Turizmi, lehtësi për investimet në hotele

1116
Komisioni parlamentar për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin shqyrtoi ndryshimet në ligjin për turizmin, ndërsa ministri Blendi Klosi shpjegoi lehtësitë që do t’u ofrohen investitorëve. Relatorja e projektligjit, Eglantina Gjermeni, theksoi se ndryshimet vijnë për ta përshtatur ligjin me ndryshimet e bëra në paketën fiskale dhe buxhetin e shtetit për vitin 2018. Incentivimi i hoteleve me katër dhe pesë yje, sipas deputetes Gjermeni, krahasuar me vendet e tjera të rajonit vjen vonë në kohë, por është hap i domosdoshëm. “Incentivat që jepen për hotelet me katër dhe pesë yje janë një investim më i mirë për të tërhequr investitorë dhe “brand name-s” në fushën e turizmit, për t’u dhënë mundësi operatorëve turistik për të sjellë më shumë turistë, për më shumë mundësi punësimi e për ta zhvilluar më tej turizmin si një nga degët kryesore të ekonomisë, duke qenë se pesha e tij në zhvillimin e ekonomisë është rritur nga viti në vit”, u shpreh Gjermeni. Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, tha se paketa fiskale nëpërmjet paketës buxhetore përcaktoi lehtësirat fiskale, të cilat kanë nevojë të kenë edhe një lehtësi në ligjin e turizmit për sa i përket statusit special të investitorëve me katër dhe pesë yje. Kjo, sipas Klosit, bëhet që këta investitorë lehtësirat fiskale t’i kenë edhe nëpërmjet ligjit të zhvillimin të turizmit për ta bëre reale paketën fiskale që tashmë parlamenti ka votuar. “Bëhet fjalë për një infrastrukturë, sektor, i cili sot mungon 100% ne vendin tonë. Lehtësirat fiskale dhe këto ndryshime po bëhen për të krijuar një ndjesi pozitive për sa i përket realitetit të vështirë shqiptar për investimet me katër dhe pesë yje. Bëhet për të pasur mundësinë për të nxitur investimet e munguara elitare në bregdetin dhe zonat e tjera shqiptare”, tha ministri Klosi.
Sigal