Tatimet nisin zbatimin e Planit për Menaxhimin e Riskut në Bar–Restorante

597
Sigal

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, nisi prej ditës së djeshme zbatimin në nivel kombëtar të një plani antiformaliteti në sektorin e bar – restoranteve, me qëllim ndërgjegjësimin e tatimpaguesve për korrektësinë e vetdeklarimeve. Këtë aksion e njoftoi Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, Elton Duro, i cili deklaroi se “ky Plan është hartuar me asistencën e ngushtë të Fondit Monetar Ndërkombëtar, i cili do të ndjekë në vijëmësi edhe zbatimin e tij, duke sjellë për herë te parë në Shqipëri, praktikën tatimore të trajtimit të riskut me metodologji bashkëkohore. Me këtë qasje DPT, synon të komunikojë tek tatimpaguesit e këtij sektori, përfitimet që kanë nga deklarimi i saktë i të dhënave tatimore, për të forcuar tek ata bindjen se ligji është i barabartë për të gjithë.”- tha kreu i tatimeve, i cili më tej shpjegoi, se pse u zgjodh pikërisht sektori i Bar-Restoranteve për planin antiformalitet. “Ky sektor është përzgjedhur pas vlerësimit analitik të deklarimeve të tyre tatimore, si një kategori me risk në përmbushje, formalizimi i të cilit lidhet ngushtë edhe me sektorë të tjerë, si turizmi, tregtia, shërbimet ,etj. Rreth 14,000 tatimpagues të këtij sektori do të nxiten dhe ndihmohen që të përmbushin në mënyrë korrekte detyrimet, si edhe t’i vetëkorrigjojnë ato, duke reflektuar aktivitetin real që ushtrojnë.”,- deklaroi Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve.