Tatimet publikojnë manualin, si do të paguhet TVSH-ja

2425
Organet tatimore sqarojnë edhe mënyrën e veprimit me librat e shit-blerjeve
Çdo person i tatueshëm duhet të dorëzojë një deklaratë për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar (TVSH), që përmban gjithë informacionin e nevojshëm në të cilin bazohet llogaritja e TVSH-së që është bërë e kërkueshme, vlerën e TVSH-së që mund të zbritet, vlerat e tatueshme të veprimeve që lidhen me llogaritjen e TVSH-së së kërkueshme dhe asaj të zbritshme si edhe vlerën e furnizimeve të përjashtuara nga TVSH-ja. Përveç të dhënave që përmban deklarata e TVSH-së, Ministri i Financave përcakton me udhëzim formën dhe përmbajtjen e plotë të deklaratës si dhe përcakton modalitetet e deklarimit të TVSH-së në lidhje me importet. Çdo person i tatueshëm që detyrohet, duhet të dorëzojë një deklaratë të TVSH-së, sipas formës dhe përmbajtjes të përcaktuar. Një deklaratë të tillë duhet të dorëzojë edhe përfaqësuesi tatimor. Me përjashtim të rastit kur, sipas parashikimit ligjor, personi përgjegjës për pagimin e TVSH-së, është përfaqësuesi tatimor, i cili për shërbime të marra jashtë Shqipërisë, TVSH- ja paguhet (auto/ngarkohet) dhe deklarohet nga marrësi i shërbimit person i tatueshëm i regjistruar në Shqipëri. Në rastin kur personi që detyrohet të auto-ngarkojë TVSH-në është një person juridik i pa-tatueshëm, atëherë ai vetëm për qëllime të pagesës së TVSH-së detyrohet të deklarojë dhe paguajë TVSH-në. Personit juridik të pa tatueshëm nuk i lind e drejta të zbresë TVSH-në e auto-ngarkuar, pasi nuk kryen transaksione të tatueshme. Në këtë rast ai është pagues i TVSH-së. Deklarata e TVSH-së dorëzohet në mënyrë elektronike në drejtorinë rajonale tatimore ku tatimpaguesi është i regjistruar jo më vonë se 14 ditë pas përfundimit të periudhës tatimore që deklarohet, përveç kategorisë së tatimpaguesve me qarkullim nga 2 milionë lekë deri në 5 milionë lekë, e cila dorëzohet jo më vonë se data 14 e muajit pasardhës pas tremujorit përkatës.

Nëse personi i tatueshëm regjistrohet për herë të parë, atëherë periudha tatimore fillon ditën kur regjistrimi i tij hyn në fuqi dhe mbaron në ditën e fundit të atij muaji. Nëse personi i tatueshëm çregjistrohet, atëherë periudha tatimore fillon në ditën e parë të muajit përkatës dhe përfundon në ditën, në të cilën personi është çregjistruar. Të gjithë personat, të cilët në zbatim të kërkesave të ligjit për TVSH-në kanë detyrimin për të dorëzuar deklaratën e TVSH-së, duhet ta shoqërojnë atë me regjistrat përmbledhës mujorë si për furnizime të kryera, dhe për furnizime të marra dhe saktësime të tyre, të emërtuar përkatësisht Libër shitje dhe Libër blerje.

