Vangjush Saro: Përtej rënies ekonomike

806
Para disa vitesh, kam shkruar për një vizitë zyrtare (sipas meje) krejt e panevojshme në Amerikën e Jugut (Argjentinë, Brazil). Protagonisti i saj ishte Paskal Milo, atëherë Ministër i Punëve të Jashtme; u shoqërua nga një delegacion biznesmenësh shqiptarë. Patjetër që ishte një dështim, po t’iu hedhësh një sy statistikave e të shikosh zero përqindjet e shkëmbimeve ekonomike me këto vende të largëta. Shëtitje kështu “pa bereqet”, ka shumë edhe në karrierën e Fatos Nanos e Sali Berishës. Kjo fanfarë është përsëritur në një sërë vizita të tjera të “personaliteteve” shqiptare – e vura në thonjëza, siç e vë edhe në diskutim nëse janë të tillë –të të gjitha qeverive; duke përfshirë edhe këto inkursione te fundit në Azi të Kryeministrit të tanishëm. Po fundja, çfarë i kanë sjellë ekonomisë shqiptare gjithë këto ravgime lart e poshtë?

Është e padrejtë të mendosh në mënyrë sektare e të mohosh nevojën e bashkëpunimit e të marrëdhënieve ekonomike me botën. Por ja që nuk jemi kaq të bindur, kaq tolerantë, kur vjen fjala për udhëtimet, deklaratat, shpenzimet, përkëdheljet lart e poshtë të qeveritarëve të një vendi të varfër, që sillen si të ishin në mallin e babait. Na bënte Kuvendi Popullor një revistë të shtrenjtë dhe në treçerekun e fotove, në mos më tepër, na ishte kryetarja; që gjithashtu u bë e njohur (pothuaj vetëm) për udhëtimet dhe shpenzimet marramendëse. Opozita bën sikur i harron ato teprime dhe shumë të tjera. (Është edhe më keq që i harron pozita). Megjithatë, cila është gjendja e ekonomisë shqiptare sot, le të themi edhe me gjithë zellin shëtitës (në kohëra) të zotërinjve zyrtarë?
Ekspertët e njohur për gjendjen e ekonomisë
Po citoj një herë ekspertët vendas; ndër më të zotët. Ekonomisti i njohur ArbenMalaj, tani profesor në Universitetin e Tiranës: “Ekonomia është pothuaj në stanjacion, të ardhurat kanë rënë, po ashtu ranë investimet vendase e të huaja, ndërsa borxhi dhe deficiti u thelluan”. Drejtuesi i Qendrës për Kërkime Ekonomike, Zef Preçi: “Ekonomia shqiptare është thuajse në të njëjtin prag stanjacioni si 2-3 vjet më parë dhe masat e qeverisë së re nuk dhanë rezultatet e premtuara”. Koço Broka, ekspert, pedagog: “Bien të ardhurat buxhetore. Gjatë muajit tetor 2015, të ardhurat buxhetore rezultuan 903 milionë lekë më pak se sa ato në të njëjtin muaj të vitit të kaluar. Ndërsa për dymujorin shtator-tetor 2015, ato rezultuan 708 milionë lekë më pak se sa të ardhurat e vitit të kaluar për të njëjtën periudhë. Pra, as rritja e taksave, as aksionet ndaj informalitetit nuk rezultuan në rritje të të ardhurave, por në rënie të tyre”. Ekonomisti i njohur shton gjithashtu: “Dështimi i aksionit kundër informalitetit, nuk duhet të tërheqë aspak vëmendjen nga formalizimi i ekonomisë, pa të cilin nuk mund të ketë konkurrencë e zhvillim. Me sa duket, ajo që kërkohet është rishikimi i metodave që ndiqen në luftën kundër informalitetit. Për çdo shofer është e qartë se sa më e fortë të jetë kthesa, aq me tepër ulet shpejtësia. Në se shtohet shpejtësia, batimi është i pashmangshëm. Kështu ndodhi dhe me fiskun dhe organet tatimore”.

