Ujësjellësit shkelin ligjin me faturimet familjare aforfe

197

Ankimimet e qytetarëve në 2018: Abuzimet me faturat, ndërrimi i shpeshtë i matësve, kontratat e parregullta

ERRU: Ujësjellësit shkelën aktet nënligjore me faturimet aforfe për familjet pa matës

Ujësjellësit kanë abuzuar me faturimet aforfe në rastet kur familjarëve u ka munguar matësi duke zbatuar normativa ndryshe nga ato që janë caktuar nga Enti Rregullator i Ujit. ERRU publikoi raportin vjetor duke përcaktuar një pjesë e ujësjellësve kanë vendosur normativa të tjera të miratuar me urdhra të brendshëm. “Ankesat e paraqitura në ERRU me objekt “faturimi aforfe” zënë numrin më të madh të ankesave edhe gjatë vitit 2018. Shqetësues mbetet fakti që shoqëritë UK nuk kanë respektuar normativat e miratuara në rastet e faturimit aforfe 4.5 m3 /muaj/frymë për konsumatorët familjare, por kanë vijuar faturimin me normativa të miratuara me urdhër të brendshëm të organeve drejtuese të shoqërive UK në kundërshtim me aktet nënligjore në fuqi” thuhet në raportin e ERRU. Numri i ankimimeve që konsumatorët kanë bërë pranë ERRU për abuzimin në lidhje me faturimet aforfe mbetet ende i ulët, gjë që tregon për një ndërgjegjsim të ulët për të kërkuar të drejtën pranë autoriteteve.

Ankimimet e tjera të qytetarëve

Një tjetër problematikë e ngritur edhe më herët nga qytetarët gjatë vitit 2018 dhe e paraqitur në raportin e Entit Rregullator është ajo për zëvendësimin e shpeshtë të matësit. Jo të pakta kanë qenë rastet kur qytetarët janë gjendur para faktit të kryer dhe kur ujësjellësit kanë vendosur matës të rinj pa i njoftuar paraprakisht. Kjo ka rezultuar edhe në fatura më të fryra pasi matësit duhet të paguhen nga qytetarët në faturat pasardhëse që vijnë fill pas procesit. “Zëvendësimi i shpeshtë i ujëmatësit është gjithashtu një objekt ankimimi. Nga këto ankesa, është konstatuar se shoqëritë UK nuk kanë respektuar procedurat e njoftimit të konsumatorit në rastet e zëvendësimit të ujëmatësit por njoftimi është kryer vetëm nëpërmjet faturës mujore” thuhet në raport. Në raste të tjera ankimimet pranë Entit kanë qenë për mosnjohjen e detyrimeve apo probleme me kontratat.