Vendimi, çmimi i ujit rritet me 44 %

1256
Enti Rregullator pranon kërkesën e Bashkisë së Tiranës. Sa do të rëndohen faturat mujore dhe fitimet që siguron ujësjellësi 
Enti Rregullator i Sektorit të Furnizimit me Ujë miratoi tarifat e reja për Bashkinë e Tiranës, sipas të cilave çmimi i ujit për konsumatorët është rritur me 44 %. Sipas tabelave të vendimit, familjarët që jetojnë në Tiranë do të paguajnë 65 lekë/m3; institucionet publike do paguajnë 140 lekë/m3, ndërsa ato privatë 155 lekë/m3. Gjithashtu, Enti ka miratuar edhe tarifat për largimin edhe përpunimin e ujërave të ndotura. Sipas vendimit, pagesa rregullatore vjetore për shoqërinë Ujësjellës Kanalizime Tiranë sh.a do të jetë 0.6 % e të ardhurave vjetore të parashikuara nga aktiviteti

Në mes të këtij viti, Ujësjellës Kanalizime Tiranë aplikoi pranë Entit Rregullator të Ujit për një rritje të çmimit të ujit, duke e argumentuar këtë me paratë që do t’i duheshin për të zbatuar një plan ambicioz investimesh. Në korrik kjo kërkesë kaloi edhe në Këshillin Bashkiak të Tiranës, i cili miratoi rritjen e çmimit të ujit në kryeqytet me 20 lekë për m3 duke e çuar nga 45 lekë në 65 lekë/m3 për familjet dhe nga 135 lekë/m3 në 190 lekë/m3 për bizneset. Kjo rritje sipas Bashkisë së Tiranës, e cila ka edhe kompetenca të plota mbi ndërmarrjen Ujësjellës-Kanalizime, bëhet për të kryer investime në rrjet që në 5 vitet e ardhshme do të garantojnë furnizimin 24 orë me ujë të kryeqytetit. UKT nga ana tjetër ka regjistruar një ecuri pozitive tek bilanci financiar i vitit 2016 kur siguroi një fitim 5 milionë euro.

Në këtë mënyrë, prej 1 janarit 2018 qytetarët e Tiranës do të paguajnë më shtrenjtë për ujin që konsumojnë, pavarësisht se cilësia e tij lë shumë për të dëshiruar. Konsumatorët familjarë ankohen se uji nuk është i pijshëm dhe për rrjedhojë, ata janë të detyruar të shpenzojnë veçmas edhe për ujin e pijshëm, duke e blerë atë. 


Sigal