Vendimi, çmonopolizohet grumbullimi i duhanit vendas

840
Sigal

Autoriteti i Konkurrencës ka kërkuar që të merren masa për hapjen e tregut të grumbullimit të duhanit të prodhuar në vend me qëllim nxitjen e konkurrencës efektive në treg, pas një hetimi të thelluar që zhvilloi në tregun e prodhimit, grumbullimit, përpunimit dhe eksportit të duhanit në vendin tonë.

Konkurrenca vendosi që tregu të asistohet nga specialistët e Ministrisë së Bujqësisë gjatë procesit të kategorizimit të duhanit sipas cilësisë dhe vendosjes së çmimet përkatëse të përcaktuara në kontratat midis palëve gjatë grumbullimit në stacionet e caktuara nga ndërmarrja.

Gjithashtu do të monitorohet realizimi i pagesave nga ana e ndërmarrjes ‘Mika Korça’ brenda afateve të parashikuara në kontratën e lidhur nga kjo ndërmarrje me fermerët.

Një ndër problematikat e evidentuara nga ana e prodhuesve të duhanit në zonën e Belshit, referuar pyetësorit të realizuar nga ana e inspektorëve është mënyra e përcaktimit të kategorisë/cilësisë së duhanit të prodhuar në pikat e grumbullimit.

Fermerët deklarojnë se punonjësit e firmës grumbulluese e kategorizojnë duhanin e në kategori më të ulëta se sa është realisht, kategorizim i cili sjell edhe një çmim më të ulët dhe të ardhura më të ulëta.

Fermerët kërkojnë që të ketë hapje të tregut të grumbullimit nëpërmjet licencimit të firmave të tjera në grumbullim si dhe të kontrollit të cilësive nga ana e instituteve të duhan cigares në vend duke zbatuar standardet shtetërore shqiptare.

Komisioni i Konkurrencës, nisur nga këto shqetësime nisi hetimin paraprak në tregun e prodhimit, grumbullimit, përpunimit dhe eksportit të duhanit, ngriti grupin e punës përgjegjës për ndjekjen procedurave të këtij hetimi.

Duhani i prodhuar është duhan oriental me emër tregtar “Izmir” i cili është klasifikuar në 4 kategori të cilat kanë cilësi dhe çmime të ndryshme sipas parashikimeve në kontratën mes fermerëve dhe shoqërisë “Mika Korça” të cilat bashkëpunojnë që nga mbjellja deri në dorëzimin e produktit. Kontratat parashikojnë llojin e duhanit që do të mbillet dhe kushtet e tjera të procesit të mbledhjes, ambalazhimit, tharjes, etj. Në këto kontrata gjatë periudhës hetimore parashikohet që nga ana e fermerëve në Shqipëri të mbillet duhan oriental, për të cilin kjo ndërmarrje ka siguruar edhe teknologjinë e nevojshme për procesin e grumbullimpërpunimit.

Ndërmarrja nën hetim MIKA KORCA Sh.a, është në pozicionin e blerëses së vetme (monopsonist) që operon nëpërmjet kontratave paraprake me fermerët për porositjen e mallit. Ndërmarrja e cila lidh kontratën me fermerët për kategorinë përkatëse të duhanit, i siguron këtyre të fundit edhe farën dhe materiale të tjera për procesin e mbjelljes dhe përpunimit të duhanit. Njëkohësisht në kontratën e lidhur midis ndërmarrjes MIKA KORCA Sh.a dhe fermerëve, përcaktohen edhe detyrimet për të blerë duhanin e prodhuar nga ana e fermerit dhe detyrimin për pagesën e këtij prodhimi brenda një afati 60 ditor nga ana e firmës.

