Vendorët mbledhin 12.5 mld lekë – “Ngec” formula e re e taksës së pasurisë, vjelje e dobët

737
Sigal

Rreth 12.5 miliardë lekë janë mbledhur nga pushteti vendor gjatë periudhës Janar-Korrik 2018, apo rreth 67 për qind e planit vjetor, çka tregon performancë pozitive në këtë drejtim. Referuar treguesve fiskale të konsoliduar të publikuara nga Ministria e Financave për 7 mujorin e vitit 2018, të ardhurat nga biznesi i vogël kanë rezultuar me perfomancë pozitive me një realizim prej 91 për qind, ku janë arkëtuar në total 275 milion lekë dhe kanë mbetur vetëm 27 milionë lekë për tu mbledhur në muajt e mbetur të vitit. Ndërsa, kontributi më i madh në këtë drejtim është dhënë nga vjelja e taksave lokale, ku nga 10.3 miliardë lekë që është plani vjetor janë mbledhur rreth 8.8 miliardë lekë. Ndërsa negativisht në të ardhura ka ndikuar taksa e pasurisë. Ndërkohë që nga 1 Prilli ka hyrë në fuqi metodologjia e re për mbledhjen e taksës së pasurisë, pushteti vendor nuk ka arritur të mbledhë as gjysmën e vlerës së parashikuar. Të dhënat tregojnë se vjelja e taksës mbi pasurinë është realizuar në masën vetëm 43 për qind në raport me planin vjetor. Kështu në total janë mbledhur vetëm 3.5 miliardë lekë, nga 8.1 miliardë që është plani. Duket se vendorët e kanë lënë pjesën më të madhe të të ardhurave që ta vjelin në pjesën e mbetur të vitit dhe të dhënat tregojnë që formula e re nuk po funksionon siç duhet dhe aplikimi i saj është shtyrë për në Janar 2019. Ndërkohë që të ardhurat pritet të rriten për shkak të metodologjisë së re, ku rritet ndjeshëm detyrimi i qytetarëve dhe bizneseve për të paguar.