Tatimet: Ja sa paguhet për apartamentet e rivlerësuar

3457
Drejtoria e Tatimeve i dërgon Hipotekës një sqarim teknik për detyrimet që duhet të vilen pas procesit të legalizimit të kapitalit. Si ndikon te taksa e banesës
Procesi i rivlerësimit të apartamenteve dhe pasurive të paluajtshme u shoqërua edhe me paqartësi për detyrimet tatimore në hapat e mëtejshëm të shitjes apo blerjes së pronës. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka bërë një sqarim teknik për llogari të Hipotekës në lidhje me tatimin që duhet të vilet kundrejt banesave që kanë kaluar procesin e rivlerësimit. Bazuar në ligjin e vitit 2011 “Për legalizimin e kapitalit dhe faljen e një pjesë të borxhit tatimor dhe doganor”, në nenin 27 që bën fjalë për rivlerësimin e pasurisë së paluajtshme për individët, ndër të tjera përcaktohet se, për shitjen e pasurisë, së bërë pas rivlerësimit, tatimi llogaritet si diferencë e çmimit të shitjes dhe çmimit të dalë nga rivlerësimi. Për sa përcaktohet në dispozitat ligjore, pas plotësimit të kushteve të përcaktuara në nenin 27 të këtij ligji, vlera e pasurisë së paluajtshme njehsohet me vlerën e rivlerësimit. Prona e paluajtshme, që është rivlerësuar nëpërmjet një procesi të sanksionuar me ligj, dhe individi ka shfrytëzuar hapësirat që vetë ligji i ka dhënë për të kryer procesin e rivlerësimit, pasuria në këtë rast, bazuar në pikën 10 të nenit 27 të ligjit të sipërcituar, si çmim reference në çdo transaksion të mëpasshëm do të ketë çmimin e rivlerësuar dhe tatimi llogaritet si diferencë e çmimit të shitjes dhe çmimit të dalë nga rivlerësimi. Për sa më sipër, në rast se trashëgimtarët ligjorë, pronarë të pjesës së rivlerësuar të pasurisë së paluajtshme do të kalojnë të drejtën e pronësisë, në zbatim të dispozitave të nenit 8 “E ardhura e tatueshme” dhe nenit 11 “Kalimi i së drejtës së pronësisë mbi pasuritë e paluajtshme” të ligjit “Për tatimin mbi të ardhurat”, do të tatohen me 15 për qind të fitimeve të realizuar. Po kështu edhe në rast se, pasuria e paluajtshme e rivlerësuar dhurohet dhe personi që përfiton pasurinë e paluajtshme me çmimin e rivlerësuar do e shesë/dhuron apo do heqë dorë nga e drejta e pronësisë, atëherë tatimi do të llogaritet dhe paguhet si diferencë e çmimit të shitjes (vlerës së tregut) dhe çmimit të rivlerësimit të pasurisë së paluajtshme.

Nga procesi i rivlerësimit të apartamenteve përfituan një numër i madh qytetarësh. Ndërkohë, vlera e shtëpive të rivlerësuara, të regjistruara në hipoteka dhe çmimet fiskale që përllogarisin vlerën e tregut të apartamenteve, do të jetë baza e të dhënave që qeveria do të përdorë për përcaktimin e vlerës së tregut të shtëpive. Shtëpia do të taksohet 0,05 për qind mbi vlerën e tregut të shtëpisë. Çmimet fiskale për llogaritjen e taksës së re do përdoren edhe për ato apartamente që nuk i janë nënshtruar procesit të rivlerësimit. Nëse një qytetar nuk e ka rivlerësuar shtëpinë kur tatimi u ul në 2 për qind, taksa që do të paguajë do të llogaritet mbi çmimet fiskale që janë në fuqi. Me këtë logjikë, sipas ekspertëve, më shumë taksë do të paguajnë ata që kanë bërë rivlerësimin e shtëpive, me çmim më të lartë se ai i referencës fiskal.
Sigal