Ulet ndjeshëm besimi në ekonomi në muajt e parë 2016

727
Ndonëse ndërtimi është sektori që ka udhëhequr rritjen ekonomike në dy tremujorët e fundit të 2015, ai ka dhënë ndikimin kryesor në rënien e besimit në ekonomi në muajt e parë të 2016-s, duke paralajmëruar se rritja e tij në muajt në vijim mund të vihet në dilemë…
Treguesi i ndjesisë ekonomike (TNE) ra me 5.7 pikë, në tremujorin e parë të vitit 2016, duke zbritur poshtë mesatares historike për herë të parë pas tre tremujorëve, raportoi banka e Shqipërisë. Ecuria e këtij treguesi u përcaktua nga rënia e besimit në të gjithë sektorët e ekonomisë, ku rënie më të fortë regjistroi besimi në sektorin e ndërtimit. Në rënie ka qenë dhe besimi konsumator . Sipas grafikut të Bankës, ky është niveli më i ulët që nga tremujori i parë i vitit 2014.
Sektori i industrisë
Treguesi i besimit në sektorin e industrisë (TBI) u ul me 3 pikë përqindje, në tremujorin e parë të vitit 2016. Niveli i TBI-së është luhatur nëpër tremujorë, që nga fillimi i vitit 2015, por duke qëndruar sipër mesatares së tij historike. Aktualisht TBI-ja qëndron 4.5 pikë përqindje mbi mesataren. Në tremujorin e parë të këtij viti, rënia e TBI-së u përcaktua nga rënia në të tre përbërësit e tij: balanca e prodhimit ra me 8.1 pikë përqindje, balanca e gjendjes financiare ra me 7.7 pikë përqindje, dhe balanca e gjendjes së inventarëve u rrit me 6.6 pikë përqindje.
Balancat për pyetjet se si bizneset e vlerësojnë situatën ekonomike në vend dhe gjendjen e përgjithshme të biznesit, janë ulur përkatësisht me 9.7 dhe 5.8 pikë përqindje. Pritjet e bizneseve për gjendjen e përgjithshme të biznesit të tyre në tremujorin e dytë janë rritur lehtësisht (balanca u rrit me 1.3 pikë përqindje).
Balanca e kërkesës ka pësuar rënien më të theksuar në tremujorin e parë, me 12.4 pikë përqindje. Gjithashtu, kërkesa nga eksportet vlerësohet të ketë rënë (balanca ra me 2.6 pikë përqindje). Për tremujorin e dytë, bizneset presin një rikuperim të lehtë të kërkesës (balanca u rrit me 0.3 pikë përqindje).
Balanca e pyetjes mbi investimet e reja, të kryera gjatë gjashtëmujorit të fundit, si dhe ajo për investimet e pritura në gjashtë muajt e ardhshëm, janë rritur me 16.1 pikë përqindje dhe 20.2 pikë përqindje këtë periudhë. Bizneset kanë vlerësuar një rritje të lehtë të çmimeve të prodhimit për të dytin tremujor radhazi. Norma e shfrytëzimit të kapaciteteve në industri shënoi vlerën 69.0% në tremujorin e parë, 2.9 pikë përqindje më e ulët se mesatarja historike. Bizneset e industrisë i kanë shfrytëzuar më pak kapacitetet e tyre, në krahasim me tremujorin e katërt të vitit 2015 (me 4.6 pikë përqindje), por disi më shumë se i njëjti tremujor i një viti më parë (me 1.2 pikë përqindje).
Sektori i ndërtimit
Treguesi i besimit në sektorin e ndërtimit (TBN) ra me 16.7 pikë përqindje në tremujorin e parë të vitit 2016, pas dy tremujorësh me rritje. Niveli i tij qëndron poshtë mesatares historike me 15.4 pikë përqindje dhe poshtë mesatares së periudhës 2008 – 2015 me 9.0 pikë përqindje. Në rënien e TBN-së ndikuan të treja balancat formuese të tij: balanca e kërkesës, e prodhimit dhe e gjendjes së punësimit, të cilat ranë përkatësisht me 20.0, 15.5 dhe 14.4 pikë përqindje.
Gjatë tremujorit të parë janë vlerësuar me rënie të gjitha aspektet e biznesit në sektorin e ndërtimit. Rënien më të theksuar e shënoi balanca e gjendjes së përgjithshme të biznesit, me 23 pikë përqindje. Pritjet për gjendjen e përgjithshme të biznesit, për tremujorin e dytë të vitit, janë gjithashtu me rënie. Edhe balanca e gjendjes financiare regjistroi rënie me 21.2 pikë përqindje në tremujorin e parë. Në përputhje me rënien e kërkesës, gjendja e inventarëve vlerësohet të jetë rritur në këtë tremujor. Ndërkohë, balanca e pyetjes mbi investimet e reja, të kryera gjatë gjashtë muajve të fundit, është zvogëluar me 13.8 pikë përqindje, por pritjet për gjashtë muajt e ardhshëm janë rritur me 5.7 pikë përqindje. Çmimet e prodhimit janë raportuar në rritje në sektorin e ndërtimit.
Norma e shfrytëzimit të kapaciteteve në sektorin e ndërtimit, gjatë tremujorit në analizë, vijoi rënien. Aktualisht kjo normë shënon nivelin 54.7% ose 9.5 pikë përqindje më pak se mesatarja historike e saj. Në krahasim me të njëjtin tremujor të një viti më parë kjo normë është 2.5 pikë përqindje më e ulët.
Sigal