Vjedhin 26 milionë dollarë, 9 administratorë në pranga

703
Sigal

Vazhdon operacioni i zbulimit të skemës së mashtrimit me TVSH-në në fushën e tregtisë së skrapit

Në vazhdim të operacionit të datës 18.12.2013, ku u ekzekutuan vendimet e gjykatës për 15 të arrestuar, administratorë subjektesh të përfshira në një skemë mashtrimi me TVSH, dy ditë më parë u ekzekutuan vendime të tjera për 5 administratorë subjektesh të përfshira në këtë veprimtari kriminale. Nga hetimet e kryera nga Drejtoria e Hetimit Tatimor në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve në bashkëpunim me Task-Forcën e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, vazhdon operacioni në fushën e mashtrimit me tatimet, duke miratuar vendimet e arrestit me burg në Gjykatë për 9 shtetas të tjerë, administratorë të disa subjekteve, të cilët kanë arritur të përfitojnë në bashkëpunim, një vlerë prej 26 milion dollarësh në dëm të shtetit. Nga hetimet, ka rezultuar, se këto subjekte tregtare kanë regjistruar në QKR dhe në Administratën Tatimore, në mënyre fiktive, persona të ndryshëm pa asnjë lloj aktiviteti tregtar, me qëllim tërheqjen e blloqeve të faturave të TVSH-së, duke kryer më pas blerje fiktive të skrapit dhe duke shmangur pagimin e TVSH-së në vlerën e sipërpërmendur. Në këtë skemë mashtrimi me TVSH-në janë përfshirë një numër i madh subjektesh dhe hetimet kanë zbuluar dhe dokumentuar veprimtarinë kriminale që të pandehurit kryenin duke përfituar nga shitjet fiktive dhe duke bërë të mundur kreditimin e TVSH-së për çdo blerje. Ky hetim është iniciuar nga strukturat e inteligjencës në Drejtorinë e Hetimit Tatimor dhe më pas veprimet procedurale dhe hetimore kanë bërë të mundur dokumentimin e plotë ligjor të kësaj veprimtarie, që shtrihet në Qarqet Tiranë, Durrës, Elbasan, Lezhë, etj. Të arrestuarit, kanë konsumuar plotësisht elemente të veprave penale të mashtrimit të kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 143/3 dhe 25 të Kodit Penal, falsifikimi i vulave, stampave dhe formularëve në bashkëpunim parashikuar nga neni 190/2 dhe 25 i Kodit Penal. Nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë deri në këtë fazë të hetimit është marrë masa e sigurisë arrest në burg në Gjykatën e Shkallës së Parë Tiranë për 24 shtetas. Dy ditë më parë, gjatë natës, me mbështetjen e Policisë së Shtetit u ekzekutuan arrestet për shtetasit:

1.Pashako Hasan Muho (Tiranë) arrest shtëpie

2.Xhelil Daut Toshi (Krujë)

3.Sokol Sulejman Shatko (Tiranë)

4.Roland Agim Simolla (Tiranë)

5. Basnik Sabri Daci ( Elbasan)

Është shpallur kërkimi për 4 të pandehur të tjerë dhe vazhdon puna nga Policia e Shtetit për kapjen e tyre dhe ekzekutimin e arresteve. Hetimet për këtë çështje vazhdojnë dhe ndaj subjekteve të tjera të përfshira në këtë veprimtari kriminale.