Sigal

Popullsia në Shqipëri po plaket me shpejtësi dhe vendi ka nisur të përjetojë efektet e moshimit. Nëse në vitet ’90 mosha mbi 65 vjeç përbënte rreth 3.5% të popullsisë, sot ka arritur në 13% e saj. Ndërkohë që sipas Rrjetit Shqiptar te Moshimit 1/3 e të moshuarve e konsiderojnë veten të varfër. Mbi 15% nuk kanë mundësi të shkojnë tek mjeku dhe rreth 25% nuk përballojnë dot financiarisht blerjen e ilaçeve, megjithëse 50% e të moshuarve vuajnë nga sëmundje kronike.

Alban Ylli, specialist, Rrjeti Shqiptar i të Moshuarvem sqaron se, “Duhet më shumë guxim për të vendosur prioritetet në Shqipëri në drejtim të adultëve të vjetër dhe të moshuarve. Po fillojmë të flasim për moshën e katërt në Shqipëri. Tradita e shërbimeve shëndetësore shqiptare është shumë e vogël në këtë drejtim. Për fat të keq nuk kemi nga e shkuara traditë shërbimesh për të moshuarit, shërbime geriartrikepo të tjera si këto”.

Ndërkohë, 92 mijë pensionistë jetojnë të vetmuar. 5% e të cilëve janë tërësisht të izoluar. Në këto kushte, sipas shoqatës së pensionistëve, shtëpitë e të moshuarve nuk janë zgjidhje. Kryetari i saj thotë se shteti duhet të paguaj kujdestarë për të moshuarit.

Faik Xhani, Shoqata Pensionistët e Shqipërisë shton se, “Për shembull ne kemi kapacitet gjithsej prej 800 veta në azil. Si do ti përballojë këto të moshuar? Çdo njeri duhet të ketë sa pensioni social, rreth 10 mijë lekë të rinj. Ne i kemi sugjeruar qeverisë që nëse nuk janë mundësitë për rritje pensioni totalisht, atëhere le ta fillojmë nga ato pensione që janë më të vogla, për një sasi njerëzish të paktën për tu afruar tek të tjerët. Konkretisht për pensionet minimale ne mendojmë që të paktën të rriten 10% dhe në tërësi 5% në total”.

Specialistët theksojnë se institucionet duhet të përgatiten për probleme të tilla. Integrimi i shërbimeve shëndetësore me ato sociale është një ndër sugjerimet e tyre.