Transporti hekurudhor në degradim, sllovakët interes për lokomotivat

642
Sigal

Premtojnë, gjithashtu, edhe investime në transportin hekurudhor të vendit

Sllovakët  sërish kanë treguar interesimin e tyre për partneritet me hekurudhat shqiptare, duke zgjuar tek ata interesin për lokomotivat e prodhimit të tyre, ( të para 30-40 vitesh) por edhe për investime në krejt rrjetin hekurudhor shqiptar. Hekurudha shqiptare ka sot një numër të konsiderueshëm lokomotivash të prodhimit “Made in Çekoslovakia”, si dhe një rrjet hekurudhor prej 451 km. Dy vjet më parë ishte sërish Ndërmarrja Hekurudhore Sllovake e kryesuar nga presidenti Stanislav Boruta që mbërriti në Durrës,dhe  zhvilloi takime me drejtuesit e asaj kohe të HSh, ndërkohë që, ka paraqitur sërish interesimin e saj pranë Ministrisë Transporteve për  Hekurudhën shqiptare. Sipas  burimeve nga HSH “thelbi i  diskutimeve ka qenë stoku i grumbulluar në vite nga ana e hekurudhës sonë, HSH, ka si mall stok  duke nisur nga lokomotiva dhe  vagonë, pesha totale e të cilëve arrin në  mijëra tonë, asnjë prej këtyre mjeteve nuk është në gjendje pune, por shitja për skrap, ndonëse është mundësia më e lehtë shihet si alternativa e fundit nga ana e krerëve të hekurudhës. I njëjti burim tha se, “ekziston mundësia e këmbimit mall me mall pra  t’i japim sllovakëve  lokomotiva stok dhe të marrim prej tyre disa të reja, shumë më të shpejta dhe moderne. Ata janë të interesuar shumë, pasi të gjitha janë blerë në ish- Republikën e Çekosllovakisë para viteve ‘90, por ndonëse kanë kaluar shumë vite sllovakët e kanë ende të hapur linjën e prodhimit të tyre. Marka është e njëjtë dhe ekziston mundësia e modifikimeve apo riparimeve me pjesë këmbimi origjinale, nuk kemi mundësi financiare  ti riparojmë  ndërsa shitja për skrap është mundësia e fundit që na shkon në mendje. Të njëjtin interes sllovakët paraqitën edhe për vagonët”.  Prej 35 vitesh lokomotivat dhe vagonët kanë përshkuar mijëra milje tokësore dhe tani pas gjysmë shekulli mund të rikthehen sërish në vendin e origjinës.  Dhe megjithëse malli i blerë nga kampi socialist është krejtësisht i amortizuar, ai ndoshta  ka vlerë të lartë në një tregti, ku shkëmbimi bëhet pa para. Pala sllovake ka dëgjuar me vëmendje  propozimin  e HSH dhe  inxhinierët e saj  kanë marrë të dhëna të detajuara për çdo lokomotivë apo vagon, të cilët janë kryesisht prodhime të Çekosllovakisë dhe Polonisë. Sllovakët pritet të paraqesin  ofertat e tyre pasi të marrin në dorëzim  lokomotiva stok me peshë 100 tonë secila dhe do të  dorëzojnë afërsisht pesë ose gjashtë të tjera, të cilat të jenë në gjendje shumë të mirë dhe me parametra modernë. Ardhja e lokomotivave të reja nga Sllovakia do ta gjallërojë  shërbimin hekurudhor në Shqipëri,  do të rrisë ndjeshëm shpejtësinë e trenave, tregues  shumë i rëndësishëm, Interesimi i sllovakëve ka të bëjë me faktin se ato janë vendi i origjinës së këtyre lokomotivave, të cilat kanë qenë ndër prodhimet më të mira europiane nga vitet 1960 deri 1990. Duhet thënë se çekët dhe sllovakët kanë qysh nga viti 2004 që interesohen dhe premtojnë ngritjen e një rrjeti modern hekurudhor në Shqipëri, por pengesa e vetme e tyre ka qenë dhe mbetet Ministria e Transporteve.

ARTUR AJAZI