Firma porositëse e mallit, MIKA KORCA Sh.a është e detyruar gjithashtu bazuar në kontratën e lidhur me fermerët të demonstrojë paraprakisht monstrat sipas cilësive të duhanit në çdo stacion grumbullimi dhe të bëjë vlerësimin e prodhimit të fermerëve mbi bazën e këtyre mostrave. Referuar kontratës së lidhur midis palëve përcaktohen katër cilësi të ndryshme të duhanit, bazuar në karakteristikat përkatëse për duhanin oriental.

Bazuar në të dhënat e mbledhura në të gjitha zonat ku prodhohet duhan në Shqipëri rezulton se ndërmarrja kryesore që kryen aktivitetin e grumbullim-përpunimit në vend është “Mika Korça” Sha. Në tregun e grumbullimit dhe përpunimit të duhanit gjatë vitit 2016 janë konstatuar edhe disa ndërmarrje të tjera me aktivitet të kufizuar krahasuar me MIKA KORÇA Sh.a. Hyrja e operatorëve të rinj në tregun e grumbullimit dhe përpunimit të duhanit në vend është njoftuar edhe nga ana e Ministrisë së Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave.

Si konkluzion themi se shoqëria “Mika Korça” Sh.a, që operon në tregun e prodhimit, grumbullimit, përpunimit dhe eksportit të duhanit ”, bazuar në nenin 8 të Ligjit 9121, datë 28.07.2013 “Për mbrojtjen e konkurrencës”, (i ndryshuar), ka pozitë dominuese (monopsoniste) në tregun e grumbullimit dhe eksportit të duhanit.

Grumbullimi i duhanit në vend realizohet në periudha të caktuara të vitit nga ana e ndërmarrjes “MIKA KORCA” SH.A, të cilat për periudhën objekt hetimi korrespondojnë me tremujorin e parë të vitit 2016.

Nga analizimi i të dhënave të administruara ku janë përcaktuar të gjitha blerjet e duhanit nga kompania MIKA – KORCA SHA, për periudhën janar – mars 2016, sipas sasisë dhe kategorisë përkatëse, në secilën zonë, vërehet se çmimet e duhanit variojnë nga ( 85 – 415 ) lekë për kg. Edhe në formularët e paravlerësimit të cilësisë së duhanit, të cilat gjenden në çdo pikë grumbullimi, janë përcaktuar çmimet e blerjes së produktit referuar cilësisë, të cilat variojnë nga ( 100 – 525 ) lekë.

Nga shqyrtimi i çmimeve të blerjes dhe çmimeve të përcaktuara paraprakisht në formularë nuk vërehet ndonjë diferencë e madhe e cila mund të përbëjë ndonjë abuzim të mundshëm të firmës me prodhuesit.

Ndërmarrja MIKA KORCA SHA, përdor Standardin Shtetëror S:SH:STAZH-1421-88, i cili përcakton kërkesat cilësore të duhanit që dorëzohet nga fermerët, ku janë të përcaktuara cilësitë, që nda vjelja e duhanit, ndarja sipas cilësisë e deri te përpunimi, duke e bërë vlerësimin e çmimit nga ndërmarrja MIKA të thjeshtë dhe me pak abuzues.

Nga të dhënat shihet se çmimet e duhanit të grumbulluar e të shitur në vend ndryshojnë sipas rretheve. Nga sa vërehet edhe çmimet për të njëjtën zonë janë të ndryshueshme. Kështu, çmimi i shitjes së duhanit në Berat rezulton më i lartë se ai në Elbasan. Çmimet e të njëjtës kategori janë të ndryshueshme, brenda të njëjtës zonë, pasi përcaktimi i çmimit bëhet sipas cilësisë së produktit, lagështisë etj, të cilat janë përcaktuar paraprakisht edhe në kontratat e lidhura me fermerët.

