Transporti Rrugor/ Ja si do veprohet me targat e dëmtuara dhe mjetet koleksion që janë pa targa, por që duan të lëvizin provizorisht

553
Sigal

Mbi 14 mijë biznese të vogla janë bërë pjesë e skemës së TVSH-së

Numri i bizneseve të vogla që kanë hyrë në skemën e TVSH-së po rritet vazhdimisht. Nga rreth 10 mijë biznese që u identifikuan në mars, kur hyri në fuqi ulja e kufirit të TVSH-së nga 5 në 2 milionë lekë, dhe 11.5 mijë që dorëzuan deklaratën në qershor, tashmë janë mbi 14 mijë subjekte që janë të detyruar të deklarojnë e paguajnë TVSH-në një herë në tre muaj. Kjo përbën gati një të pestën e 80 mijë bizneseve që që nuk paguanin TVSH përpara prillit 2018. Tatimet bënë të ditur zyrtarisht se rreth 13509 subjekte që i përkasin fashës 2 deri në 5 milionë lekë, dorëzuan pranë Administratës Tatimore brenda afatit ligjor dhe pa asnjë penalitet deklaratën e thjeshtuar të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar. Kjo shifër përbën rreth 95% të totalit të deklaratave të gjeneruara nga sistemi për tatimpaguesit e vegjël, të cilët kishin detyrimin për të deklaruar dhe paguar TVSH-në për muajin dhjetor. Kjo nënkupton se në total janë rreth 14,220 subjekte që janë përfshirë në skemën e TVSH-së. Ulja e pragut të TVSH-së nga 5 në 2 milionë lekë shkaktoi debate të shumta dhe u kundërshtua nga shoqatat e biznesit dhe FMN, e cila tha se administrata do të kishte më shumë kosto për të kontrolluar këto subjekte sesa do të përfitonte dhe mund të nxiste informalitetin. Gjatë sondazheve të vazhdueshme të Monitor muajt e fundit, ekonomistët pohojnë se bizneset të cilat nuk u përfshinë në skemën e TVSh-së me ndryshimin e pragut po përpiqen që të deklarojnë më pak qarkullim se një vit më parë. Rënia e xhiros nuk ka kaluar pa u vënë re as nga Administrata Tatimore, e cila në dhjetor deklaroi se nga monitorimi i vazhdueshëm, Administrata Tatimore ka vënë re se ka tatimpagues aktivë me rënie në xhiron e deklaruar në kasat fiskale, krahasuar me periudhat paraardhëse. Tatimet kanë bërë thirrje që tatimpaguesit do të duhet që të vetëkorrigjojnë raportimet, duke reflektuar aktivitetin real që ushtrojnë. Administrata Tatimore njoftoi se, të gjitha rastet kur tatimpaguesit kanë deklaruar një xhiro më të vogël, do të trajtohen nëpërmjet sektorit të Kontrollit në çdo Drejtori Rajonale Tatimore, nëpërmjet thirrjeve në zyrë, vizitave në terren, vizitave fiskale në raste të veçanta, si dhe nëpërmjet çdo rruge tjetër komunikimi që do t’i shërbente përmirësimit të raportimit të qarkullimit me pajisje fiskale. Bizneset që nuk e kishin kaluar pragun prej 2 milionë lekësh, duket se po bëjnë gjithçka që të mbajnë qarkullimin e tyre në nivelin e vitit të mëparshëm. Pjesa më e madhe e kompanive përpunuese në vend, të cilat shesin me shumicë te bizneset e vogla, deklarojnë se po hasin rezistencë të shtuar nga bizneset e vogla, të cilat nuk pranojnë mall me faturë. Industria përpunuese po preket në zinxhir, nga përpunimi dhe grumbullimi i qumështit, te përpunimi i qumështit, tregu i vezëve dhe ai i birrës. Përfaqësuesit kryesorë të këtyre industrive pohojnë për “Monitor” se është rritur rezistenca prej biznesit të vogël për të marrë mallra me faturë. Saimir Begaj, përfaqësuesi i kompanisë “Erzeni”, thotë se po has vështirësi me shpërndarjen e produkteve të kompanisë së tij te pakica, ku një pjesë e tyre refuzojnë mallrat me faturë. Restorantet, apo bizneset e shërbimit, janë ato që shfaqin rezistencën më të madhe./Monitor