Varfëria nuk luftohet me emocione të shtirura politike

963
Arben Ahmetaj 
Ministër i Financave dhe Ekonomisë 

Reformat dhe punësimi janë çelësi i suksesit në luftën kundër varfërisë. Përfituesit e ndihmës ekonomike përfitojnë formim profesional falas dhe gjysmën e pagesës së papunësisë. E vërteta është që jemi larg asaj që duam të jemi me ndërmjetësimin dhe me përputhjen e nevojave dhe aftësive që afron tregu në të dy krahët e vet, por fokusi në vitin 2018 është pa ta kthyer Shërbimin Kombëtar të Punës në një mision, jo thjesht në një zyrë, jo thjesht në një ndërmjetësim, por, siç e kemi thënë, siç po e shkruajmë në misionin e vet, një zyrë, një shërbim, një mision, që i jep jetë dhe dritë një familjeje duke i afruar një punë. Ajo që unë dua të ndaj me sipërmarrësit ka të bëjë me dy elemente thelbësorë. Së pari, strategjia jonë e re që ka deklaruar Kryeministri për punësim, dhe këtu përfshihet edhe pjesa e punësimit brenda Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, dhe së dyti, trajtimi i rasteve të individëve dhe familjeve që janë pjesë e skemës së ndihmës ekonomike dhe që do të duhet të integrohen në punë. Këtu dua të ndaloj në një politikë të vazhdueshme të Kryeministrit dhe qeverisë, ajo që ne i referohemi si “Politika e solidaritetit ndaj grupeve në nevojë” dhe nuk është një politikë Ad-Hoc, e cila referohet vetëm në fund të vitit ku paketat e solidaritetit janë vetëm një shprehje e vëmendjes së vazhdueshme të qeverisë Rama 1 dhe Rama 2 ndaj këtyre grupeve, por e gjithë politika e punësimit, e gjithë politika e aftësimit profesional, shkon në finale drejt reduktimit të varfërisë. Është e rëndësishme të themi disa gjëra në lidhje me betejën kundër varfërisë. Ndihma ekonomike nuk është një instrument që jep jetë. Ndihma ekonomike është një instrument mbështetje në një moment nevoje dhe një instrument nëpërmjet të cilit, së bashku me aftësimin për punë, ta nxjerrin nga ajo ndihmë. Ndihma ekonomike nuk duhet dhe nuk është një gjendje e përjetshme e një familje, është një moment tranzitor, patjetër fatkeq në një familje, dhe detyra e qeverisë, detyra jonë, është që jo thjesht të mburremi i dhamë 2, i dhamë 3, sado që i kemi dhënë, ne po i japim dyfishin. Qeveria Rama po i jep dyfishin krahasuar me vite më parë. Ne do të duhet modestisht të fokusohemi tek nxjerrja e familjeve nga varfëria dhe vetëm vendet e reja të punës në këto katër vite janë dritë në shumë familje shqiptare, janë gati 38-39 për qind e totalit të vendeve të reja të punës në 27 vite, që janë krijuara në këto katër vite. Nuk janë mjaft, prandaj ajo strategji që Kryeministri ka deklaruar në luftë kundër varfërisë shkon pikërisht në zemër të fenomenit. Varfëria nuk luftohet me shtirje publike, emocione të shtirura politike. Varfëria luftohet me reforma dhe reformat që ka nisur qeveria Rama 1 dhe po i vazhdon qeveria Rama 2 shkojnë në themel të luftës kundër varfërisë.
Sigal