VKM/ Ndryshon skema e shpërndarjes së parave për ish-të përndjekurit

781
Sigal

Qeveria shqiptare ka vendosur të bëjë disa ndryshime procedurale në skemën e shpërndarjes së fondeve të dëmshpërblimit për ish-të përndjekurit e regjimit komunist. Në një Vendim të Këshillit të Ministrave e të propozuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë që u miratuar ditën e djeshme, Qeveria vendosi që pagesa e secilit këst që i shpërndahet të dënuarve politikë të mos jetë më e lartë se 1 milion lekë. “Në bazë të buxhetit vjetor të vënë në dispozicion, fondi i dëmshpërblimit të ish-të dënuarve politikë nga regjimi komunist ndahet në mënyrë proporcionale për të gjithë përfituesit, me kusht që kësti i dëmshpërblimit të mos jetë më i madh se 1 000 000 (një milion) lekë”-thuhet në VKM. Në këtë mënyrë nëse një ish i dënuar politik përfiton më shumë se 8 milionë lekë, atëherë vlera e përfituar prej tij do të ndahet në 8 këste, e jo menjëherë. Ndërsa në rast se vlera totale e miratuar për të gjithë përfituesit është deri në një milion lekë, shpërndarja e dëmshpërblimit kryhet me një këst të vetëm. Sipas paragrafit të fundit të VKM-së, “Me kryerjen e pagesës së dëmshpërblimit për të gjithë përfituesit, brenda këstit më të ulët fillon pagesa e këstit pasardhës. Ky mekanizëm përsëritet deri në shpërndarjen e plotë të shumës së dëmshpërblimit.”