Tiranasit dhe vlonjatët më të pasurit e Shqipërisë, kanë depozitat më të larta në banka

154

Ndonëse zyrtarisht të varfër, shqiptarët arrijnë të kursejnë, duke lënë mënjanë kënaqësitë e jetës, duke pasur ndihmën e të afërmve emigrantë, apo dhe duke marrë të ardhura nga aktivitetet informale, që nuk janë të pakta. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë bëjnë të ditur, se në fund të tremujorit të parë 2019, individët kishin të depozituara në banka gati 952 miliardë lekë, ose rreth 7.6 miliardë euro. Në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë, kursimet e individëve në banka janë rritur me gati 4%. Tirana është dhe qyteti që ka të ardhurat më të larta për frymë, me rreth 5 mijë euro dhe që ka dhe shpenzimet më të larta mujore për konsum familjar në rang kombëtar. Në vend të dytë, për treguesin e depozitave për frymë është Vlora, me 2,860 euro, në një nivel të ngjashëm me Tiranën. Vlonjatët kanë arritur të kursejnë kaq shumë, ndonëse të ardhurat e tyre për frymë janë nën mesataren e vendit. Në vend të tretë për nivelin e lartë të kursimeve në raport me popullsinë janë durrsakët, me 2,146 euro depozita për banor. Durrësi renditet i katërti në të ardhurat për frymë në vend, pas Tiranës, Fierit dhe Gjirokastrës, por është i dyti për shpenzimet mujore të familjeve. Në vend të katërt janë korçarët, që ndonëse shquhet si ekonomiqarë kanë arritur të kenë 1,914 euro depozitë për banor në fund të tremujorit të parë 2019. Shkodranët kanë nivel kursimi të ngjashëm me Korçën. Elbasani e ka këtë tregues në 1,623 euro. Fierakët, ndonëse renditen të dytët për të ardhurat për frymë nuk janë kursimtarë aq të mirë, me rreth 1,400 euro depozita për banor. Të fundit, nga rrethet që raporton Banka e Shqipërisë renditen lezhjanët, me rreth 1,226 euro depozita.