Tatimet këshillojnë, si të veprohet kur lëshohet një faturë e pasaktë

225

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve në rubrikën e saj “Tatimet Këshillojnë” kanë publikuar një material informues për tatimpaguesit mbi rastet kur lëshohet një faturë tatimore e pasaktë. Në rastet kur tatimpaguesi lëshon një faturë tatimore të pasaktë me pasojë uljen e detyrimit tatimor apo rritjen e shumës për t’u kredituar dënohet në përputhje me dispozitat në fuqi të ligjit nr. 9920 datë 19.05.2008 “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”. Fatura quhet e pasaktë kur nuk është e plotësuar me të dhënat reale financiare të subjektit dhe ndikon në detyrimin tatimor që lidhet me atë faturë. Po ashtu edhe në rastet kur nga kontrolli te tatimpaguesit rezultojnë gabime në deklarata tatimore të certifikuara nga kompanitë audituese, këto të fundit dënohen me një gjobë, në masën 50% të detyrimit tatimor të ngarkuar ndaj tatimpaguesit. Një faturë konsiderohet e saktë është ajo ku detyrimi tatimor i llogaritur është absolutisht korrekt dhe për të cilën nuk është bërë asnjë gabim aritmetik ose logjik.

Kujdes!

Kur një tatimpagues i regjistruar në TVSH lëshon faturë me TVSH pa qenë i detyruar nga ligji të bëjë këtë penalizohet sipas nenit 128 të ligjit nr. 9920 datë 19.05.2008 “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”. Nëse ky tatimpagues lëshon gabimisht faturë tatimore me TVSH, pa qenë i detyruar, por ka paguar në organet tatimore TVSH lidhur me këto fatura, atëherë nuk penalizohet.

Nëse një tatimpagues konstatohet në shkelje të ligjit në rastet kur është përgjegjës për të aplikuat TVSH-në nëpërmjet “autongarkesës së TVSH-së”, dënohet me gjobë sipas rastit dhe mënyrave të parashikuara nga ligji.

Mosafishimi i çmimeve të shitjes

Subjektet nuk kanë detyrimin të afishojnë çmimet e shitjes, kur këto të fundit janë të shënuara në kutinë ambalazhuese të mallit, si në rastin e barnave. Po ashtu, nuk i nënshtrohen detyrimit për afishimin e çmimeve ata tatimpagues, të cilët nuk mund të përcaktojnë çmime të fiksuara paraprakisht për shërbimet që kryejnë, si pasojë e kostove që mund të rëndojnë çmimin e shërbimit në varësi të faktorëve të ndryshëm, si : p.sh. agjencitë e udhëtimit. Në rastet e shërbimeve të një natyre të tillë, çmimi për të cilat ndryshon dhe nuk është i paracaktuar, mund të afishohen tarifat e orareve të shërbimit.

Mosafishimi i çmimeve të shitjes së mallrave apo shërbimeve dënohet me gjobë me 100 000 (njëqind mijë) lekë për tatimpaguesit e tatimit mbi fitimin dhe 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë për tatimpaguesit e tjerë./Monitor