Vodafone, e vetmja kompani që ka bërë ofertë për tenderin e internetit të shpejtë

524
Sigal

Kompania celulare ka ofruar 7.4 milionë euro

Vodafone Albania është kompania e vetme që ka paraqitur ofertë, me vlerë 7.4 milionë euro, në tenderin, që synon përmirësimin e cilësisë së internetit. Përdorimi i këtij brezi të frekuencave është në funksion të përmirësimit të cilësisë së ofrimit të shërbimit të komunikimeve elektronike për pajtimtarët si konsumatorë fundorë.  Këto frekuenca do të mundësojnë internet të shpejtë për zonat turistike, rrugët nacionale, urat, tunelet, zonat e largëta, por edhe në zonat ekzistuese ku ka shumë mbipopullim. këto frekuenca do të çojë në rritjen e shpejtësisë së transferimit të të dhënave edhe të internetit. Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare njoftoi se procedura e tenderit u zhvillua për dhënien e 3 të drejtave të përdorimit në brezin e frekuencave 800 MHz (790-862 MHz), ku secila e drejtë përdorimi është bllok i çiftuar 10 MHz. “Sipas dokumenteve të tenderit, procedura u zhvillua me tre raunde, ku çmimi minimal për një të drejtë përdorimi për secilin raund është 7,4 milionë euro. Ofertuesi i paraqitur në këtë tender publik ishte shoqëria Vodafone Albania Sh.a. Bazuar në dokumentet e tenderit, pas verifikimit të dokumentacionit, Komisioni i Vlerësimit të Ofertave, do të paraqesë raportin përmbledhës përpara Këshillit Drejtues të AKEP, për vendimmarrje të mëtejshme. AKEP, ka bindjen se ky proces do t’i hapë rrugën investimeve të operatorëve për përmirësimin e cilësisë së shërbimeve të tyre dhe mundësinë e aksesit në to, për të gjithë përdoruesit e shërbimeve të komunikimeve elektronike.”-thuhet në njoftimin e AKEP.