Libri i Shitjeve
Libri i shitjeve është i detyrueshëm të mbahet nga të gjithë personat e tatueshëm. Forma dhe përmbajtja e tij është sipas formularit të paracaktuar. Ai duhet të tregojë numrin e identifikimit dhe emrin e personit të tatueshëm, si dhe periudhën tatimore për të cilën bëhet deklarimi. Në të regjistrohen për çdo transaksion, klienti dhe të dhënat e faturës që paraqet transaksionin. Në librin e shitjeve regjistrohen data e lëshimit të faturës, numri rendor i faturës, numri serial i faturës dhe numri i deklaratës doganore kur mallrat eksportohen, emri i klientit dhe numri i identifikimit të tij. Në të regjistrohet vlera totale e transaksionit përfshirë TVSH (në qoftë se ka). Shitjet regjistrohen të ndara në: 1 – Shitje të përjashtuara (shitjet të cilat ligji i kategorizon si të përjashtuara nga TVSH); 2 – Shitje pa TVSH (shitje të cilat janë shitje të tatueshme për nga natyra, por vendi i furnizimit të tyre nuk është në Shqipëri dhe të tjera të përcaktuara në udhëzimin e Ministrit të Financave); 3 – Shitje me TVSH zero %, eksporte; 4 – Shitje të tatueshme me TVSH 20%. Për çdo shitje të tatueshme regjistrohen vlera e tatueshme dhe TVSH. Gjithashtu në librin e shitjes do të deklarohet vlera e tatueshme dhe TVSH-në përkatëse për të gjitha transaksionet e kryera nga personat e tatueshëm që aplikojnë TVSH-në mbi marzhin, si agjentët e udhëtimit, ri-shitësit e mallrave të përdorura, etj. Në librin e shitjes do të regjistrohet edhe çdo faturë e borxhit të keq për korrigjimin e borxhit dhe për arkëtimin e tij (nëse kryhet).

Libri i Blerjeve
Libri i Blerjeve është i detyrueshëm të mbahet nga të gjithë personat e tatueshëm dhe të dorëzohet elektronikisht për çdo periudhe tatimore. Forma dhe përmbajtja e tij është e paracaktuar. Ai duhet të tregojë numrin e identifikimit, emrin e personit të tatueshëm, periudhën për të cilën deklarohet dhe çdo të dhënë tjetër të kërkuar. Në të regjistrohen për çdo transaksion: 1 – furnizuesi; 2 – të dhënat e faturës që paraqet transaksionin; 3 – data e lëshimit të faturës; 4 – numri rendor i faturës; 5 – numri serial i faturës; 6 – të dhënat e deklaratës së importit; 7 – emri i shitësit dhe numri i identifikimit të tij; 8 – çdo e dhënë tjetër të kërkuar në përmbajtjen e tij sipas modelit. Blerjet regjistrohen në vlerë totale, e cila përfshin edhe TVSH (në qoftë se ka) si dhe të ndara në blerje me TVSH dhe në blerje me TVSH jo të zbritshme ose pa TVSH. Blerjet me TVSH regjistrohen të ndara në importe dhe blerje brenda vendit. Për çdo blerje me TVSH personi regjistron vlerën e tatueshme dhe TVSH që i korrespondon kësaj blerje. Blerjet me TVSH ndahen në blerje të aktiveve afatgjata dhe blerje e mallrave të tjerë. E njëjta edhe për importet. Në blerjet të aktiveve afatgjata paraqiten çdo blerje e kryer në funksion të veprimtarisë ekonomike që është për qëllime investimi. Për çdo blerje nga fermerët sipas skemës së veçantë, regjimi i kompensimit të prodhuesve bujqësore, personi i tatueshëm blerës faturën e blerjes për mallin e blerë nga fermerët e regjistron në kutitë përkatëse të librit të blerjes me përcaktimin “Vlera e tatueshme/nga fermerë vendas” dhe në një kuti të veçantë, regjistrohet vlera që i korrespondon normës së kompensimit, si produkt i vlerës së tatueshme të mallit me përqindjen e kompensimit. Gjithashtu në librin e blerjes në kuti të ndara më vete do të regjistrohet edhe korrigjimi i TVSH-së së zbritshme në rastet kur kemi të bëjmë me rregullime të zbritjes së TVSH-së, si edhe borxhi i keq kur është plotësuar procedura e kërkuar. Libri i shitjeve dhe libri i blerjeve është i detyrueshëm të mbahet nga të gjithë personat e tatueshëm dhe duhet të dorëzohen elektronikisht për çdo periudhë tatimore përpara dorëzimit të deklaratës së TVSH-së të periudhës dhe jo më vonë se data 10 e muajit që pason periudhën tatimore që deklarohet, ndërsa për kategorinë e tatimpaguesve me qarkullim nga 2 – 5 milionë lekë, jo më vonë se data 10 pas përfundimit të tremujorit përkatës.
Sigal