Zef BUSHATI/Ekonomia shqiptare është përpara një nevoje urgjente për reforma të thella

705
Sigal

Gjendja ekonomike e Shqipërisë përmban sot problematika të mprehta që kërkojnë një vlerësim ekspertesh profesionistë, që të mundësohet formatimi i një modeli perëndimor i zhvillimit ekonomik, që ta bëjë ekonominë tonë më të qëndrueshme, më efektive dhe më protektive ndaj efekteve të krizës. Ajo ka nevojë urgjente të mënjanoje sa më parë deformimet ekonomiko financiare e strukturore, e sidomos ta çlirojë atë nga infeksionet e korrupsionit dhe krimit. Është fakt që ekonomia shqiptare përballoi thuajse me sukses dallgën e parë të krizës ekonomike e financiare botërore, duke ruajtur disi parametrat themelore të stabilitetit ekonomik e rritjen ekonomike pozitive. Por rolin kryesor në përballimin e krizës nuk e luajti qeveria, por e luajtën individët, biznesmenët, shoqëritë e mëdha e të mesme të bizneseve. Është një realitet kuptimplote tkurrja e ekonomisë dhe ulja e ndjeshme e ritmit të rritjes. Janë cenuar disa ekuilibra të qenësishëm të saj, të cilat mund të prishin stabilitetin makro-ekonomik. Papunësia reale është në një nivel shumë të lartë dhe po t’i referohemi uljes së ritmeve të zhvillimit, dobësimit të aktivitetit jo vetëm të biznesit të vogël po dhe atij të mesëm dhe të madh, bëhet më e kuptueshme mprehtësia e këtij fenomeni. Paga reale ka pësuar rënie të ndjeshme dhe aftësia blerëse e konsumuese gjithashtu. Varfëria si vëllim dhe si përmbajtje ka prirje të zgjerohet e po kalon nga një varfëri kryesisht rurale në një varfëri edhe urbane. Prirja e falimentimit të bizneseve të vogla e të mesme sa vjen e thellohet frikshëm. Të ardhurat nga tatimet janë ulur vazhdimisht. Shpenzimet dhe investimet publike janë në nivelin më të ulët. Borxhi i vendit ka kaluar mbi 60% të PPB dhe ka pritje të rritet më tej nga pamundësia që ka qeveria për të siguruar të ardhura. Rritja e borxhit dhe ulja e ndjeshme e të ardhurave mund të asfiksojnë ekonominë e ta falimentojnë atë. Krahas këtyre dukurive negative që e kanë burimin te keqqeverisja dhe përhapja e frikshme e korrupsionit, ekonomia po ndjen çdo ditë e më fort presionin e krizës në eurozonë, për faktin se me këto vende bëhen dhe shkëmbimet ekonomike e financiare. Organizmat ndërkombëtare që monitorojnë vendin tonë kanë parashikuar “re të zeza” mbi ekonominë dhe kanë bërë thirrje për reforma të thella strukturore. Kjo situatë komplekse që ka tendencë të përkeqësohet më tej, ka një element tepër të “pafavorshëm” që është fushata elektorale. Për shkak të kësaj fushate Qeveria në fjalimet elektorale priret të shpallë optimizmin dhe sukseset, duke mos evidentuar problemet e mprehta që ekzistojnë, mbasi ato do ta penalizonin qeverinë në këto zgjedhje. Përballë problemeve të mprehta e situatës që përkeqësohet, qëndron një reagim jo efektiv e profesionist, por një optimizëm fals qeveritar, që mbulon apo fsheh problemet e rreziqet e mëdha dhe reale në ditët mbas zgjedhjeve të 23 Qershorit. Ekonomia jonë është tashmë përpara një nevoje tepër urgjente për reforma tepër të thella strukturore, për politika efektive ekonomike e financiare stimuluese të biznesit e prodhimit, është në nevojë për një orientim të plotë e të qartë nga prodhimi. Tani nuk bëhet fjalë për rregullime emergjente e të pjesshme, por për një riformatim e rikonceptim cilësor të modelit ekonomik. Çështja është se ky riformatim nuk mund të jetë pronë e asnjë partie politike sado e madhe qoftë ajo, e aq më tepër nuk mund të reduktohet apo të nënkuptohet me skicimet e kryera në programet elektorale që po bëhen prezente në publik. Ndryshimin nuk mund ta sjellë kurrsesi PD, partia që ka qeverisur 8 vite, por nuk mund ta realizoje as opozita me koncepte të vjetruara. Sot më shumë se kurrë kërkohet një ndryshim konceptual qeverisës, kërkohet dhe një përgjegjshmëri e lartë që të përjashtohet me vendosmëri rënia ekonomike, që të mundësohen reformat e nevojshme.