Zef Preci/ A janë të nevojshme hapat e qeverisë për mbikëqyrjen dhe certifikimin e borxheve të pretenduara të biznesit?

751
Sigal

Qeveria shqiptare shpreson të nisë shlyerjen e borxheve të prapambetura ndaj biznesit në tremujorin e dytë të vitit. Top- Channel ka mësuar se, Ministria e Financave pritet që shumë shpejt të bëjë publike strategjinë e pagesave, e cila më pas do të miratohet në Këshillin e Ministrave. Paralelisht, qeveria është duke ngritur edhe strukturat e posaçme që do të mbikëqyrin dhe certifikojnë borxhin e pretenduar nga biznesi. Burime nga Ministria e Financave bëjnë të ditur se në proces do të përfshihet edhe Kontrolli i Lartë i Shtetit. Duke u nisur nga ky lajm analisti i njohur i ekonomisë z. Zef Preçi ka shprehur dyshimin e tij rreth kësaj politike dhe vëren disa probleme, të cilat sipas tij meritojnë vëmendje dhe analizë të hollësishme. Më poshtë po paraqesim të plotë arsyetimin e tij për këtë strategji:

a) Operatorët ekonomikë (firmat vendase dhe të huaja që kanë kryer punime apo ofruar shërbime qeverisë) kanë punuar mbi baza kontraktore dhe sistemi ynë i prokurimit është mjaft i avancuar të paktën në aspektin e legjislacionit që është bashkëkohor si dhe të teknologjisë së përdorur.
b) Për çdo punim ndërtimi, përveç firmës që është kontraktuar e që është në pritje të rimbursimit të shpenzimeve të kryera, ka edhe një individ/firmë supervizioni, detyra e të cilit është saktësisht ajo që mendon të bëjë qeveria nëpërmjet “strukturës së posaçme që do të certifikojë borxhin”. Për më tepër që sipas legjislacionit në fuqi këta individë/firma janë të kontaktuar ligjërisht dhe këto shërbime janë të pagueshme nga shteti njëlloj si punimet e ndërtimit.
c) KLSH është organi më i lartë i kontrollit në vend dhe veçanërisht gjatë 4-5 viteve të fundit ka dhënë rekomandime institucionale të rëndësishme profesionale, të cilat nëse do të zbatoheshin do të çonin në mirëpërdorimin e fondeve publike, në zvogëlimin e korrupsionit dhe në shtimin e dobisë publike të fondeve, huave, pasurive publike dhe në përgjithësi me mirëfunksionimin e shtetit ligjor të së drejtës.
Në vlerësimin tim (duke besuar se shteti respekton kontratat e nënshkruara nga institucionet e tij në përputhje me ligjet në fuqi) shqetësimi real me pagesat e trashëguara nga qeveria e mëparshme lidhet më shumë me radhën e pagesave si dhe me sektorët në të cilët rimbursimi do të kryhet më parë apo në fillim të këtij procesi.
Mbështetur në sa më sipër, çmoj se çfarëdo strukturë që do të mund të ngrihet me argumentin e “mbikëqyrjes dhe certifikimit të borxhit të pretenduar nga biznesi” është e panevojshme, e pambështetur në ligj dhe në “përvojat e mira” të qeverisjes së financave publike, për të mos thënë se kështu krijohet një element i ndërhyrjes haptas nga ana e qeverisë si në detyrat funksionale të institucioneve të tjera shtetërore apo agjencive e dikastereve përbërëse të saj, ashtu edhe në jetën e biznesit përmes strukturave “sui generis” në një kohë që infrastruktura përkatëse institucionale dhe ligjore është krijuar dhe funksionon.
Vlen të theksohet se çfarëdo institucioni tjetër, përveçse kostos shtesë që rëndon buxhetin e shtetit tonë të varfër, do të shërbeje edhe si një burim i madh i korrupsionit me pagesat e vonuara të qeverisë ndaj biznesit. Nuk është sekret se në administratën e mëparshme presioni korruptiv mbi thesarin e shtetit dhe vendimmarrësit për kryerjen e pagesave në fjale ka qenë i madh dhe përqendrimi i vendimmarrjes në këtë fushë që pritet të sjellë struktura e re nuk do të bëjë gjë tjetër veçse do të përqendroje edhe përfitimet korruptive të rastit…
Nëse qeveria mendon të ndihmojë në këtë proces, mendoj se me një vendim të sajin duhet të përcaktojë në mënyrë transparente radhën e pagesave, e cila sipas meje duhet të nisi me sipërmarrjet që kanë numër të madh punëtoresh, që punojnë për eksport, që kanë detyrime të rëndësishme në bankat tregtare, që mendohet se do të rinvestojnë fondet që do të marrin si rimbursim përsëri në ekonominë tonë kombëtare, etj..
Ndërsa përfshirja e KLSH në veprimtarinë e ushtrimit të buxhetit (e tillë është çdo pagesë nga ana e qeverisë, pavarësisht se kur kryhet), mendoj se është e panevojshme. Por “vullneti i mirë” i qeverisë për të bashkëpunuar me KLSH le të “përkthehet” në akte ligjore të saj në zbatim të rekomandimeve të KLSH për përmirësimin e sistemit të prokurimit në tërësi, në lejimin e KLSH për të kontrolluar tatime-taksat dhe doganat, etj.
Në këtë mënyre fillojmë të mësohemi që çdo institucion i shtetit, brenda dhe jashtë qeverisë të marrë përgjegjësitë e veta dhe t’i ushtrojë ato në përputhje me ligjin, siç edhe ka ndodhur deri më tani. Tingëllon jonormale dhe e pakuptimtë që përtej supervizionit apo marrjes në dorëzim të punimeve apo mallrave/shërbimeve nga agjencitë dhe institucionet shtetërore të ngarkuara me ligj të krijohen struktura të tjera, që në vend që ta zgjidhin problemin do ta komplikojnë më tej duke prekur kështu jo vetëm “ndarjen e roleve” ndërmjet tyre, por edhe duke krijuar kryqëzime të panevojshme të funksioneve të tyre si dhe burime të mëdha të korrupsionit me fondet e rimbursimit. Personalisht jam i gatshëm të përfshihem në debatin teknik rreth kësaj çështjeje, nëse vërtet do të kemi një proces transparent të përgatitjes së akteve juridike përkatëse nga ana e qeverisë.