Tatimet mbledhin 7.6 miliardë lekë borxhe në 4 muajt e parë të vitit, rritje 41%

496
Sigal

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve bëri të ditur se 39 % më shumë detyrime të papaguara janë mbledhur nga Administrata Tatimore në Muajin Prill, krahasuar me Prill 2018. E shprehur në shifra, gjatë muajit Prill 2019 janë mbledhur 2.6 Mld Lekë borxh tatimor, kundrejt 1.9 Mld Lekë të mbledhura në të njejtën periudhë të vitit 2018.

Në të dhënat e 4 mujorit Janar-Prill 2019, janë arkëtuar 7,6 Mld Lekë detyrime të papaguara (borxh tatimor). Krahasuar me të njejtën periudhë të vitit 2018, ku u arkëtuan 5,4 Mld Lekë, gjatë këtij viti janë arkëtuar 2,2 mld Lekë ose 41% më shumë.

Sipas tatimeve, kjo rritje ka ardhur nga menaxhimi më i mirë i masave për mbledhjen e borxhit, nga drejtoritë e Mbledhjes së Detyrimeve të Papaguara ka sjellë një impakt të ndjeshëm në mbledhjen e arkëtimeve.

Administrata Tatimore bën të ditur se ka rritur shkallën e informimit parandalues ndaj tatimpaguesve, nëpërmjet kanaleve të ndryshme të komunikimit, në lidhje me afatet, mënyrat e pagesës së borxhit dhe ndërgjegjësimit të tyre për masat shtrënguese.

Më shumë se 25 mijë telefonata kujtese janë realizuar nga Qendra e Thirrjeve gjatë kësaj periudhe, për të paralajmëruar në kohë tatimpaguesit mbi afatet finale të pagesave.

Objektivi stategjik dhe operacional për strukturat e Mbledhjes me Forcë në vitin 2019 është rritja e arkëtimeve me 10% për të njejtat periudha të vitit të mëparshëm, që për 4 muajt e parë të këtij viti tashmë është tejkaluar ndjeshëm.

Administrata Tatimore këshillon tatimpaguesit që të jenë të vëmendshëm ndaj njoftimeve që u përcillen në mënyrë elektronike përmes llogarisë së tyre personale në e-filing, e-maileve, apo komunikimit telefonik./Monitor