Trinomi i ligjeve që i hapin rrugë zhvillimit ekonomik dhe punësimit

679
Një trinom ligjesh të shumëpritura që i hapin rrugë të mëtejshme zhvillimit ekonomik dhe punësimit, tashmë ndodhen për diskutim dhe miratim në Kuvendin e Shqipërisë. Konkretisht, Projekt ligji “Për Investimet Strategjike”, Projekt ligji “Për Turizmin” dhe ai për të cilin jemi duke diskutuar, “Për Zonat Ekonomike”. Këtyre, po t’u shtojmë edhe disa ndryshime të pritshme të tjera në ligjet ekonomike, atëherë është e qartë se, tashmë, fytyra e Qeverisë është kthyer tërësisht nga zhvillimi i qëndrueshëm dhe punësimi.
Por cila është situata aktuale e investimeve dhe zhvillimit ekonomik në zonat e lira?
Megjithëse ekziston një kuadër ligjor prej gati 20 vitesh, megjithëse mbi bazën e këtij ligji, qeveria e mëparshme kishte shpallur 10 zona ekonomike, (një me status zonë e lirë ekonomike, nëntë me status parqe industriale, në Vlorë, Shëngjin, Rrushbull, Spitall, Koplik, etj), asnjëra prej tyre nuk arriti të kishte ndonjë ofertë konkrete nga ana e zhvilluesve apo investitorëve, qofshin të huaj apo vendas. Pra asnjëra prej tyre nuk filloi.
Po pse?
Faktorët janë të shumtë dhe të ndryshëm, politikë, të brendshëm dhe rajonale, ekonomike, financiare administrative dhe rregullatore, që lidhen me çështje pronësore, të sigurimit të kontratave dhe te respektimit te tyre dhe te investimeve te parashikuara ,etj,etj.
Është e qartë se, në radhë të parë, kjo, për faktin se aktet ligjore në këtë fushë, deri tani nuk ofronin mbështetje dhe lehtësi për investitorët privat vendas apo të huaj për zhvillimin në këto zona. 
Rezultati? 
Ligji mbeti një akt populist, vetëm në letër, zona të lira dhe parqe industriale imagjinare. Për rrjedhojë pasoja ishte e dukshme: Mungesë zhvillimi, mungesë punësimi, shou dhe mashtrim. Doni te bindeni për këtë. Pyesni banoret e Vlorës,.Shëngjinit, Rrushbullit, Spitallës ,etj. që jetojnë të lirë, ata e dinë, sepse jemi në demokraci. Veç në zonë të lirë ekonomike, kurrsesi. E pra, në këtë situatë ofrohet një ndryshim rrënjësor i ligjit dhe instrumenteve mbështetës për vënien në zbatim të këtij ligji. Më konkretisht, ligji “Për Zonat Ekonomike”, i propozuar nga Qeveria, konsiderohet si një ofertë konkurruese krahasuar me vendet e rajonit dhe që i shërben rritjes së nivelit të investimeve të huaja në vendin tonë. Qëllimi i ndryshimeve të propozuara përmes këtij projektligji, janë realizimi dhe zbatimi i projekteve të rëndësishme për investime në të gjitha fushat e ekonomisë, në një kohë sa më të shpejtë dhe me kosto sa më të ulët për biznesin duke krijuar kushte për zhvillim ekonomik dhe punësim.
Ky projekt ofron një sërë risish që lidhen:
– me një rikonceptim të zonës ekonomike në ndihmë të secilës vinë përkufizime të reja, nocione bashkëkohore të përdorura sot në vendet e BE-së,
– një numër lehtësish e procedurash administrative që thellojnë më tej reformat rregullatore duke zgjeruar liritë ekonomike kaq të domosdoshme dhe
– disa lehtësi dhe favore fiskale që nxitin më shumë praninë e investitorëve në ekonominë tonë.
