muajve të fundit nuk kishin raportuar asnjë transaksion, për rrjedhojë asnjë kontribut te të ardhurat buxhetore. Kjo do të thotë se përveç bizneseve të mbartura formalisht në regjistrat e tatim-taksave, bizneseve të falimentuara nga kriza ekonomike globale si dhe bizneseve që po dilnin nga tregu për shkak të “aksionit” të qeverisë, edhe format e informalitetit po ndryshonin. Të mos harrojmë se viti 2016 do të mbahet mend edhe si “viti i kanabisit”, efektet negative të të cilit në ekonominë dhe në shoqërinë shqiptare do të ndjehen edhe disa dekada me radhë.

Në Qershor të vitit 2017 Monitor raportonte se 1/3 e të punësuarve në sektorin privat ishin informalë (me një ulje numerike me rreth 1/3 kundrejt vitit 2015 kur kjo shifër deklarohej se ishte 48%), ndërsa nuk munguan edhe një numër punonjësish publik për të cilët institucionet nuk kishin paguar detyrimet për sigurimet shoqërore. Ndërkaq një studim i Bankës botërore në fund të vitit 2017 mbi rajonin, konstatonte se barrierat e mëdha rregullatore kanë dëmtuar rritjen e qëndrueshme dhe krijimin e vendeve të punës. Pavarësisht se kaloi pa shumë vëmendje publike dhe në rrethet e analistëve të ekonomisë, është interesant konstatimi i një raporti të FMN-së vetëm pak javë më parë mbi madhësinë e sektorit informal të ekonomisë shqiptare me të dhëna të konsoliduara të këtij institucioni. Kështu në vitin 2015 ekonomia informale në Shqipëri vlerësohej me 26,2%, ndërsa në vitin 2013 ky nivel kishte qenë 25,6%, d m th kishte shënuar rritje dhe sistemi fiskal ishte ndryshuar. Taksat ishin rritur dhe aksionet e qeverisë kundër informalitetit dhe kundër mospagimit të faturave të energjisë elektrike ishin zbatuar në shkallë të gjerë. E tani që faza e tretë e “luftës kundër informalitetit” është në zhvillim e sipër nuk është vështirë të parashikosh rezultatet e saj. Biznesi i çdo lloji, sidomos ai i huaji, ka nevojë për paqe më shumë se për gjithçka dhe aspak nuk ka nevojë për luftë. Ai ka nevojë për “rregulla loje” të thjeshta, të qarta dhe të zbatueshme e që zbatohen në mënyrë të barabartë pavarësisht origjinës së kapitalit dhe mbështetjes politike që gëzon pronari a pronarët e biznesit, ka nevojë për sa më pak ndërhyrje shtetërore dhe për një sistem ligjor funksional, ka nevojë për ndëshkim të rreptë të krimit, sidomos atij të organizuar, pra për rritjen e sigurisë së jetës dhe pronës në vendin tonë. E këto nuk mund të sigurohen me shpikjen e “armiqve të radhës”, as me ushqyerjen e opinionit publik me artikuj propagandistikë të blerë shtrenjtë me paratë e taksapaguesve shqiptarë në masmedian botërore, Ndërsa largimi i më shumë se 330 mijë shqiptarëve nga vendi gjatë 5 viteve të fundit dëshmon se edhe konsumatorët, janë të pakënaqur nga performanca e ekonomisë dhe ata, përveç mundësive të kufizuara për të siguruar mjetet bazë të jetesës në Shqipëri, po humbasin edhe shpresën për rimëkëmbjen e shpejtë të saj.
Sigal