Vjedhja në BSH, Jens Reinke: Ky është një incident i rëndë

174

Intervistë/ Shefi i ri i FMN-së flet për buxhetin dhe skandalin në Bankën e Shqipërisë…

Përfaqësuesi i ri i Përhershëm i FMN-së në Tiranë, Jens Reinke, në një dalje të tij të parë për mediat në Shqipëri ka folur, lidhur me vizitën që misioni i FMN-së po zhvillon aktualisht në Tiranë, buxhetin e vitit të ardhshëm, ndërkohë që ka folur zyrtarisht lidhur me qëndrimin që mban FMN-ja për skandalin e vjedhjes së 713 milionë lekëve në Bankën e Shqipërisë dhe propozimeve për ndryshime në ligjin e Bankës së Shqipërisë.

 Cili do të jetë qëllimi i misionit të FMN-së që ka mbërritur në Tiranë?

Si pjesë e programit me Shqipërinë, një skuadër e FMN-së viziton periodikisht Tiranën për të shqyrtuar progresin në zbatimin e angazhimeve të marra dhe për të diskutuar politikat e ardhshme. Si pjesë e diskutimeve për të ardhmen, në axhendë janë dhe diskutimet për buxhetin e vitit 2015. Nëse progresi i kohëve të fundit është i përshtatshëm, atëherë marrëveshja për politikat që do të ndiqen në të ardhmen mund të arrihet dhe më pas skuadra e FMN-së do t’i rekomandojë Bordit të FMN-së miratimin e rishikimit të dytë të programit dhe do të lëvrohet transhi i tretë i kredisë së Fondit të Zgjeruar (EFF).

 Qeveria është në fazën e parë të hartimit të buxhetit të vitit 2015. Cilat do të ishin rekomandimet tuaja dhe sa është probabiliteti që të kalohet në skenarin B, të rekomanduar nga ju (që përfshinte rritje të disa taksave dhe shtrenjtim të energjisë)?

Më duket se ka një keqkuptim të vjetër lidhur këtë, por më lejoni të theksoj se nuk ka “plan B”. Zhvillimet fiskale, përfshirë të gjithë zërat e të ardhurave dhe të shpenzimeve si dhe angazhimet për të ardhmen diskutohen gjatë çdo misioni. Politikat janë nën rishikim të vazhdueshëm dhe nëse duhen bërë ndryshime, ato bazohen në faktet më të fundit dhe jo në ndonjë skenar alternativ të hartuar më parë.

Buxheti i 2015 duhet të lejojë një reduktim të vazhdueshëm të borxhit publik, duke i mundësuar qeverisë të investojë dhe të kryejë shërbime, si dhe të sigurojë një fluks të qëndrueshëm të ardhurash. Kjo do të duhet të arrihet pa akumuluar detyrime të prapambetura të reja. Parashikimet për të ardhurat do të bazohen në parashikimet më të fundit makroekonomike. Rregullime si për planet e shpenzimeve ashtu dhe për taksat do të diskutohen. Në fund fare, qeveria vendos të zgjedhë ndërmjet masave.

 Para një muaji, në Bankën e Shqipërisë u zbulua vjedhja e 713 milionë lekëve, duke sjellë një reagim të ashpër, kryesisht nga shoqëria civile, për mbajtjen e përgjegjësisë direkte nga guvernatori. Cili është qëndrimi i FMN-së?

Ky është një incident i rëndë. Ne jemi informuar se Banka e Shqipërisë dhe agjenci të tjera vendase janë duke marrë masa për t’i shkuar deri në fund zbulimit të asaj që ka ndodhur. Është e rëndësishme që të lejohet që hetimet aktuale të bëjnë punën e tyre. Kur faktet të jenë të njohura — dhe gjithnjë nëse ka implikime për Bankën e Shqipërisë, drejtuesit e saj dhe bordin – është çështje e autoriteteve shqiptare që ta trajtojnë në zbatim të plotë të ligjit.

Ligji i Bankës së Shqipërisë i ka shërbyer vendit mirë duke siguruar që BSH të marrë vendime profesionale lidhur me menaxhimin makroekonomik dhe të stabilitetit financiar, përfshirë këtu gjatë periudhës së vështirë të krizës globale të vitit 2008 dhe më vonë kur sistemi bankar ishte i ekspozuar ndaj presioneve të jashtme. Në të njëjtën kohë, veprime që e forcojnë më tej ligjin e bankës qendrore në raport me mandatin e saj kryesor dhe veprimtarinë operacionale, duke ruajtur pavarësinë e bankës qendrore, do të ishin të mirëpritura.

Monitor.al