Kështu:
Me ndryshimet e paraqitura do të bëhet i mundur, në një kohë më të shpejtë dhe me kosto më të ulët si për zhvilluesit e këtyre zonave, ashtu edhe për përdoruesit e tyre, zbatimi i projekteve të rëndësishme për investime në të gjitha fushat e ekonomisë, duke përfshirë edhe mundësinë dhe nxitjen e zhvillimit të zonave ekonomike me drejtim bujqësor, të orientuara te përpunimi i produkteve bujqësore deri në paketim, duke i bërë ato konkurruese me vendet fqinje, apo të turizmit, industrisë, etj.
Gjithashtu, me ndryshimet e paraqitura zgjerohen objekti dhe qëllimi i ligjit, duke dhënë modele të reja të zhvillimit ekonomik dhe procedura të qarta e të shpejta për çdo rast të paraqitur nga sektori privat ose publik sikurse janë:
•Konsiderimi i nxitjes se teknologjive novatore, teknologjive të informacionit, industrive që përmbushin standardet ndërkombëtare të eliminimit të ndotjes, industrive eficente në përdorimin e energjisë si dhe industrive me produktivitet të lartë, në raport me punonjësit.
•Marrja e përgjegjësive nga ana e shtetit për ndërtimin e infrastrukturën së përgjithshme si sistemet e punëve publike që përfshijnë elemente të tilla si hekurudhat, rrugët, portet, linjat e telekomunikacionit, rrjetin e energjisë, kanalizimeve, etj. 
Ajo që i bën më tërheqëse zhvilluesit dhe përdoruesit e zonave të teknologjisë dhe zhvillimit ekonomik, janë lehtësitë fiskale të parashikuara në këtë projektligj.
-Kështu,investimet në këto zona, përjashtohen nga pagesa e 50 përqindëshit të normës së tatimfitimit për 5 (pesë) vitet e para nga fillimi i veprimtarisë së tyre në zonë.
Aplikohen gjithashtu dhe një sërë lehtësirash të tjera fiskale, apo që lidhen me shpenzime të zbritshme si:
-përjashtimin nga pagesa e 50 për qindëshit të normës së tatim fitimit për 5 vitet e para, nga fillimi i veprimtarisë.
-njohjen si shpenzime të zbritshme, të periudhës tatimore, 20 për qind e shpenzimeve kapitale vjetore, pavarësisht nga shumat e amortizimit, brenda 3 viteve nga fillimi i veprimtarisë ekonomike të zonës.
-përjashtimin nga taksa e ndikimit në infrastrukturë të projektit të zhvilluesit, nga taksa e pasurisë së paluajtshme për një periudhë pesë vjeçare për ndërtimet e realizuara në këtë zonë, në përputhje me projektin e zhvilluesit si dhe nga taksa mbi kalimin e të drejtës së pronësisë mbi pasuritë e paluajtshme.
-Njohjen si shpenzime të zbritshme në masën 150 për qind të vlerës, shpenzimet për paga dhe kontributet shoqërore e shëndetësore, që punëdhënësi paguan për punëmarrësit, gjatë vitit të parë fiskal të ushtrimit të aktivitetit.
-Njohjen si shpenzime për efekt të llogaritjes së fitimit të tatueshëm, të periudhës tatimore, me dyfishin e vlerës, për një periudhë 10 vjeçare nga fillimi i veprimtarisë ekonomike, kostot e trajnimit të punonjësve në zonat e teknologjisë, zhvillimit ekonomik dhe shpenzimet për kërkim shkencor dhe zhvillim.
Këto padyshim e bëjnë më tërheqës ambientin ekonomik të Shqipërisë krahasuar me atë të vendeve të tjera të rajonit. Ekonomia shqiptare ka nevojë për vazhdim të politikave për konsolidimin fiskal dhe njëherazi për të nxitur dhe mbështetur rritjen ekonomike të qëndrueshme dhe hapjen e vendeve të reja të punës. Ky projekt ligj është një instrument i rëndësishëm dhe i fuqishëm në këtë drejtim, hartimi dhe miratimi i akteve nënligjore,fillimi i zbatimit te tyre duhet bërë sa më shpejtë.
Sigal