Tropojanët, apel qeverisë për krijimin e tregut brenda kufirit

849
Mungesa e tregut për shitjen e boronicës dhe bimëve medicinale, është venë në qendër të vëmendjes nga banorët e rrethit të Tropojës, të cilët kërkojnë marrjen e masave të menjëhershme për krijimin e mundësisë së tregtimit të tyre brenda kufijve. Banorët shprehen se, në mungesë të kushteve për t’i tregtuar në Tropojë, detyrohen t’i shesin kundrejt një çmimi jo të favorshëm përtej kufirit, konkretisht në Kosovë dhe Mal të Zi. Ata shprehen për gazetën “Telegraf”, që edhe më herët i kanë kërkuar shtetit të kenë mundësin për të tregtuar boronicën dhe bimët medicinale brenda kufirit, por përveç premtimeve deri tani nuk u është realizuar asgjë konkrete. Pra edhe pse kemi fatin që fruti i rrallë (boronica) të gjendet me shumicë në bjeshkët tona, po ashtu edhe bimë të tjera medicinale të cilat janë vërtetuar shkencërisht si shëruese të shumë sëmundjeve, mos menaxhimi i rregullt i tyre si dhe mungesa e investimeve për krijimin e tregut, bën që Shqipëria të humbas edhe prodhimet e veta të rralla. Fermerët shprehen se në disa raste rrezikojnë edhe të falimentojnë për shkak se bima medicinale mund të mbetet stok në magazinat dhe në shtëpitë e fermerëve. Edhe pse është përfolur disa herë që do krijohen magazinat e grumbullimit të këtyre prodhimeve në qytetin Bajram Currit, deri tani nuk ka rezultuar të bëhet diçka e tillë. Të ndodhur përballë këtij fakti në prag të çeljes së sezonit të grumbullimit të bimëve kuruese, banorët i bëjnë apel qeverisë për krijimin e mundësive të tregtimit brenda kufijve të Shqipërisë. 
Si grumbullohen boronica e bimët medicinale nga banorët 
Boronica rritet shumë në rrethin Tropojës, sidomos në bjeshkë, në zonat e ahut, në livadhe e deri në zonat sub-alpine. Banorët në fillim të stinës së pranverës shpërngulen nga shtëpitë e tyre të banimit në drejtim të bjeshkëve, ku qëndrojnë nga 2 deri në 4 muaj. Kjo zhvendosje e banorëve nga shtëpitë e tyre në bjeshkët e rrethit të Malësisë, kryesisht vjen për shkak të grumbullimit të bimëve medicinale, çajit, boronicave dhe bulmetrave të cilat më pas i tregtojnë me qëllim për të siguruar të ardhurat e tyre vjetore. Por tregtimi i këtyre produkteve për vite me radhë përtej kufijve e bën edhe më të vështir punën e tyre, pasi ata janë të detyruar ti shesin kundrejt një çmimi të lirë, po ashtu edhe transport e bën edhe më të vështir tregtimin e tyre. Banorët përveç tregtimit të frutit të boronicës të njom, aplikojnë edhe një metodë tjetër, atë të tharjes. Fillimisht e grumbullojnë dhe më pas thajnë, pasi kërkesat janë të shumta nga persona të cilët janë me probleme shëndetësore dhe e përdorin çajin e boronicës për kurimi. Në fakt kërkesat janë të mëdha edhe për tregtimin e boronicave të njoma nga shumë rrethe të vendit tonë, por mungesa e magazinave të grumbullimit e bën të vështirë tregtimin e tyre, pasi duhet të ruhen në ambiente të ftohta edhe gjatë transportimit të tyre për në destinacion. Ndërkohë vendet fqinjë Kosova dhe Mali i Zi, duke ditur vlerat që ka boronica, i kanë kushtuar më shumë rëndësi grumbullimit dhe tregtimit të tyre duke krijuar magazine të mëdha grumbullimin dhe përpunimin e tyre.
Kushtet për prodhimin e boronicës
Emri latinisht i këtij fruti është Vaccinium. Frutat e shijshme, gjethet me ngjyra të kuqe, bëjnë që boronica të japë një peisazh piktoresk. Boronica kërkon kushte klimatike të favorshme dhe tokë pjellore, ajo kërkon pak kujdes nëse këto kushte plotësohen disi. Në dimër ato kërkojnë një mot të ftohtë, pasi nëse do të kemi dimër të butë Boronica nuk rritet në mënyrën e duhur, si pasojë dhe frutat nuk do të jenë cilësore. Gjithashtu kërkon shumë diell dhe tokë të drenazhuar. Boronica ka edhe shumë përfitime si frut.
Ja pse kërkohet kaq shumë boronica
Studime të shumta kanë vërtetuar se boronica ndihmon në përmirësim të shikimit, pastrim të arterieve me shumë antioksidues për mbrojtje ndaj sëmundjeve, forcim të enëve të gjakut, shtim të memories, ndalim të infeksioneve të traktit urinar, kthim mbrapsht të rënies së aftësive mendore dhe fizike të lidhura me moshën, ndihmon në kontrollimin të peshës trupore. Boronica parandalon dëmtimin e syrit, ndihmon në shikim personat që janë miopë. Konsumimi i boronicës përmirëson qarkullimin e gjakut. Boronica gjen përdorim të mirë në çrregullimet e stomakut e të zorrëve, kundër diarresë. E kombinuar me bimë të tjera përdoret edhe në mjekimin e diabeti. Për qëllime mjekësore, bimës i përdoren frytet e gjethet në gjendje të tharë. Shkencëtarët tregojnë se boronicat mund të lehtësojnë dëmtimet e muskujve, që vijnë si pasojë e ushtrimeve të tepruara. Për shkak të përmbajtjes së pasur me polifenole, boronicat mund të ulin dukshëm stresin oksidues, që çon edhe deri te dëmtimi i muskujve. Shkencërisht është vërtetuar se kur është fjala për mbrojtje të trurit nuk ka asgjë që mund ta bëjë më mirë efektin se boronica. Gjithashtu thuhet se boronica më e fuqishmja në efektin e kthimit të humbjes së kujtesës në një studim të kryer tek konsumuesit e moshuar, të cilët silleshin si të rinjtë kur ushqeheshin me disa lloje frutash. Sipas Institutit Amerikan për Hulumtime të Kancerit, thuhet se boronica është njëri nga burimet më të mira të antioksiduesve, substanca të cilat mund të ngadalësojnë procesin e plakjes dhe zvogëlojnë dëmin qelizor që mund të çojnë drejt kancerit. Boronica është e pasur me vitaminën C, pastaj është burim i shkëlqyeshëm i sheqerit, proteinave dhe materieve minerale si kalium, natrium, mangan, krom, hekur, bakër. Në mjekësinë popullore boronica përdoret për rregullimin e nivelit të sheqerit në gjak, si dhe në shërimin e infeksioneve urinare. Sipas ekspertëve, ajo që është me shumë rëndësi, boronica ndihmon edhe në përmirësimin e shikimit, duke e përmirësuar qarkullimin e gjakut nëpër vena, si dhe duke e përmirësuar gjendjen e kapilarëve.