TË FITUAR APO TË HUMBUR/ Rënia e euros, si preken çmimet, depozitat dhe remitancat

279
Rënia e fortë e euros deri në nivelet e 129 lekëve, kuota më e ulët që prej vitit 2009 ka shkaktuar jo pak shqetësim tek qytetarët që e përdorin këtë monedhë. Kjo pasi nuk dihet se kur do të frenohet rënia e euros apo cili do të jetë minimumi i ri që do të prekë. Dobësimi i monedhës evropiane prek kryesisht ata që kanë kursime në euro apo që jetojnë me dërgesat e të afërmve emigrant. Arben Malaj, ish-ministër i Financave dhe Enea Janko, ekspert i njohur i ekonomisë, vlerësojnë sesa zhvlerësohen depozitat në euro dhe remitrancat dhe cili është impakti i rënies së euros tek ekonomia reale.

Enea Janko, ekspert për ekonominë
Sa zhvlerësohen kursimet e shqiptarëve në euro, nga rënia e monedhës evropiane?
“Duke analizuar kurbën e kursit të këmbimit të monedhës evropiane, euro me monedhën shqiptare, lekun për periudhën 10-vjeçare, 2008 -2018 do të vëmë re disa tendenca shumë të dallueshme, si më poshtë: Për periudhën 5-vjeçare, 2008 -2013, monedha evropiane është forcuar me rreth 15 %, duke kaluar nga kursi i këmbimit 1 euro – 122 lek në 2008, në kursin e këmbimit 1 euro – 141.4 lek në vitin 2013. Për periudhën 2 vjecare, 2013 – 2015 ka pasur një stabilitet të kurseve të këmbimit, që janë luhatur rreth kursit 1 euro – 141 lek. Në periudhën e fundit, 2015-2018 ka ndodhur një zhvlerësim i shpejtë i monedhës evropiane me rreth 8.5 %, duke arritur në kursin e këmbimit 1 euro – 129 lek, në ditët e fundit. Nisur nga ky zhvlerësim i monedhës evropiane, edhe kursimet e shqiptarëve në euro janë zhvlerësuar me rreth 8.5 % gjatë 2-3 viteve të fundit. Për të ilustruar sesa janë zhvlerësuar në vlerë absolute këto kursime, duke iu referuar vetëm depozitave të kursimit në sistemin bankar, të cilat në vitin 2018 janë rreth 3.725 miliardë euro, zhvlerësimi është rreth 316.6 milionë euro. Këtu nuk janë llogaritur kursimet e qytetarëve shqiptarë në euro, që janë jashtë sistemit bankar. Megjithatë, duhet theksuar se niveli i depozitave të kursimit në euro ka vazhduar të rritet nga viti në vit, duke arritur vlerën më të lartë në vitin 2018, çka tregon se besimi i shqiptarëve te monedha evropiane vazhdon të mbetet shumë i lartë, pavarësisht politikës së de-euroizimit, që po ndiqet nga Banka e Shqipërisë”.

Sa preken remitancat e emigrantëve shqiptarë?
“Sigurisht që me uljen e kursimit të këmbimit të euros, edhe remitancat e qytetarëve shqiptarë do të zhvlerësohen. Duke llogaritur që niveli i remitancave për vitin e fundit ka qenë rreth 750 milionë euro, në vlerë absolute ato janë zhvlerësuar me rreth 63.8 milionë euro”.

Cilat do të jenë efektet te konsumi dhe ekonomia reale?
“Zhvlerësimi i euros në mënyrë të shpejtë ndaj monedhës shqiptare, në fakt nuk shkon në të njëjtën tendencë që monedha evropiane ka pasur me dollarin amerikan apo monedhat e tjera, ndaj të cilave ajo është rritur. Politika e zhvlerësimit të euros ndaj lekut gjatë viteve të fundit, natyrshëm që çon në stimulimin e importeve dhe frenimin e eksporteve, çka reflekton në mënyrë negative në rritjen ekonomike të vendit. Në fakt, ulja e euros duhet të çojë në një ulje të çmimit të mallrave të importuara nga vendet e BE-së dhe rrjedhimisht, edhe në një rritje të konsumit, por që në fakt, kjo nuk ka rezultuar shumë e vërtetë në praktikë. Ndërkohë që ulja e vlerës së euros, padyshim që ka një ndikim pozitiv në uljen e kostos së borxhit që qeveria, por edhe qytetarët dhe bizneset shqiptare kanë ndaj bankave në euro”.
Marrë nga ekonomix.al
Prof. Arben Malajn, ish-ministër i Financave
Pse ndodh ky fenomen?
“Faktorët janë disa. Një analizë e thelluar e rritjes se ofertës, rënies së kërkesës ose të dyja bashkë, të cilat ndikojnë në mbiçmimin ose nënçmimin e monedhës kombëtare, është e domosdoshme. Ekspertët e Bankës së Shqipërisë, identifikojnë si faktorë kryesorë rënien e kërkesës për valutë dhe zhvillimet në tregjet ndërkombëtare. Ndërsa efektet luhatëse të ofertës në rritje ose ulje, i konsiderojnë të përkohshme”.

Kush fiton nga mbiçmimi i monedhës kombëtare?
“Kur monedha jonë mbiçmohet, do të thotë që një euro blihet me më pak lekë. Në qoftë se përpara disa viteve duheshin 140 lekë për të blerë një euro, këtë vit duhen 132 lekë për një euro. Pra nga mbiçmimi i monedhës, një importues fiton 8 lekë për euro, ndërsa një eksportues humbet 8 lekë për euro. Për pasojë përfituesit kryesorë të mbiçmimit të lekut janë importuesit, sepse importojnë në euro dhe e blejnë atë më lirë. Përfitojnë gjithashtu kush i ka të ardhurat në lekë dhe i ka detyrimet në euro, p.sh huamarrësit në euro, nxënësit që paguajnë tarifat e shkollimit në euro, brenda ose jashtë vendit, shërbimet shëndetësore në euro apo pushimet në euro. Gjithashtu, shlyerja e borxhit individual të biznesit dhe borxhit publik, bëhet më e lehtë.”

Kush janë humbësit kryesorë?
“Eksportuesit sepse shesin në euro dhe paguajnë në lekë pagat dhe shpenzimet e tjera. Depozituesit në euro që kanë detyrime në lekë etj”.