VIP-ët që zotërojnë 58 % të depozitave në banka

Depozitat e individëve në sistemin bankar shqiptar arritën në dhjetor 2017 vlerën e 922.9 miliardë lekëve. 57.5 % e kësaj shume (531 miliardë lekë) zotërohen nga 3.7 për qind e individëve, sipas të dhënave zyrtare të Agjencisë së Sigurimit të depozitave. Numri i depozituesve individë në fund të vitit 2017 është 2,479,471, por 92,818 prej tyre zotërojnë më shumë se gjysmën e kursimeve në banka, duke treguar për një nivel të lartë pabarazie në vend. Në raport me një vit më parë, pabarazia është thelluar. Në vitin 2016, 4% e individëve depozitues zotërojnë 45% të totalit të depozitave me një vlerë prej 503 miliardë lekësh, pra në 2017-n është ulur pesha e individëve dhe është rritur e pasurisë. Thellimi i pabarazisë në vend është konfirmuar më herët edhe nga statistikat kombëtare. Sipas të dhënave nga Anketa e Buxhetit të Familjes për vitin 2016, publikuar nga Instituti i Statistikave verifikohet tendenca ku të pasurit janë pasuruar edhe më shumë, kurse të varfrit kanë vijuar në ekstremin tjetër. Sipas kësaj ankete rreth 90% e familjeve shpenzojnë 78.3% të vlerës së konsumit gjithsej, me një mesatare të shpenzimeve për konsum prej 63.609 Lekë në muaj. Nga ana tjetër 10 % e familjeve shpenzon 21,7 % të konsumit gjithsej, me një shpenzim mesatar prej 158.946 Lekë në muaj. Kjo do të thotë se shpenzimet mesatare për konsum të 10 % të Njësisë Ekonomike Familjare me shpenzime më të larta janë 2,5 herë më shumë se ato të 90 % tjetër më të varfër.

Sa janë depozitat e siguruara
Depozituesi në çdo bankë apo në çdo degë të bankës së huaj sigurohet në masën 100 %, por në çdo rast jo më shumë se 2.500.000 (dy milionë e pesëqind mijë) lekë, ndërsa depozituesi në shoqëritë e kursim-kreditit sigurohet në masën 100 për qind, por në çdo rast jo më shumë se 2.000.000 (dy milionë) lekë pavarësisht numrit të depozitave apo llojit të monedhës së tyre, të depozituara në këtë SHKK. Agjencia e Sigurimit të depozitave raporton se vitin e kaluar depozitat e sigurueshme të individëve në lekë në sistemin bankar arritën shumën prej 459 mld lekë duk përfaqësuar 49.7% të depozitave të individëve, ndërsa krahasuar me një vit më parë kanë shënuar një rritje në vlerë me 858 mln lekë. Sipas nivelit të mbulimit ndikim më të madh në rritjen vjetore të depozitave të sigurueshme të individëve e ka dhënë rritja prej 2.8% e depozitave me shuma 101 – 2.5 mln lekë. Këto depozita kanë peshën 42.5% (ndryshimi vjetor i depozitave me shuma mbi nivelin e mbulimit 2.5 mln lekë ishte -0.1%) kundrejt totalit të depozitave të sigurueshme. Numri i depozituesve individë që i mbajnë këto depozita, në fund të vitit 2017 është 2,479,4711. Numri i depozituesve individë që përfitojnë kompensim në sistemin bankar, gjatë periudhës 15 vjeçare të aktivitetit të skemës së sigurimit të depozitave, është rritur 6.2 herë (nga 400 mijë depozitues në fillim të vitit 2003, në 2,479,471 në dhjetor 2017). ASD sqaron ndër depozituesit individë me depozita më të mëdha se 100 lekë, 94% prej tyre ose 1,469,059 depozitues, i kanë depozitat deri në nivelin e mbulimit dhe përfitojnë mbulim të plotë nga skema e sigurimit të depozitave. Depozitat e sigurureshme më të mëdha se 2.5 mln lekë u ulën me 765 mln lekë ose 0.1% krahasuar me një vit më parë, dhe në fund të dhjetorit 2017 arritën vlerën 531mld lekë. Këto depozita u përkasin 92,818 depozituesve. Krahasuar me fundin e vitit 2003, që ishte viti i parë i plotë i aktivitetit të skemës së sigurimit të depozitave në Shqipëri, vlera e depozitave të sigurueshme të individëve në sistemin bankar është rritur 3.3 herë, në termat nominalë.