Kontratat për prodhimin dhe blerjen e duhanit biologjik të papërpunuar, të lidhura mes fermerëve dhe ndërmarrjes MIKA KORCA SHA, përcaktojnë qartë sasinë të cilën fermeri duhet të prodhojë sipas cilësisë së përcaktuar. Për sa i përket pagesave të duhanit të grumbulluar, në nenin 3, përcaktohet se : “Duhani i grumbulluar duhet të paguhet brenda 60 ditëve nga data e marrë”. Gjithashtu në këtë kontratë janë përcaktuar qartë edhe çmimet sipas gradave ( cilësisë) dhe kategorisë së duhanit, të cilat variojnë nga ( 120 – 700 ) lekë për kg.

Me anë të shkresës të datës 21 korrik 2016 subjekti MIKA KORÇA Sh.a ka vënë në dispozicion kontratën e shitjes (eksportit) të duhanit për vitin 2016. Në këtë kontratë në pikën 1, specifikohen edhe mallrat dhe çmimet përkatëse. Për sa i përket produktit duhan Katerin nga 1 euro/kg-3.40 euro/Kg.

Nga krahasimi i çmimeve, konstatohet se çmimet mesatare të cilat operojnë dy ndërmarrjet në transaksione me njëra-tjetrën dhe çmimi mesatar që del nga të dhënat e shitjes në treg nga fermerët në europë janë në nivele të përafërta.

Çmimet me të cilat ndërmarrja “MIKA KORCA”, Sh.a blen në tregun shqiptar duhanin nga fermerët janë të ulëta krahasuar me mestaren e çmimit të tregut që shesin fermerët në vendet e BE-së. Kjo situatë sipas përfaqësuesve të ndërmarrjes “MIKA KORCA”, Sh.a vjen për shkak të cilësisë së ulët të duhanit.

Përsa i përket çmimeve të eksportit, vërehet se janë të njëjta me ato të përcaktuara edhe në kontratën e eksportimit. Në këtë kontratë, përcaktohet se vlera e mallit do të paguhet me pjesë nga kompania, duke e realizuar 100% të vlerës së mallit jo më vonë se data 30/11/2016. Kjo pikë e kontratës, mund të ketë sjellë edhe vonesat në likuidimin e fermerëve, si dhe vështirësitë financiare të ndërmarrjes “MIKA KORCA” Sh.a. Nga të dhënat e marra gjatë inspektimeve rezulton se ka nisur procesi i pagesës së fermerëve për duhanin e grumbulluar nga ndërmarrja “MIKA KORCA”, Sh.a.

Kompania Mika Korça ka informuar Ministrinë e Bujqësisë nëpërmjet Agjencisë Kombëtare të Duhan Cigareve se, me 22 Korrik 2016, do të bëjë lajmërimet dhe ditën e hënë 25 Korrik 2016, do të fillojë shlyerjen e detyrimeve ndaj fermerëve.

Ministria e Bujqësisë siguron se kjo situatë nuk do të ndodhë më në të ardhmen, pasi tashmë janë shtuar operatorët grumbullues duke zbehur pozicionin dominant të ndërmarrjes “Mika Korça”, dhe në ndryshimet ligjore që pritet të miratohen në Parlament, janë të sanksionuara mirë marrëdhëniet e fermerit me grumbullues-përpunuesit.

Pas vlerësimit të gjithë dokumentacionit të administruar gjatë procedurave të inspektimit të realizuara dhe nga analiza e sjelljes së ndërmarrjes me pozitë dominuese, që ushtrojnë veprimtari në tregun prodhimit, grumbullimit, përpunimit dhe eksportit të duhanit, rezulton se nuk janë gjetur shenja të abuzimit me pozitën dominuesë sipas parashikimeve të nenit 9 të ligjit Nr. 9121, datë 28.07.2003 “Për Mbrojtjen e Konkurrencës“ ( i ndryshuar ).

Struktura monopol e tregut të grumbullimit të duhanit në vend dhe shqetësimet e evidentuara gjatë procedurës hetimore kërkojnë rritjen e konkurrencës në tregun përkatës nëpërmjet hapjes së tregut, si dhe rritjen e fuqisë kundërvepruese të fermerëve nëpërmjet vetë organizimit.