Zbulohet një grabitje tjetër e milionave në bankën e nivelit të dytë në kryeqytet

237

Grabitja e mbi 100 mijë eurove në një filial të BKT-së në Tiranë është publikuar dje. Janë arrestuar disa punonjës të bankës. Dyshohet për përmasa të mëdha të skandalit. Panik tek kursimtarët

Pas skandalit së thesarit në Bankën Shqiptare, zbulohet një grabitje tjerë spektakolare në banka, këtë radhë në bankat e nivelit të dytë ku ruhen kursimet e qytetarëve. Kjo grabitje nga punonjësit e bankës që thuhet se kap vlerën e qindra mijë eurove u konfirmua zyrtarisht dje dhe nga policia, por ajo nuk detaje konkrete lidhur me emrin e bankës. Burime nga policia që nuk duan të identifikohen thonë se grabitja e radhës ka ndodhur në një filial të BKT me seli në afërsi të Liqenit Artificial në Tiranë. Për koincidentë, kjo grabitje është mësuar pikërisht në momentin, kur pronari turk Çalik, me prezencë të qeveritarëve, shtetarëve të lartë, drejtuesve të Universitetit Shtetëror, dekorohej në Tiranë me “Honoris Cauza”! Grabitja mafioze e radhës, pasuar nga heshtja zyrtare (dhe e policisë) për objektin ku u regjistrua skandali, ka ngjallë panik tek qytetarët, të cilët, në merak për kursimet e tyre, janë dyndur në sportelet e bankave të nivelit të dytë për të mësuar fatin e kacidhe që deri dje mendonin se I kishin në duar të sigurta ruajtje, jo në duar të banditëve me kollare që përvetësojnë miliona në mënyrën më të paskrupullt. Burimet sipërfaqësore zyrtare, japin dhe disa detaje rreth kësaj vjedhje. “Arkëtari i një banke të nivelit të dytë në Tiranë, zhduket pasi i vjedh rreth 100 mijë euro, në lek dhe në valutë nga arka dhe bankomatet ATM. Lidhur me këtë ngjarje të rëndë është arrestuar Brunilda Dura, asistentja e shefes operacionale të filialit bankar, që ndodhet në afërsi të Liqenit Artificial. Ndërsa arkëtari i akuzuar për vjedhjen, Besmir Laja është shpallur në kërkim. Po ka nisur procedimi penal në gjëndje të lirë ndaj drejtorit të degës së bankës, Fezi Zeneli. Laja mësohet se nga aksesi që kishte ka mundur të tërheqë nga numrat e llogarisë së klientëve rreth 7.3 milionë lekë të reja, 32 900 euro dhe 18 080 USD, si dhe 510 mijë lekë nga bankomatet ATM. Laja është favorizuar nga mungesa e inventarizimit të gjendjes së arkës, kasafortës dhe depozitës së bankomateve, për të maskuar vjedhjet e tij për një periudhë të gjatë. Policia ka intensifikuar kërkimet për kapjen e Lajas, pasi nga verifikimi në sistemit e policisë kufitare TIMS nuk rezulton që ai të ketë mundur të largohet jashtë vendit”- shtojnë burimet e mësipërme.

MISTERET E SKANDALIT

Asnjë informacion tjetër nuk është dhënë deri në orët e vona të ditës së djeshme zyrtarisht për bankën ku ka ndodhur vjedhja. Shumë pyetje pa përgjigje, jo vetëm shtojnë mjegullën rreth të vërtetës, por shtojnë më tej panikun dhe tek kursimtarët. Kur ka filluar grabitja në këtë bankë nga vetë nëpunësit e saj? Si u zbulua grabitja? Ku shkonin këto para? A ka persona të tjerë të implikuar në këtë grabitje apo jo? Sa të sigurt janë bankomatet që mund të vidhen kaq lehtë pa u diktuar?. Pse nuk janë kryer rregullisht inventarizimet e arkës, nga padija apo qëllimisht?. A ka raste të tjera të grabitjeve në banka (siç përflitet), e që janë mbuluar? Dhe së fundi: A janë të sigurta kursimet e qytetarëve në këto banka?  Nisur nga deklarimet e Fullanit për grabitjen në Thesar, gjithkush e kupton që grabitjet nuk janë ordinere, akt kriminal i disa personave me kollare, por vjedhje me fije e lidhje direkt e indirekte me struktura e persona në funksione të larta shtetërore.

PASOJAT E GRABITJES

Grabitja e radhës në bankën e nivelit të dytë në kryeqytet, ka alarmuar qytetarët. Tashmë, ata, me merakun për paratë që kanë kursyer e future në banka, kanë shkuar të interesohen për fatin e tyre. “Kam kursyer ca lekë për dasmën e djalit e me të dëgjuar që qenka bërë një vjedhje tjetër në bankë, dje që në mëngjes shkova të interesohem. Po kishte shumë si puna ime në panik. U përpoqën të na qetësonin po kush na qetëson ne. Çfarë po ndodh tek ne, nuk ndodh në asnjë vend të botës, qoftë dhe në Afrikë. Mund të vidhet një bankë dhe në ndonjë vend tjetër, po jo nga vetë punonjësit e saj si tek ne. Ne u besojmë lekët, e ata na vjedhin. Kulmi ky. Po shteti ku është, pse nuk ndjehet. Po duket se shteti i djeshëm dhe ai i sotshëm janë bërë pis në këto skandale. Janë njerëzit e shtetarëve, vëllezër, motra, vajza e djem, të lidhur ngushtë që janë në këto institucione. Unë nuk kam besim se bankat tona janë të sigurta. Të majtë dhe të djathtë, për mua janë njëlloj si Fullani dhe “fullanët”. Ne të varfrit ç’na ka gjetur me këtë qeveri, me këta që na drejtojnë, me këtë racë të babëzitur. Unë për vete, më mirë dhe më i sigurt jam pasi ti tërheq kursimet se këta të babëzitur, marrin lekët tona siç po i marrin dhe zhduken. Shtet nuk ka, drejtësi jo e jo…”,-pohon një 56-vjeçar nga Komuna e Parisit.