Sigal

U akuzua për korrupsion, por fiton sërish tenderin për uniformat e policisë

Uniformat e Policisë së Shtetit janë bërë shpesh objekt i hetimeve dhe gjykimeve nga drejtësia për shkak të abuzimeve të mëdha, duke nisur që nga cilësia e deri tek dëmet financiare. Përgjatë 15 viteve të fundit, çdo Ministër i Brendshëm ka bërë të paktën 1 tender për uniforma. Dikush i ndryshonte ndonjë detaj, dikush tjetër i bënte fosforishente dhe sot jemi në një situatë ku policia duket se ka një uniformë standarde. Tpz.al ka ndjekur procedurat e një tenderi të hapur në kohën kur Ministër i Brendshëm ishte Saimir Tahiri. Asokohe, ky i fundit publikoi shpalljen e njoftimit dhe akordoi mbi 1 milion euro për uniformat, dimërore dhe verore. Debate të shumta u ndezën pasi uniformat që erdhën nga Turqia, kishin probleme të shumta. Megjithatë, në garë morën pjesë disa firma dhe pati dyshime të forta se firmat kishin paguar një ryshfet të majmë.

Pas ndryshimeve në qeveri, ku Fatmir Xhafaj mori vendin e Saimir Tahirit, anuloi tenderin për disa muaj, për ta rihapur vetëm tani për uniformat verore, jo ato dimërore dhe këpucët. Vlera e tenderit është 1.5 milionë euro, ndërsa morën pjesë disa firma. Tpz.al ka siguruar dokumentin për firmën fituese, ku ka dalë bashkimi i operatorëve “Gjergjefi Sh.p.k”, “KLER shpk”, “TONI OIL shpk” dhe “D&E shpk”. Këto firma ofruan 164.200.000 lekë të reja, ndërsa disa të tjera u tërhoqën, apo u s’kualifikuan. Me anë të këtij tenderi, policia kërkonte 9.089 pantallona vere për meshkuj, 549 pantallona vere femra, 549 funde, 1.002 pantallona vere, 16.884 këmishë bojë qielli etj. Megjithatë, ne kërkuam edhe për historikun e firmave fituese të këtij tenderi. Nga burime zyrtare nga policia dhe prokuroria, mësuam se një nga firmat fituese, “Gjergjefi Sh.p.k” është hetuar disa herë për korrupsion për tenderët e uniformave të policisë. Hetimet nisën në vitin 2011 dhe u iniciuan pas denoncimit të deputetëve të PS-së, të cilët mbi bazën e denoncimeve publike gjetën një dëm ekonomik 1.5 miliardë lekë të reja. Fillimisht u sekuestrua procedura e tenderimit, garuesit dhe pretendimet e firmave të skualifikuara. Në fokusin e grupit hetimor ishin edhe punonjës të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë dhe Agjencisë së Prokurimit Publik, të cilët kishin kryer të gjithë procedurën e nevojshme. Një tjetër parregullsi e pretenduar në kallëzimin e PS-së ishin se firma ” Gjergjefi Sh.p.k ” ishte paracaktuar për të fituar tenderin e uniformave të Policisë së Shtetit. Megjithatë, sot kohët kanë ndryshuar. Nëse dje Partia Socialiste denonconte kompaninë “Gjergjefi Sh.p.k” për abuzimet me tenderët e uniformave, sot ata e kanë kthyer pllakën dhe punojnë rregullisht me këtë kompani. Me këtë kuptohet, që politika është një mashtrim i madh, pasi të gjithë hanë dhe ndajnë bashkë, çdo pasuri të këtij vendi.