Durim.Tani po i hedh një sy edhe një burimi të huaj, të cilit gjithnjë i jam referuar, ngase është serioz dhe i paanë; është fjala për InstitutinVienez për Studime Ekonomike Ndërkombëtare. Sipas të dhënave të tij, duke përjashtuar një rritje të lehtë të Prodhimit të Brendshëm Bruto, treguesit e tjerë, janë problematikë. Investimet e huaja në rënie.Papunësia në rritje: 15.9% në vitin 2013, 17.5% në vitin 2014 dhe asnjë perspektivë përmirësimi më tej. Por ja që është më e lehtë për qeveritë dhe kryeministrat shqiptarë të mburren e të mashtrojnë, ndërsa thyejnë hundët, edhe pse në një rendje ekstreme. Përveç sa u tha më lart, mjaft të kujtojmë tani, sot, edhe marrëzinë e rritjes së taksës për shitjen e pronës në 15% (nga 10% që ishte në pushtetin e mëparshëm, një gjë e ngjashme, në mos më keq). Pra, një njeri me të ardhura modeste, kur të shesë, ta zëmë, atë gjënë më të shtrenjtë e të vetme të tij, shtëpinë, 15% të vlerës duhet t’ia japë shtetit. Shtetit që ta shpif. Me sinqeritet, vendet e zhvilluara e kanë disa herë më të ulët këtë taksë, ndërkohë që dinë t’iu përgjigjen në shumë aspekte qytetarëve të tyre. Atëherë?

Çfarë duhet bërë?
Ja kështu, miq me pikëpyetjet… Po me të vërtetë, çfarë ndodh me këtë vend dhe pse konsumojmë kaq shumë fjalë e “këshilla” dhe nuk gjejmë, rrallë herë ndoshta, ndonjë pamje për të cilën të themi disa fjalë të mira? Janë dhënë dhe mund të jepen shumë shpjegime për këtë. (Drejtim i ngutur. Politikë e njollosur. Trashëgimi me borxhe dhe me llafe. Shkallë qytetarie që lë për të dëshiruar). Por një prej këtyre shpjegimeve, që unë e kam formuluar disa herë, mbase është si më poshtë. Shqipëria nuk duhet të drejtohet më nga demagogë, autoritaristë, njerëz që mbi gjithçka vënë vullnetin e tyre të sëmurë, pse jo edhe përfitimet politike e materiale. Ka ardhur koha që vendi të drejtohet nga njerëz modestë, profesionistë, teknikë i quaj unë, që të dinë të flasin dhe të veprojnë në mënyrë rigoroze, duke kuptuar si zhvillohet ekonomia brenda vendit, si nxiten realisht prodhuesit e vegjël, si krijohen vende pune, çfarë e shkarkon njeriun nga streset dhe çfarë e inspiron atë të punojë e të fitojë dhe të mos e ketë mendjen te ideologjia e te partia, kështu pra dhe më tej… Ka ardhur koha që vetë qytetarët të mendojnë më shumë për jetën e tyre, sot dhe në perspektivë, të zgjedhin në “timon” ata që mund tëdrejtojnë pa bujë, por në mënyrë efektive, ata që mund të sakrifikojnë, ata që mund të jetojnë vetëm me rrogën (e majme) të shtetit, pa i hedhur sytë andej e këtej, aq sa njerëzit iu dinëpastaj dhëmbë e dhëmballë, vila, shtëpi, pasuri, makina të shtrenjta, dalldisje festash të papranueshme për gjendjen që përjeton vendi, të gjitha tësajuara me vjedhje dhe abuzime.

Por… jemi të detyruar të ikim nga teknikët dhe të shkojmë prapë te partitë. Ky sistem, në të cilin jeton sot vendi, njeh politikën si zot të zhvillimeve. Në politikë, konkretisht në partitë shqiptare nuk ka jetë, nuk ka thjeshtësi, nuk ka drejtësi, nuk ka zgjedhje të rregullta dhe respektim vullnetesh tëanëtarëve. Atje ka vetëm autoritarizëm (Edi Rama); deux ex makina, pra emërim pa merita (Lulëzim Basha).Etj. Po ashtu, në partitë politike ka emra me përgjegjësi që koha duhej t’i kishte lënë pas prej qyshkur. Atëherë? E para, për sa kohë mbyllet ky mandat, të kërkojmë e të flasim ende, edhe të protestojmë; por pa bërë marrëzira që mund të na kushtonin edhe më shtrenjt. Më tej e ndërkaq, duhet t’iu drejtohemi njerëzve të thjeshtë, qytetarëve, por sidomos intelektualëve e mediave, të zgjohen, të kuptojnë rëndësinë e rolit të tyre politik dhe civil, nevojën për të flakur tej prapambetjen dhe provincializmin e trashëguar, kapadaillëkun që nuk shkon fare me gjendjen e keqe ekonomike dhe sociale të vendit, më në fund më shumëndërgjegjësim për t’u bërë Perëndim; në sjellje, në kërkesa, në përditshmëri. Kur flasim për Perëndim, nuk themi se këtej është Parajsa, por gjithsesi disa rregulla e parime e pika mbi ‘i’ janë evidente. Ato i kanë bërë shtet e qytetarë.

Shkrimi u botua në Gazetën Telegraf  të datës 02.12.2015
Sigal