Të djathtët i dhuruan të huajve 150 milionë euro, të majtët, të “gozhduar”

152

Monopoli i markimit të karburanteve, koncesioni që ha debat, edhe pas vendimit të Kushtetueses

150 milionë euro për 10 vjet është shuma që do të çojnë në vendet e tyre të origjinës koncesionarët e markimit të naftës. Koncesionet monopoliste në përgjithësi dhe, ai i markimit të karburanteve në veçanti, vetëm me një vendim qeverie i kanë “hequr nga duart” shtetit shqiptar qindra mijëra milionë euro. Në të shumtën e rasteve këto monopole u janë dhënë, nga qeveria, kompanive të huaja, duke treguar se “nacionalizmi” është fjalë e huaj, përpara përfitimeve personale të atyre që marrin përsipër të lidhin kontrata të tilla monopoliste në dëm dhe kundër interesave të qytetarëve shqiptarë. Qeveria transferoi tek të huajt një monopol me vlerë 150 milionë euro për 10 vitet e ardhshme dhe përjashtoi nga vendimmarrja Parlamentin (vendimi u zbardh direkt në Fletoren Zyrtare) duke shkelur në këtë mënyrë hapur ligjin. Ekspertët ngritën pikëpyetje mbi ligjshmërinë e procedurës, ndërsa Autoriteti i Konkurrencës kërkoi informacion në lidhje me koncesionin, por hetimi nuk nisi pasi Ministria e Financave nuk dha informacion duke shfrytëzuar hapësirat ligjore. Sipas kontratës koncesionare, kompanitë kontrollojnë naftën që hidhet në treg dhe vendosin ngjyrën e saj, sipas përdorimit. Më parë këtë proces e kryenin kompanitë që tregtonin “arin e zi”. Ndaj dhe përfaqësues të Shoqatës së Hidrokarbureve kanë kundërshtuar vendimin e qeverisë me argumentin se shtesa e një hallke të panevojshme për ngjyrosjen e naftës do të shtojë kostot për ta dhe që për më tepër do të pasqyrohet në treg, ndërsa barrën e saj do ta paguajë konsumatori. Shoqata e hidrokarbureve e ka kundërshtuar vendimin e qeverisë për këtë koncesion edhe në Gjykatën Kushtetuese.

 Rekordet e vendimit të Kushtetueses

Rreth 9 muaj pasi ka marrë një nga vendimet më të rëndësishme për monopolet e transferuara nga shteti te privati, Gjykata Kushtetuese ka hapur një debat publik me vendimin për rrëzimin e kërkesës së Shoqatës së Hidrokarbureve për prishjen e ekskluzivitetit të markimit të karburanteve. Ky vendim vendos disa rekorde njëherësh, sepse për herë të parë në Shqipëri, Gjykata Kushtetuese është përfshirë në interpretimin e një të drejte ekskluzive të dhënë nga shteti te privati dhe që “de jure” dhe “de fakto”, siç e pranon edhe Gjykata, kufizon lirinë e zgjedhjes së shoqërive të hidrokarbureve për të zgjedhur vetë ngjyruesin e naftës apo benzinës që tregtojnë.

 Vendimi i qeverisë

Me vendimin 200, të datës 13.03.2013, qeveria kishte miratuar kontratën e koncesionit për shërbimin e markimit dhe monitorimit të karburanteve, të lidhur ndërmjet Ministrisë së Financave të Republikës së Shqipërisë dhe bashkimit të përkohshëm të shoqërive “Global Fluids International” S.A. dhe “Petroleum Consulting Partners” A.G. Kjo kontratë parashikon se koncensionari do të marrë një shërbim ekskluziv (pra do të jetë i vetmi ofrues) për tregun e shërbimit të shënjimit të karburanteve, shërbim që më parë ofrohej nga shteti nëpërmjet Inspektoratit të Karburanteve. Me vendimin 498, datë 30.05.2013, qeveria kishte përcaktuar procedurat e shënjimit të karburanteve dhe në këtë mënyrë, kishte mbyllur përfundimisht tregun, duke imponuar një praktikë të transferimit të monopolit të shërbimit nga shteti te privati. Këto dy vendime janë atakuar menjëherë që më datë 27 maj 2013 nga Shoqata e Shoqërive të Hidrokarbureve në Gjykatën Kushtetuese, si organi i vetëm që ka fuqinë e shfuqizimit të një vendimi të Këshillit të Ministrave.

