Tatimet mund të mbledhin me forcë detyrimet e papaguara në rastet kur nuk janë paguar në afat taksat

610
Sigal

Administrata Tatimore ka autoritetin për të mbledhur me forcë detyrimet tatimore të papaguara, kur konstaton se tatimpaguesi nuk ka paguar në afat detyrimet e tij. Para zbatimit të procedurave të mbledhjes me forcë të detyrimeve tatimore, administrata tatimore verifikon nëse tatimpaguesi ka apeluar detyrimin tatimor në hallkën përkatëse të apelimit tatimor. Administrata tatimore dërgon në adresë të tatim paguesit njoftimin për pagimin e detyrimeve tatimore nëse detyrimi tatimor nuk është apeluar ose është humbur e drejta e apelimit dhe e njofton atë për fillimin e procedurave të mbledhjes me forcë të detyrimeve tatimore. Nëse tatimpaguesi ka paraqitur në Drejtorinë e Apelimit Tatimor ose në Komisionin për Shqyrtimin e Apelimit Tatimor një ankim, procedurat e mbledhjes me forcë fillojnë, me mbarimin e procedurave të ankimit. Procedurat e ankimimit konsiderohen se kanë përfunduar ditën e parë të mbarimit të afatit ligjor që ka tatimpaguesi për t’iu drejtuar gjykatës. Për mbledhjen me forcë të detyrimeve tatimore, Administrata Tatimore në çdo rast merr në konsideratë analizimin dhe vlerësimin e riskut, çka do të thotë se merr në analizë nëse tatimpaguesi do të paguajë detyrimin e tij, apo ai ka tendencë t’i shmanget këtij detyrimi.

Njoftimi dhe kërkesa për të paguar

Kur Administrata Tatimore, arrin në përfundimin se një detyrim tatimor nuk është paguar plotësisht, ajo menjëherë njofton tatimpaguesin për detyrimin e papaguar, nëpërmjet postës rekomande. Njoftimi nga ana e administratës tatimore mund të bëhet edhe me forma të tjera të dërgimit të njoftimit, përveç postës, duke përfshirë edhe dorëzimin dorazi të njoftimit kundrejt konfirmimit të marrjes së tij prej tatimpaguesit. Njoftimi përmban shumën e detyrimit të papaguar, llojin e tatimit apo të sanksionit që pason në rast të mos pagimit, fillimin e aplikimit të masave shtrënguese.

Kujdes!

Me kalimin e 10 ditëve nga data e nisjes me postë të këtij njoftimi ose brenda 3 ditëve nga data e dorëzimit të njoftimit tek tatimpaguesi, fillon zbatimi i procedurës për mbledhjen me force te detyrimeve tatimore. Administrata Tatimore, në funksion të mbledhjes së detyrimit tatimor të papaguar të tatimpaguesit, mund të angazhojë strukturat e saj për të verifikuar dhe monitoruar në vend aktivitetin tregtar të tatimpaguesit, me qëllim konfiskimin në fund të çdo dite të një shume jo më pak se 50% të qarkullimit të realizuar, por jo më shumë se detyrimi tatimor, për të cilin ka filluar procedura e mbledhjes me forcë të detyrimeve tatimore, për llogari të detyrimeve tatimore të pashlyera të tatimpaguesit. Kjo bëhet me anë të një urdhër konfiskimi të qarkullimit i cili përmban emrin e tatimpaguesit, NIPT-in, adresën, të dhënat e njoftim vlerësimit tatimor, të dhëna për shumën e qarkullimit ditor dhe atë për të cilën vendoset masa e konfiskimit.

Urdhri i bllokimit të llogarive bankare të tatimpaguesit

Në zbatim të dispozitave të ligjit Nr. 9920, datë 19.05.2008 “Për Procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, kur tatimpaguesi nuk paguan në mënyrë vullnetare detyrimin tatimor, Administrata Tatimore detyrohet të nxjerrë “Urdhër bllokimin” e llogarive bankare dhe të llogarive depozitë të tatimpaguesit. “Urdhër bllokimi” i dërgohet bankave tek të cilat administrata tatimore ka dijeni se tatimpaguesi, ose administratori apo pronarët e shoqërisë tregtare, kanë llogaritë e tyre, si dhe të gjitha bankave të tjera me seli në Republikën e Shqipërisë. Në çdo rast, shuma që kërkohet të bllokohet nga bankat është shuma më e vogël ndërmjet shumës që administrata tatimore kërkon të marrë me shumën që rezulton në llogarinë bankare të tatimpaguesit në momentin e nxjerrjes së “Urdhër bllokimit”. Mbi bazën e tij banka, menjëherë, brenda të njëjtës ditë pune vepron mbi llogarinë apo depozitën e tatimpaguesit duke ekzekutuar “Urdhrin e bllokimit” të organit tatimor dhe duke kaluar nga llogaria apo depozita e tatimpaguesit në llogarinë e organit tatimor përkatës një shumë të barabartë me detyrimin e papaguar tatimor të tatimpaguesit ose të gjithë gjendjen e llogarisë bankare, kur ajo është më e vogël se detyrimi tatimor i papaguar./Monitor