 Vendimi i Gjykatës

Gjykata me Kryetar Bashkim Dedja (një ndër mbrojtësit më të flaktë të koncesionit të markimit të karburanteve përpara se të zgjidhej në krye të Kushtetueses) e ka konsideruar marrëveshjen e koncesionit si “akt individual mes palëve nënshkruese të Kontratës së koncesionit, si subjekte individualisht të përcaktuara” dhe për pasojë, sipas Gjykatës, VKM-ja nr. 200 është jashtë juridiksionit kushtetues. Debati kryesor është zhvilluar për cenimin e lirisë ekonomike. Sipas Shoqatës, shënjimi mund të bëhet dhe nga vetë anëtarët e Shoqatës së Shoqërive të Hidrokarbureve, pranë rafinerive ku ata furnizohen, dhe më pas strukturat shtetërore kompetente, ose subjekti apo subjektet e përcaktuara nga shteti të bëjnë kontrollin/monitorimin. Po kështu, edhe nëse ndodhemi përballë kufizimit, ai duhej bërë me ligj dhe jo me vendim të Këshillit të Ministrave, si dhe për një arsye publike të rëndësishme. Këshilli i Ministrave ka argumentuar se liria ekonomike, për anëtarët e shoqatës kërkuese, nënkupton importimin, magazinimin, eksportimin dhe tregtimin e produkteve të hidrokarbureve, liri që nuk është cenuar apo kufizuar me këtë vendim. Në përfundim, gjykata ka vendosur rrëzimin e kërkesëpadisë për vendimin e qeverisë për shënjimin e karburanteve, pasi nuk cenon lirinë ekonomike të përcaktuar në Nenin 11 të Kushtetutës.

 Markimi, treg tjetër?

Thelbi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese lidhet me klasifikimin e gabuar të tregut përkatës, pasi në fakt ankesa nuk është se është cenuar liria ekonomike në tregun e karburanteve siç konkludon gjykata se “VKM-ja nr. 498 nuk ka për objekt rregullimi veprimtarinë e prodhimit, eksportimit, importimit, shpërndarjes, transportit apo shitjes me pakicë dhe shumicë të hidrokarbureve, të cilat janë veprimtari që ushtrohen nga ana e anëtarëve të shoqatës kërkuese”. Jo. Të dy vendimet e qeverisë nuk e kanë cenuar lirinë ekonomike në tregun e “prodhimit, eksportimit, importimit, shpërndarjes, transportit apo shitjes me pakicë dhe shumicë të hidrokarbureve”, por në një tjetër treg përkatës, shërbimin e markimit të karburanteve për të cilin tashmë shoqëritë e hidrokarbureve nuk kanë asnjë mundësi zgjedhje, por do ta kryejnë vetëm me koncesionarin “Global Fluids International” S.A. dhe “Petroleum Consulting Partners” A.G dhe në këtë pikë sigurisht që është cenuar liria ekonomike, pasi ky bashkim shoqërish është ofruesi i vetëm i shërbimit të markimit.

 Premtimi i së majtës

Debati mbetet për t’u zhvilluar më tej, nëse do të rihapet çështja e rishikimit të koncesioneve në kushtet kur politika shprehet për rishikimin e monopoleve, por gjithçka është bërë shumë e vështirë, pasi Gjykata Kushtetuese duket se e ka “çimentuar” këtë ekskluzivitet për 10 vitet e ardhshme.